Reforma, shkolla të bashkuara në qytete apo qendra komunash
Dy vjet më parë, ish-ministri i Arsimit, Genc Pollo, kishte deklaruar se shkollat me pak nxënës në fshatra do të mbylleshin dhe se ato do të grupoheshin në qendrat e komunave dhe në qytete. Kjo duket se do të kthehet shumë shpejt në realitet, pasi sipas burimeve nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, tashmë është përcaktuar edhe plani se si do të realizohet ky projekt.
Ndryshimet
Burime konfidenciale nga Ministria e Arsimit bëjnë të ditur se këto ndryshime kanë për qëllim mbylljen e shkollave joefektive dhe me cilësi të ulët, që ekzistojnë në disa zona të vendit me pak nxënës dhe riorganizimin e tyre në shkolla më të mëdha, me më shumë nxënës e më shumë cilësi.
Për këtë arsye janë parashikuar edhe disa kritere për realizimin e kësaj reforme. Ndonëse ende në diskutim, burimet nga MASH bëjnë të ditur se kriteri i parë i vendosur është ai i klasave të plota. Kjo do të thotë se do të bashkohen aq klasa paralele nga shkolla të ndryshme, sa është e nevojshme për të krijuar një klasë të veçantë, në shkollat e reja të bashkuara.
Kriteri i dytë që pritet të përdoret, është ai i largësisë. Burimet nga ministria bëjnë të ditur se në diskutimet e deritanishme është paravendosur që shkollat nëntëvjeçare të mos jenë aq larg nga zona më e largët ku ka nxënës sa të jetë e pamundur transporti i përditshëm i këtyre nxënësve. Kjo do të thotë se kriteri i klasave të plota do të përdoret vetëm në ato raste ku fshatrat nuk janë aq larg me njëri-tjetrin.
Pasojat
Për sa u përket shkollave të mesme, ato do të ndërtohen me konvikte, por sipas burimeve nga ministria, ato përbëjnë problem më të vogël, pasi edhe aktualisht shumica e shkollave të mesme të përgjithshme janë të grumbulluara në zona me mjaftueshmëri nxënësish. Shteti pritet të përballojë financiarisht transportimin apo konviktet e nxënësve.
Nëse kjo reformë do të vendoset në praktikë, atëherë pritet që një sërë shkollash, sidomos në zona të thella të vendit, ku edhe numri i nxënësve është i vogël, të mbyllen. Kjo, sipas ministrisë, por edhe burimeve nga sindikatat e mësuesve e specialistë, është një hap drejt rritjes së cilësisë së shkollave në vend dhe shmangies së fenomenit të mësimdhënies së keqe. Nga ana tjetër, një reformë e tillë do të ulë numrin e mësuesve dhe do të krijojë më pak vende pune në këto zona.
Në çdo rast, reforma në fjalë mbetet ende në nivelin e debatimit dhe pritet të praktikohet vetëm pasi të jetë konsultuar më parë me grupet e interesit.