E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi miraton me 127 vota pro reformën zgjedhore

Dje gjate votimit te kodit zgjedhr ne Parlament

Kodi i ri miratohet me konsensus. Abstenojnë tre deputetët e LSI.

Mediu e Oketa kundër, Idrizi e Tahiri nga PDIU bojkojtojnë

Parlamenti finalizoi dje me konsensus draftin e amendamenteve të Komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore. Partia Demokratike dhe ajo Socialiste kanë respektuar marrëveshjen e arritur në Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe këtë konsensus e kanë shprehur dje në votimin e draftit konsensual. Reforma zgjedhore u miratua dje me 127 vota pro, 2 vota kundër dhe 3 vota abstenim. Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, pasi shprehu kundërshtinë për produktin e miratuar me konsensus nga PD dhe PS, këtë kundërshti e konkretizoi dhe me një karton të kuq gjatë votimit. Po ashtu dhe kryetari i Grupit Nismëtar të Frymës së Re Demokratike, Gazmend Oketa, ishte vota e dytë kundër. Kundër rrymës dhe konsensusit të arritur nga demokratët dhe socialistët ishte dje dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Ministri i ri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, e ka inauguruar karrigen ministrore me një votë abstenim dhe jo në favor të djathtës. Po ashtu dhe nënkryetari i Kuvendit, Nasip Naço dhe kryetari i Grupit të LSI-së, Lefter Koka, kanë abstenuar. Vetë kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, nuk ka marrë farë pjesë në punimet e Kuvendit për të votuar për reformën zgjedhore. Ndërkaq, një tjetër mungesë jo pak e rëndësishme ishte dhe ajo e aleatit të Partisë Demokratike Shpëtim Idrizi, që së bashku me deputetin Dashamir Tahiri kanë lënë karriget bosh në shenjë proteste. Ndërkohë që edhe pse shprehu kundërshtinë e hapur për draftin e reformës zgjedhore, kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, në fund votoi pro. Pas miratimit të reformës zgjedhore, kryetarja e Kuvendit ka falënderuar të pranishmit për kontributin e dhënë. Ky vendim i ligjvënësve është duartrokitur dhe nga diplomatët e pranishëm në sallën e Kuvendit. Dje në seancë ishte i pranishëm ambasadori i Amerikës, Aleksandër Arvizu, ambasadori i BE-së, Ettore Sequi dhe ai i OSBE-së, Eugen Volfarth. Pas votimit të reformës zgjedhore, Kryeministri Sali Berisha është larguar nga salla e Kuvendit, duke mos marrë pjesë në votimet e tjera. Po dje Parlamenti miratoi vetëm me votat e maxhorancës rezolutën Për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2011. Rezoluta e KQZ-së kaloi vetëm me 70 vota pro të maxhorancës dhe 58 kundër të deputetëve të opozitës. Në këtë votim ra në sy fakti se aleatët e PD-së, si PR dhe LSI, kanë bashkuar sërish votat për vlerësimin e punës së KQZ-së. Ndërkaq, maxhoranca ka miratuar e vetme dhe rezolutën Për raportin e prokurorit të Përgjithshëm për gjendjen e kriminalitetit për vitin 2011. Kjo rezolutë kaloi dje me 69 vota pro të maxhorancës dhe 58 kundër të opozitës dhe një votë abstenim të deputetit të çregjistruar nga Grupi i PS-së, Kastriot Islami.
Akuzat
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, gjatë fjalës në Parlament akuzoi dy partitë kryesore, se kanë shpërfillur kërkesat e të vegjëlve, duke mos ndërmarrë ndryshime në sistemin zgjedhor. Mediu deklaroi se: Nuk di çfarë është realizuar dhe ndërhyrë për të garantuar votën e tyre. Mendimet e asnjërës parti politike, përveç PS dhe PD, nuk u morën në konsideratë. Për fat të keq, edhe një marrëveshje e realizuar nga 26 parti, ku firmëtarë ishin dhe Berisha e Rama, u hodh sikur të ishin pa vlerë. Por mendoj se me këtë rast kanë bërë të pavlerë pikërisht angazhimin e tyre në këtë marrëveshje. Të 26 partitë, jo vetëm nënshkruan një deklaratë politike, por përcollën pranë këtij Komisioni edhe propozime konkrete që nuk u konsideruan asnjëherë të vetme, deklaroi Mediu. Edhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, shprehu kundërshti për reformën e ndërmarrë nga PD dhe PS, por në të njëjtën kohë deklaroi votën pro. Unë kam edhe një pyetje, skenarin festiv kush do e organizojë pas zgjedhjeve të ardhshme? Ne kemi votuar në mënyrë të përsëritur në mënyrë festive ndryshimet në Kod edhe në 2008-n, edhe më përpara. Jetojmë momente tejet pozitive që i ngjajnë muajit të mjaltit, por që shoqërohen me ditë të zeza pas zhvillimit të proceseve zgjedhore, deklaroi Dule.

Ndryshimet
Pas votimit të reformës zgjedhore, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli lajmëroi deputetët se sot do të zhvillohet mbledhja për shqyrtimin e ndryshimeve kushtetuese. Mbledhja do të zhvillohet në ambientet ë Kuvendit në orën 10:00 të paradites. Mbledhja e Këshillit të Legjislacionit dhe Komisionit për Çështjet Ligjore për shqyrtimin e projektligjit: Për disa ndryshime në ligjin nr. 841, datë 21.10.1998 Kushtetua e Republikës së Shqipërisë, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Votimet dje
Amendamentet e miratuara nga Komisioni i posaçëm parlamentar i Reformës Zgjedhore
Pro: 127
Kundër: 2 (Fatmir Mediu dhe Gazmend Oketa)
Abstenim: 3 (Nasip Naço, Lefter Koka dhe Vangjel Tavo)

Rezoluta Për vlerësimin e veprimtarisë së KQZ-së për vitin 2011.
Pro: 70
Kundër: 58

Rezoluta Për raportin e prokurorit të Përgjithshëm për gjendjen e kriminalitetit për vitin 2011.
Pro: 69
Kundër: 58
Abstenim 1 (Kastriot Islami)

Ndryshimet në Kodin e Ri
9. Numërimi dhe rezultati
9.1 Kutia e materialeve zgjedhore nuk hapet në VNV, përveçse kur mungon procesverbali i mbylljes së QV;
9.2  KMZ hapen në proces ankimor sipas nenit 136 dhe 138 (me kërkesë të dy anëtareve)
9.3  Refuzimi për numërim të kutive ndëshkohet sipas Kodit Penal dhe duke shkarkuar menjëherë komisionarët;
9.4  KQZ nuk shpall rezultat zone zgjedhore pa numëruar gjithë kutitë e pranuara të rregullta;
9.5  Numërimi elektronik në vitin 2013 të përdoret në qarkun e Fier (12 % e vendit);
10.  Administrata zgjedhore
10.1 KQZ -3 opozita / 3 maxhoranca dhe kryetari që zgjidhet pas një konkurrimi publik, seancë dëgjimore në Kuvend, dhe përmes një procedurë që kërkon dhe mbështetjen e opozitës dhe ku në fund na lind e drejta të skualifikojmë dy nga 4 personat që kanë marrë më shumë mbështetje në Komisionin e Ligjeve;
10.2 Rregullorja e KQZ të miratohet me 5 vota dhe jo më vonë se 60 ditë nga fillimi i punës i KQZ (aktualisht nuk ka rregullore dhe rregullorja e administratës është me 4 vota);
10.3 Anëtarët e KQZ të kenë mandat 6-vjeçar, ndërkohë që kryetari i KQZ-së zgjidhet për 4 vjet (2 nga anëtarët me short ripërtërihen pas tri vitesh);
10.4 Anëtaret e rinj të emërohen jo më vonë se 30 ditë nga hyrja në fuqi e ligjit (shtator 2012);
10.5 KQV do të përbëhet nga 7 persona, përfshirë dhe sekretarin;
11. Ankimimi në KQZ
11.1 Përmirësohen disa nga procedurat e ankimit në KQZ;
11.2 Palët në çdo kohë kanë të drejtë të kërkojnë ndryshimin e kërkimit kur kanë dalë fakte të reja;
11.3 Garantohet përfundimisht kërkesa e dy anëtarëve për prova (material në kuti) pa votim dhe diskutim në KQZ;
10. Ankimi në Gjykatë
10.1 Përmirësohen disa procedura të ankimit gjyqësor;
10.2 Anëtarët aktualë të Kolegjit Zgjedhor nuk hidhen më në short dhe përjashtohen.

Mediu: Pse votoj  kundër
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›