E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pavarësia, koncerte festive në të gjithë Shqipërinë

Nga Milena Selimi

Institucionet artistike në shumë qytetet të vendit e kanë shpallur ditën e sotme, një ditë përkujtimi për shpalljen e Pavarësisë së vendit, me koncerte në sheshe, këngëtarë të mirënjohur dhe performanca të ndryshme artistike

Tiranë, 28 Nëntor NOA Përmbledhje/ - Korça e përkujtoi këtë ditë me rastin e 97- vjetorit të Festës së Pavarësisë në sallën e teatrit Teatri Andon Zako Çajupi me një koncert me këngë dhe valle, i shoqëruar nga kori Lira.

Atdheu?! I shqiptarëve!!! Kështu titullohej koncerti tematik në qytetin bregdetar të Durrësit, i cili u mbajt në Teatrin Aleksandër Moisiu me regji nga Driada Dervishi, me pjesëmarrjen e këngëtarëve të njohur si dhe orkestra e qytetit.

Mendohet të ketë nisur koncerti me artistë shkodranë  i cili do të mbahej në sheshin e qytetit, me pjesëmarrjen e korit Pjetër Gaci dhe Qendrës së Fëmijëve.

Një atmosferë festive e zgjoi që në orët e para të mëngjesit qytetin e Vlorës në ditën e festave të Pavarësisë dhe Çlirimit, ku u mbajt një koncert i Orkestrës Frymore.

Aktivitete të ndryshme u zhvilluan edhe në teatrin Petro Marko, në Sheshin e Flamurit dhe në Pallatin e Sportit, ku pritet  të përmbyllet kjo ditë e festimeve me një koncert me këngë live, me pjesëmarrjen e artistëve vlonjatë.

Teatri Bylis ka mbledhur forcat më të mira artistike të qytetit në një koncert festiv, sot në mbrëmje, me rastin e 65- vjetorit të Çlirimit.

Në këtë aktivitet marrin pjesë ansambli Myzeqeja, orkestra e harqeve të qytetit, grupi i këngës qytetare fierake dhe aktorë të teatrit.

Në Teatrin Skampa artdashësit elbasanllinj do të mund të ndjekin një koncert festiv me këngë popullore nga ansambli Isuf Myzyri, ndërsa Qendra Kulturore Lasgush Poradeci në Pogradec sjell këngë patriotike më datën 29 nëntor, me rastin e festave të Pavarësisë dhe Çlirimit.

Kryeqyteti e festoi këtë ditë me shfaqjen Përkujtimi në TKOB, në të cilin morën pjesë solistët, kori, orkestra, trupa e baletit, Ansambli  Popullor dhe studentë të Akademisë së Arteve.

m.s/e.r/NOA

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›