E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pavijonet e spitaleve “mbyten” nga reklamat e ilaçeve

Jo vetëm nëpër korridore, por edhe brenda pavijoneve janë të afishuara reklama ilaçesh. Pavijonet e diabetit, kardiokirurgjisë dhe pediatrisë mbahen për fluksin më të madh të reklamave. Me sa duket, firmat farmaceutike kanë gjetur “thembrën e Akilit”, pasi këto janë sëmundje me rastet më të shumta në vend. Ndërsa shefat e pavijoneve mbajnë distancë ndaj këtyre reklamave, kërkojnë që të krijohet një kënd i veçantë për to.
Ilaçet
Mbretëria e reklamave mbetet pavijoni i kardiokirurgjisë, ku disa prej firmave farmaceutike duket se zhvillojnë betejën mes tyre, pasi në pak metra mur të këtij pavijoni janë të afishuara disa lloje reklamash të cilat promovojnë medikamente kryefjala e të cilave qëndron në mirëqenien e pacientëve. Edhe pse mund të jesh një kalimtar i thjeshtë nëpër këto pavijone, nuk mund të mos të bjerë edhe mbivendosja dhe çrregullsia që ato japin. Por për mjekët kjo nuk është problematike, pavarësisht se në mjediset shtetërore në fakt nuk duhet të lejohen. Ndërkohë që mësohet se kjo nismë brenda ambienteve të QSUT-së nuk është e ligjëruar dhe se spitalet universitare nuk marrin asgjë, ndonëse aty bëhet marketing i mirëfilltë. Në lidhje me këtë, e vetmja përpjekje për ta sistemuar disi dhe jo heqjen përfundimtare të tyre, është bërë nga shefi i kardiologjisë, profesor doktor Spiro Qirko, i cili ka vendosur në derë të pavijonit një njoftim, përmes të cilit u kërkon firmave farmaceutike që për vendosjen e posterave të reklamave të krijojnë një stendë të veçantë. “Njoftohen përfaqësuesit e firmave farmaceutike dhe të tjerë të interesuar se duke filluar që sot vendosja e posterave për produktet që ato promovojnë ose njoftimet për aktivitetet që ata organizojnë, do të lejohet vetëm në këndin e krijuar për këtë qëllim, brenda pavijonit”, - thuhet në njoftimin e firmosur nga shefi i kardiologjisë, prof. dr. Spiro Qirko. I pyetur nga gazeta, profesori shpjegoi se kjo veprimtari nuk është e ndaluar dhe se njoftimi vjen me qëllimin e mirë për të mos krijuar mbingarkesë të shkresave që vendosen në muret e pavijonit, por të vendosen në një stendë të veçantë.
Reklamat
Burime pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” pohojnë se është e lejueshme vendosja e posterave që njoftojnë kryerjen e ndonjë konference apo aktiviteti, por në mënyrë absolute vendosja e reklamave të ilaçeve nuk është e tolerueshme. Por pavarësisht kësaj, reklamat vazhdojnë të jenë të afishuara nëpër muret e spitaleve dhe pacientët të gjenden përballë një promocioni të dhunshëm.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›