E Diel, 1 Nëntor 2026

Preçi: Amnistia fiskale do të hapë vende të reja pune

Amnistia fiskale është një mundësi shumë ë mirë për të rritur likuiditetin në ekonominë shqiptare, çka do të sillte edhe një shtim të vendeve të punës. Zef Preçi, ekspert i ekonomisë, e sheh ligjin për amnistinë fiskale si një mundësi favorite që i bëhet biznesit, qeverisë dhe më pas qytetarit shqiptar. Në këtë rast biznesi përfiton, sepse shtohet kapitali, qeveria përfiton më shumë të ardhura në buxhet dhe qytetarët nga ana tjetër do të kenë më shumë mundësi punësimi tek privati. Kështu e sheh Zef Preçi skemën e amnistisë fiskale. Por thekon se në hartimin e këtij kuadri ligjor duhet të marrë pjesë edhe vetë biznesi, i cili nëse braktis këtë mundësi, atëherë do të vetëpenalizohet. Preçi thotë se amnistia fiskale lidhet ngushtësisht me thelbin e evazionit që është mospagimi i sigurimeve shoqërore. Ndërsa hyrja dhe ligjërimi i parasë së krimit, sipas tij, është i pamundur, pasi veprimi i ligjit “Antimafia” e parandalon një gjë të tillë. Sipas Preçit, paratë e krimit dhe drogës nuk legjitimohen në asnjë vend të botës.

A është koha për një amnisti fiskale në Shqipëri? Nëse qeveria vendos të miratojë ligjin për amnistitë fiskale, a duhet një konsultim me biznesin që para se të hartohet ky ligj?
-Zbatimi i amnistisë fiskale, sidomos në kohë krizash, si kjo e sotmja ka tendencë, nga njëra anë që qeveria të shtensionojë marrëdhëniet me komunitetin e biznesit, pra të ndjekë një politikë më liberale, në mënyrë që paratë të futen në qarkullimin ekonomik. Biznesi duhet të ndjehet më i lirshëm dhe të tentojë të marrë përgjegjësitë e veta. Pasi në një ekonomi si e jona, që është 80 për qind e privatizuar, fati i punësimit, i të ardhurave buxhetore, i rritjes ekonomike nuk është në duart e qeverisë. Qeveria e ka në dorë ta përmirësojë apo ta përkeqësojë situatën, por kurrsesi nuk përcakton dot kahun e zhvillimit ekonomik. Në këto kushte, pjesëmarrja e komunitetit të biznesit është jetësore. Qeveria duhet të ketë më shumë kurajo t’i vërë emrin që meriton kësaj reforme. Të bashkëpunojë më shumë me komunitetin e biznesit dhe me institucionet financiare ndërkombëtare. Duhet synuar që kjo masë të ketë sukses të plotë. Komuniteti i biznesit, nëse do të evitojë pjesëmarrjen në këtë kuadër ligjor bashkëkohor dhe të konsultuar me institucionet financiare ndërkombëtare, si p.sh., FMN-në, do të vetëpenalizohet. Kjo, pasi ndëshkimet në periudhën e sotme, në epokën e internetit do të jenë të forta. Mundësitë për të mbajtur informalitet të lartë të aktivitetit të biznesit sot janë ngushtuar shumë. Unë pres, mbas kalimit të kësaj mase në gjashtëmujorin e dytë të këtij viti, që të ketë penalizime më të forta për ata sipërmarrës apo qytetarë që evitojnë respektimin e ligjit. Ligji kur shkelet në masë, është vështirësisht i zbatueshëm. Kur mbetet një minorancë, numër i vogël individësh dhe biznesesh që e shkelin atë, ata janë lehtësisht të identifikueshëm dhe të ndëshkueshëm nga ligji.

Si duhet të ndërveprojë qeveria me biznesin për zbatimin e amnistisë fiskale?
-Personalisht kam konstatuar gjatë dhjetë viteve të fundit që ka pasur një përpjekje për të ndërtuar një klimë miqësore me biznesin, sidomos pas krizës së vitit 1997. Kjo traditë ka vazhduar deri në vitin 2006. Çka do të thotë që ndryshimet në kuadrin ligjor i janë nënshtruar një debati të hapur, janë shpallur shumë kohë më përpara dhe përgjithësisht janë bërë efektive së bashku me paketën fiskale, në momentin e miratimit të Buxhetit të Shtetit, pra në fund të vitit fiskal. Në këtë rast, mendoj se ka një lloj nxitimi, ndoshta kryesisht për shkak të politizimit të pritshëm. Gjë që edhe ndodhi, për fat të keq, nga ana e opozitës. Për ironi të fatit, në vitin 1998, kur është prezantuar për herë të parë ideja e amnistisë fiskale, në një konferencë shkencore të organizuar nga Instituti i Studimeve Bashkëkohore dhe Qendra për Kërkime Ekonomike, përkatësisht zoti Genc Ruli dhe unë, me pjesëmarrjen e Presidentit të asaj kohe, z. Meidani, kjo ide është konsideruar edhe nga të huajt si një mundësi për të përshpejtuar futjen e parave në qarkullimin, shtimin e të ardhurave dhe zgjerimin e punësimit. Sfida kryesore e vendit tonë ishte dhe mbetet punësimi. Nga ana tjetër shoh se në kushtet e sotme, opozita e asaj kohe që e kundërshtoi idenë fuqimisht, si një instrument për të legjitimuar paratë e pista, pasurinë e grabitur nga pushtetarët e të tjera si këto, tani është ajo në pushtet që e propozon. Ata që e propozuan në atë kohë për fat të keq e kundërshtojnë sot. Sot unë i kthehem kësaj teme dhe them se amnistia fiskale duhet lidhur ngushtësisht me thelbin e evazionit, që është mospagimi i sigurimeve shoqërore. Politikat fiskale kanë lejuar hapësirë për këtë evazion. Ato kanë ndryshuar herë pas here. Kështu që sot është shumë vështirë që për një sipërmarrës, që deri në vitin 1994 nuk paguante asgjë, që deri në vitin 1996 paguante fare pak, që filloi të paguante aty nga viti 2000, të gjesh burimin e të ardhurave. Por gjatë gjithë kësaj periudhe mospagimi i sigurimeve shoqërore ka qenë shumë i mprehtë. Dihet gjendja e sotme financiare e Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Në këto kushte, qeveria ndërmori vitin e kaluar një masë që u prit keq nga komuniteti i biznesit. Unë personalisht jam kundër ndërhyrjeve shtetërore. Duhen lënë forcat e tregut ta rregullojnë ekonominë dhe jo të ndërhyjë qeveria në rrugë administrative. Rregullimi administrativ më i fuqishëm ka qenë vendosja e pagave të referencës. Këto në thelbin e tyre impononin një deformim të procesit të brendshëm në firmë, të kostove. Në vend që të shtonin të ardhurat për sigurimet shoqërorë, në fakt pagat e referencës shtuan informalitetin. Kjo, sepse shtohej pagesa për njësi, për një punëtor apo punonjës të marrë në punë. Por nga ana tjetër, shtohej edhe numri i atyre që ishin pjesërisht informalë, të cilët kaluan tërësisht informalë. Për shembull, dikush që paguhej pjesërisht me honorare dhe nuk përfitonte sigurime shoqërore kaloi tashmë në pagesën tërësisht me honorare, duke dalë nga skema. Në këto kushte, heqja e pagës së referencës do të ndihmonte. Ndoshta duke pranuar përkohësisht ndoshta edhe një përkeqësim të statusit të të punësuarve. Kjo nuk është një tendencë shqiptare. Po ndodh në vendet perëndimore. Madje unë jam për të vendosur një marrëveshje publike mes punëdhënësve dhe punëmarrësve, duke pasur si garant qeverinë, me qëllim ruajtjen e numrit të punëtorëve aktualisht të punësuar si dhe zgjerimin e punësimit. Ndoshta për këtë është e nevojshme të debatohet në Kuvend, të ketë një konsensus politik sa më të gjerë, si dhe të hiqet sistemi i pagës së referencave, si një atavizëm i periudhës së ekonomisë së centralizuar. Duke filluar nga koha e Depresionit të Madh të viteve 1929-1933 e deri më sot, problemi më i madh i çdo krize ekonomike është papunësia dhe përgjigjja ndaj çdo krize është punësimi.

Z. Preçi, qeveria pranon të amnistojë nga ana fiskale biznesin, por duke konsideruar kapitalin dhe paratë e paregjistruara (ose të regjistruara, por pa dhënë burimin) si fitim dhe duke e taksuar me 10 për qind si tatim fitimi. Ju duket e drejtë kjo?
-Shqipëria është në një situatë krize. Për këtë arsye, ndërmarrja e një amnistie fiskale është një përpjekje për t’i dhënë përgjigje krizës. ǒka do të thotë se po bëhen përpjekje për të kompensuar pakësimin e burimeve që hyjnë në arkën e shtetit nëpërmjet tatimeve dhe taksave ndaj qytetarëve dhe bizneseve. Pra tentohet të shtohen burimet, me qëllim që qeveria të realizojë programin e saj politiko-qeverisës, kryesisht investimet publike dhe shpenzimet operative. Në pikëpamje të madhësisë së taksës së propozuar me rregullimin ligjor të bërë përpara disa ditëve nga Kuvendi, tek Ligji i Procedurave Tatimore, mendoj se ka diskutim. Kjo, pasi nuk di të jetë bërë ndonjë analizë nëse taksa 5 për qind, 10 për qind apo më shumë është racionale në momentin e vendosjes. Duhet të kemi parasysh se përfitimi më i madh është zgjerimi i aktivitetit të biznesit, importimi i teknologjisë, zgjerimi i zënies me punë të njerëzve dhe pastaj vijnë përfitimet që ka buxheti në formën e taksave. Taksa prej 10 për qind nuk besoj se është qëllimi kryesor i kësaj mase, edhe pse qeveria mund të jetë motivuar dukshëm nga nevoja për të pasur para në arkën e saj. Parimi i përgjithshëm i amnistisë fiskale të ngjashme të zbatuara prej më se 100 vjetësh në vendet perëndimore është se sa më e vogël taksa, aq më pak ka përpjekje për t’iu shmangur asaj. Nga ana tjetër, sa më shumë para të futen në qarkullimin ekonomik (nga ato para që janë jashtë sistemit të bankave dhe mendohet të jenë 40 për qind të totalit), aq më shpejt dhe në mënyrë të shëndoshë zhvillohet ekonomia kombëtare.

Kemi pasur më parë raste faljesh ose amnistish fiskale tek ne?
-Qeveria gjatë dhjetë viteve të fundit ka bërë disa herë raste faljesh kamatë-vonesash për detyrimet ndaj sigurimeve shoqërore. Kjo është një formë e amnistisë fiskale. Nga ana tjetër, legalizimi i ndërtimeve të paligjshme është një formë amnistie. Madje një formë e modifikuar rrugës, pasi u nis si instrument përmes të cilit mobilizoheshin kapitalet e fjetura, sikurse thotë Fernando de Sotto. Para paratë përkohësisht të lira, të investuara. Do të sigurohej kështu një e ardhur kolosale. Vlerësimet kanë qenë për rreth 10 miliardë dollarë në buxhetin e shtetit. Mirëpo për shkak të pleksjes së varfërisë me pasojat e krizës ekonomike botërore gjatë dy viteve të fundit, përfitimet ishin modeste dhe qeveria do të duhet ta modifikoje rrugës këtë. Pse nga njëra anë aktivizoi letrat me vlerë të privatizimit, por nga tjetra uli çmimin e legalizimit. Fillimisht legalizimi u mendua jo si instrument për të favorizuar, por si instrument për të mbledhur para dhe për të legjitimuar pronësinë mbi këto troje. Me ndryshimet që u bënë, u ul edhe çmimi.

A ekziston mundësia që tatimori të ushtrojë presion mbi biznesin, në bazë të ligjit “Antimafia”, duke presupozuar se të ardhurat apo kapitali pa deklarim burimi janë nga burime të dyshimta? Nëse po, si mund të zvogëlohet kjo mundësi?
-Duhet të dallojmë qartësisht dy gjëra. E para ligji “Antimafia” reflekton atë shqetësim të politikës shqiptare, por mbi të gjitha të komunitetit ndërkombëtar, të Bashkimit Evropian, ku ne aspirojmë të anëtarësohemi. Shqipëria, për shkak të dobësive institucionale, të funksionimit të shtetit, sidomos pas krizës së vitit 1997, apo edhe që nga fillimi i tranzicionit, ka reflektuar. Çka do të thotë se emërtimi i shqiptarëve si njerëz që kryejnë krime të dhunshme apo janë të përfshirë në trafiqe e ka krijuar këtë imazh dhe ka qenë një presion konstant nga ana e komunitetit ndërkombëtar për një kuadër ligjor dhe institucional, që synon të minimizojë kthimin e vendit tonë në një parajsë fiskale. Ligjin e shoh si masë në drejtimin e duhur, në përputhje me përpjekjet e vendit për t’u anëtarësuar në BE. Nga ana tjetër, ndaj të njëjtin shqetësim me opozitën për sa i takon rrezikut që ky ligj të zbatohet në mënyrë selektive. Disa formulime ligjore që nuk janë përgjithësisht në legjislacionin perëndimor dhe që lënë shteg për interpretim voluntarist, subjektiv të Prokurorisë apo të instancave të tjera që do të merren me zbatimin e këtij ligji, lënë hapësira që ligji të keqpërdoret ndoshta edhe politikisht. Mbetet shumë e rëndësishme në ç’masë qeveria do të bashkëpunojë ngushtë me institucionet jashtë ekzekutivit, kryesisht Prokurorinë, Kontrollin e Lartë të Shtetit, Inspektoratin e Lartë të Deklarimit të Pasurive dhe institucione të tjera të specializuara, duke përfshirë edhe Shërbimin Informativ Kombëtar në muajt që vijnë, me qëllim që të ketë kategorizim dhe qartësim të saktë të parave që vijnë nga burime kriminale. Këto para nuk legjitimohen në asnjë vend të botës. Nuk mendoj që mund të ketë një mendje të çmendur, qoftë edhe në rrethet politike, që do të kërkonte që të legjitimoheshin këto para. As në Kolumbi, që mbahet si vend i drogës, apo në Afganistan, që është prodhuesi më i madh, nuk mendohet që paratë që vijnë nga burime kriminale të fitojnë legjitimet. Ndërkohë, rreziku i kanalizimit të parave të pista në drejtim të parave informale dhe prej këtej në paranë dhe kapitalin formal ekziston në çdo vend të botës. Pra dhe në vendin tonë. Por nuk mendoj se ky është shqetësim kryesor tek ne, pasi ndërtimi i kuadrit ligjor është i tillë, që të inkurajojë ata që janë në biznes në mënyrë të ndershme, që për shkak të ndryshimeve në kuadrin ligjor nuk kanë paguar detyrimet e sigurimeve shoqërore apo iu janë shmangur taksave. Qëllimi i amnistisë ka të bëjë me atë që biznesi të marrë pjesë në këtë amnisti, pasi evitimi i pjesëmarrjes presupozon që në periudhat e ardhshme ky biznes të jetë subjekt i ndëshkimeve të ardhshme nga shteti, të cilat do të jenë shumë më të mëdha sesa 10 përqindëshi që kërkohet sot për t’u derdhur. Nga ana tjetër, një tjetër qëllim ka të bëjë me shtimin e parasë që hyn nëpërmjet bankave. Pra në rrugë formale, ligjore, duke dhënë pjesën e kontributit për shtetin.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›