PS tërhiqet nga kushtet, SHBA: Imuniteti të votohet më 6 gusht
Socialistët depozitojnë sot propozimet e tyre për kufizimin e imuniteteve.
Imuniteti, PS tërheq kushtet.
Votimi i gjyqtarëve me 84 vota do diskutohet në shtator.
Partia Socialiste do të votojë më 6 gusht pro kufizimit të imunitetit të zyrtarëve të lartë dhe deputetëve. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë selisë rozë. Deputetët socialistë të Komisionit të Ligjeve kanë diskutuar rregullimet e fundit të draftit të tyre, i cili në thelb nuk ka shumë ndryshim nga ai i paraqitur nga Partia Demokratike. Socialistët do të këmbëngulin për kufizimin e imunitetit dhe jo heqjen totale të tij, si për deputetët, ashtu dhe për gjyqtarët. Me pak modifikime, palët mund të dalin me një propozim të përbashkët, nëse PD do të pranojë dhe bllokun e dytë të propozimeve të PS, që për të pasur gjyqtarë të imunitetit të cunguar kërkohet një sistem drejtësie më i fortë. Për këtë, sekretari socialist për Koordinimin, Fatmir Xhafaj, ka propozuar disa ndryshime në Kushtetutë, përmes të cilave sanksionohet që votimi i anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, anëtarët e KLD-së dhe prokurorit të Përgjithshëm të bëhet me shumicë të cilësuar, pra me 84 vota. Ndryshe nga pak ditë më parë, kur Partia Socialiste vendosi kushte për votimin e kufizimit të imuniteteve, mësohet se deputetët e Grupit Parlamentar socialist nuk do të bllokojnë votimin e tij në 6 gusht, siç dhe është caktuar nga Konferenca e Kryetarëve. Socialistët do të japin votën e tyre pro kufizimit të imuniteteve, duke dhënë kontributin e tyre edhe në plotësimin e një tjetër rekomandimi të Komisionit Europian për ti dhënë Shqipërisë në tetor ftesën e vendit kandidat në BE. Socialistët do të kërkojnë nga demokratët që pjesë të kësaj reforme të konsiderojnë dhe emërimet e gjyqtarëve dhe prokurorit të Përgjithshëm me 84 vota. Por kushti i tyre për ta përfshirë në një votim me imunitetet duket se është moderuar, duke e shtyrë diskutimin për në shtator. Ata do tu kërkojnë demokratëve të hapin një proces diskutimi dhe konsultimi me grupet e interesit për të argumentuar domosdoshmërinë e ndryshimeve kushtetuese për këto emërime.
Propozimi
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste do të depozitojë sot në Kuvend propozimet për kufizimin e imuniteteve. Në Komisionin e Ligjeve që do të mblidhet sot, deputetët e PS do të argumentojnë domosdoshmërinë e bashkimit të dy propozimeve, ndonëse debati dhe votimi për to mund të bëhet në kohë të ndryshme. Në draftin e PS-së propozohet marrja në mbrojtje e deputetëve vetëm në ato raste kur janë duke ushtruar detyrën si përfaqësues të popullit, kur shprehin opinionet dhe votën e tyre. Në rast se kërkohet arrestimi, ai duhet të kryhet me lejen e Kuvendit me përjashtim të rasteve kur deputeti kapet në krim e sipër apo menjëherë sapo ka konsumuar kryerjen e krimit. Propozimet e PS-së që lidhen me imunitetin e gjyqtarëve, parashikojnë të drejtën e imunitetit nga cilido gjyqtar për vendimet dhe opinionet që ata shprehin gjatë kryerjes së detyrës, duke i zhveshur nga çdo lloj imuniteti tjetër.
Imuniteti, nis sot diskutimi në Kuvend
Këshilli i Legjislacionit dhe Komisioni i Ligjeve do të mblidhen sot në seancën e parë për të diskutuar ndryshimet në Kushtetutë lidhur me heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë. Seanca e sotme është e para ndër dy që janë planifikuar që të zhvillohen përpara se Parlamenti të marrë vendim. Në mbledhjen e djeshme të Kuvendit, kryeparlamentarja Topalli u shpreh: Në fakt, Komisioni i Ligjeve është i mbingarkuar. Nesër në Këshillin e Legjislacionit, bashkë me Komisionin e Ligjeve, do të punojmë për ndryshimin e Kushtetutës për heqjen e imunitetit. Të shtunën do të kemi dëgjesën me grupet e interesit dhe akademikë, profesorë e konstitucionalistë për propozimet e ardhura. Të shtunën është planifikuar që të zhvillohet një seancë dëgjimore me konstitucionalistët lidhur me propozimet e maxhorancës.
Rama
Ne nuk kushtëzojmë asgjë me vizionin e me qasjen tonë, por jemi këtu për të dëshmuar në çdo hap se në Shqipëri ka një alternativë europiane dhe për të luftuar përditë për një Shqipëri europiane. Na duhen gjykata të cilat sidomos në shkallët e tyre të larta, Gjykata e Lartë, Gjykata Kushtetuese, të përfaqësojnë vullnetin kushtetues të Parlamentit si i tërë dhe jo thjesht vullnetin e një partie, u shpreh Rama në mbledhjen e Grupit të PS.Berisha
Imuniteti është një standard i tepërt në Kushtetutë, sepse imuniteti ka ardhur duke u hequr progresivisht, derisa sot ka vende që kanë zero imunitet. Nuk mund të kërkosh tani për ta shpërbërë Kushtetutën mbi bazën e pendesës, që në fakt ia induktojnë të tjerët, sepse thellë në vetvete ai nuk mund të ketë. Unë besoj se ai ka qenë një akt shumë mirë i menduar, u shpreh Berisha.
SHBA: Imuniteti të votohet më 6 gusht
Ambasada e SHBA kërkon kompromis. Arvizu: Humba bastin për reformën zgjedhore, mendoja që sdo bëhej
Është pengesë madhore në luftën kundër korrupsionit në Shqipëri

Ambasadori amerikan Arvizu
Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bëjnë thirrje forcave politike të votojnë deri më 6 gusht ndryshimet në Kushtetutë për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë. Ambasada e SHBA-ve në vendin tonë shpërndau mbrëmë një njoftim për shtyp në të cilin i nxit palët të punojnë me seriozitet në këtë drejtim. Tani Parlamenti duhet ta kthejë menjëherë vëmendjen në përmbushjen e reformës parlamentare dhe punës për heqjen e imuniteteve, çka, sipas të gjitha palëve, përbën një pengesë madhore në luftën kundër korrupsionit në Shqipëri. I nxitim palët që të punojnë me seriozitet për të gjetur emëruesin e përbashkët, i cili dimë që ekziston dhe të votojnë për këtë legjislacion më 6 gusht, thuhet në njoftimin e Ambasadës. Qëndrimi i Uashingtonit vjen pas deklaratës së bërë paradite në Parlament të ambasadorit Aleksandër Arvizu. Ai u shpreh se janë 10 ditë në dispozicion të ligjvënësve për të diskutuar draftin e propozuar nga maxhoranca para se Parlamenti të mblidhet javën e parë të muajit të ardhshëm. Mendoj që të gjitha palët duhet të bien dakord dhe janë të zëshëm që imuniteti duhet hequr. A duhet shikuar me kujdes? Absolutisht po. Jemi të sinqertë, nuk është diçka që ka ndodhur brenda natës, pra nuk është tematikë e re. Ekspertët ndërkombëtarë kanë kontribuar për këtë proces. Kemi pasur shumë takime. Gjatë 7 deri në 10 ditët e ardhshme do të ketë shumë aktivitete, debate publike dhe diskutime. A nevojitet shumë kohë? Ndoshta, por dua të jem i sinqertë. Sot është 19 korrik dhe koha nga sot deri më 6 gusht, në periudhën shqiptare është përjetësi dhe nuk është tematikë e re, por nëse ka vullnet, mund ta heqin imunitetin, apeloi Arvizu.
Reforma zgjedhore
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë vlerëson gjithashtu vendimin e djeshëm të Parlamentit për të ndryshuar disa nene të Kodit Zgjedhor, dhjetë muaj para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Ambasada e SHBA mirëpret miratimin e legjislacionit të Kodit Zgjedhor dhe përgëzon frymën e kompromisit të demonstruar nga të gjitha partitë për trajtimin e rek