E Diel, 1 Nëntor 2026

Kermabon për marrëveshjen me Serbinë: “Nuk cënon interesat e Kosovës”



Blerina Olldashi
Kreu i Misionit Europian për Sundim të Ligjit në Kosovë, Iv de Kermabon ka kërkuar një takim urgjent me presidentin Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin Hashim Thaçi, pas reagimeve të këtyre të fundit lidhur me nënshkrimin e një protokolli bashkëpunimi ndërmjet EULEX-it dhe Serbisë. Në deklaratën e tij, Kermabon thotë se ka pasur keqkuptime dhe keqinterpretime lidhur me çështjen e Protokollit për Bashkëpunim Policor që pritet të nënshkruhet ndërmjet EULEX-it dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Ai sqaron se EULEX-i nuk ka nënshkruar dhe nuk mund të nënshkruajë çfarëdo lloj protokolli në emër të Kosovës, por si mision teknik për sundimin e ligjit, EULEX-i mund të nënshkruajë protokolle vetëm në emër të tij dhe për çështjet që lidhen me sundimin e ligjit, sipas marrëveshjes së arritur nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian. Sipas tij, nënshkrimi i marrëveshjeve për bashkëpunim me ministritë përkatëse të rajonit nuk është e pazakontë, pasi marrëveshje të ngjashme janë nënshkruar edhe më Maqedoninë, Malin e Zi dhe Shqipërinë.
“Krimi i organizuar, kontrabanda dhe trafikimi me qenie njerëzore, drogat dhe armët, të gjitha paraqesin krime serioze, të cilat mund të zgjidhen vetëm përmes bashkëpunimit rajonal. Që kriminelët të sillen përpara drejtësisë nevojitet të ketë paraqitje dhe shkëmbim të provave në rajon, ndërsa për ta mundësuar këtë nevojitet krijimi i mekanizmave”,- thuhet në deklaratën e Kermabon. Sipas tij, autoritetet e Kosovës kanë qenë të informuara për të gjitha bisedimet që janë zhvilluar ndërmjet EULEX-it dhe zyrtarëve në Beograd dhe do të vazhdojnë të informohen për të gjitha hollësitë. Në lidhje me këtë vendim, udhëheqësit e Kosovës kanë thënë se EULEX-i nuk mund të nënshkruajë asnjë marrëveshje me Serbinë në emër të Kosovës dhe pa praninë e Prishtinës, duke nënvizuar se roli i këtij misioni është mbështetja dhe mbikëqyrja e institucioneve të vendit e jo zëvendësimi i tyre. Ndërkohë ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç, ka deklaruar se teksti i protokollit për bashkëpunim policor në mes të EULEX-it dhe Serbisë është afër përfundimit dhe se shpejti do të nënshkruhet nga palët. Sipas tij, nënshkrimi i këtij protokolli do të bëhet mbi bazën e rezolutës 12 44 të OKB-së dhe ai është i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në Kosovë e në pjesë të tjera të Serbisë. Ministri Daçiç ka theksuar se shqiptarët kanë shprehur pakënaqësinë e tyre, meqë nuk do të jenë palë nënshkruese të protokollit.

20 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›