Mbetësit do të përfshihen në provimet me zgjedhje
11/02/2010 Matura, në fund të muajit shkurt nis plotësimi i formularit A1 për dy provimet me zgjedhje
Mbetësit në dy provimet e detyruara të Maturës Shtetërore për 2010-ën nuk do të përjashtohen nga provimet me zgjedhje. Nëse maturanti nuk arrin të marrë notë kaluese në provimin e matematikës ose atë të letërsisë, do të lejohet që të marrë pjesë në dy provimet me zgjedhje (që do të zhvillohen më 30 qershor), të përcaktuara prej tij në formularin A1. Por ky ndryshim nuk do t’i bëjë ata kurrsesi të jenë garues për në universitete. Kjo, pasi llogaritja e rezultatit final të maturës do të plotësohet nga të gjashtë komponentët e maturës, ku përfshihen katër notat e provimeve, mesatarja dhe llojet e koeficientëve. Megjithatë, rezultatet që këta maturantë do të marrin në provimet me zgjedhje do të jenë të vlefshme për të garuar për pranimet në universitet vetëm një vit më pas. Ndërsa provimi i detyruar, ku ata janë cilësuar mbetës, mund të jepet në sezonin e vjeshtës, që zhvillohet në muajin shtator. Ndonëse nuk janë miratuar ende, për këtë vit është menduar që koeficientët e llojit të shkollës së mesme të mos pësojnë ndryshime.
Formulari A1
Plotësimi i formularit A1 do të jetë kushti kryesor për të zyrtarizuar pjesëmarrjen për pranimet në universitete gjatë vitit akademik 2010-2011. Plotësimi i këtij formulari, ku maturantët e rinj dhe ata të vjetër do të caktojnë dy lëndët me zgjedhje, do të nisë në fund të muajit shkurt. Sipas ekspertëve hartues të maturës, ky formular nuk pritet të ketë asnjë ndryshim krahasuar me atë që është përdorur një vit më parë. Ndërkohë që fazat kohore të plotësimit do të jenë të ndryshme. Kjo, pasi maturantët e vjetër, si dhe kandidatët që kanë mbaruar studimet jashtë vendit, do ta plotësojnë ata në një tjetër kohë nga nxënësit që mbarojnë aktualisht shkollën e mesme. Nxënësit që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë shtetit dhe që nuk kanë dhënë provimet ekuivalente me Maturën Shtetërore (provimet me detyrim D1 dhe D2 dhe ato me zgjedhje Z1 dhe Z2), për t’u pranuar në universitetet tona publike, do të duhet detyrimisht të japin provimet me zgjedhje.
Pranimi
Kanë të drejtë të kandidojnë për të vazhduar studimet në Institucionet e Arsimit të Lartë Publik vetëm nxënësit që vlerësohen kalues në të katër provimet e Maturës Shtetërore (dy provimet e detyruara dhe dy provimet me zgjedhje). Kandidatët që duan të vazhdojnë studimet vetëm në Akademinë e Arteve të Bukura, Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve, si dhe në programin e studimit të Edukimit Fizik dhe Sporteve në universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, mund të konkurrojnë në këto Institucione të Arsimit të Lartë Publik, pa qenë të detyruar të japin provimet e lëndëve me zgjedhje.
Pranimi i maturantëve të para 2005-ës
Të gjithë personat që kanë kryer shkollat e mesme para vitit shkollor 2005-2006 kanë marrë dëftesë pjekurie dhe dëshirojnë të vazhdojnë studimet në shkollat e larta, do të japin dy provimet me zgjedhje. Regjistrimi për provimet me zgjedhje do të bëhet në shkollat ku këta persona kanë kryer shkollën e mesme, si dhe pranë drejtorisë arsimore, nëse ajo shkollë është mbyllur. Në këtë rast, këta persona paraqesin dokumentet e mëposhtme: “Vërtetimin që ka mbaruar shkollën e mesme, shoqëruar me notat e katër ose pesë viteve të shkollës së mesme, lëshuar nga drejtori i shkollës përkatëse, bazuar në regjistrin themelor (amza); kopjen e noterizuar të Dëftesës së Pjekurisë, një kopje të dokumentit të identifikimit të noterizuar (pasaportë ose certifikatë lindjeje me fotografi, lëshuar jo më vonë se tre muajt e fundit, ose letërnjoftim), si dhe kërkesën me shkrim për dhënien e provimit me zgjedhje.