E Diel, 1 Nëntor 2026

Pavarësisht debateve të ashpra, palët po shkojnë drejt heqjes së imunitetit

Share

Opozita pranon që në shtator të shqyrtohet nisma për votimin e gjyqtarëve me shumicë të cilësuar

Ka zgjatur më shumë se dy orë debati në Këshillin e Legjislacionit në lidhje me heqjen e imunitetit. Pavarësisht debatit të ashpër, në fund duket se palët po shkojnë drejt hartimit të një projekti të përbashkët, që do garantojë heqjen e imunitetit dhe kufizimin në disa raste.

Pandeli Majko dhe Edi Paloka janë pranuar si dy relatorët për ndryshimet kushtetuese për heqjen e imunitetit.

Ndërkohë është miratuar një listë me ata që do të dëgjohen në seancat e hapura dëgjimore për heqjen e imunitetit, që do të nisin nga dita e nesërme.

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e nisi mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit duke theksuar se heqja e imunitetit është një kërkesë e BE. Ajo tha se ligji është shqyrtuar me vëmendje dhe ka marrë ekspertizën e organizmave ndërkombëtarë.

Kurse opozita nga ana e saj ka pasur shqetësimin e gjendjes së drejtësisë pas zgjedhjes së Bujar Nishanit në krye shtetit. Ata kanë tentuar disa herë të lidhin çështjen e imunitetit me mënyrën se si do të zgjidhen anëtarët e gjykatave të larta dhe Prokurori i Përgjithshëm. Por në fund Partia Socialiste ka pranuar që duke nisur nga shtatori diskutohet për këtë çështje, kurse momentalisht të diskutohet për ndryshimet kushtetuese që lidhen me heqjen e imunitetit.

Shpesh herë debati në sallë precipitoi me akuza të ndërsjella se kush është grupi i miliarderëve në secilën parti.

Pandeli Majko ngriti shqetësimin se problem është paprekshmëria dhe jo imuniteti. Kurse kryetarja e Kuvendit u shpreh e hapur për tu hetuar vetë personalisht për korrupsion.

Opozita po ashtu e ka shqetësimin tek kufizimi i lirisë për të folur për deputetët, duke synuar që diçka e tillë të rregullohet në nismën që do votohet në Kuvend më 6 gusht.

Këshilli i Legjislacionit do të mblidhet sërish nesër në orën 10:00 për të shqyrtuar në lidhje me çështjen e heqjes së imunitetit. Në mbledhjen e nesërme do të jenë të pranishëm edhe grupet e interesit, të cilët do të japin mendimin e tyre në lidhje me nismën për heqjen e imunitetit nëpërmjet ndryshimit të Kushtetutës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›