E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pazaret e drogës, një i vrarë e dy të plagosur

Gazeta Shqip

Sarandë

Vritet Ardi Beqiri pas një sherri në lokal. Policia dyshon për një zënkë për trafikun e hashashit

Autori - Njëri prej autorëve, sipas dëshmitarëve, me moshë rreth 30 vjeç ka dalë i pari nga makina dhe është futur brenda në lokal 

Konflikti - Nipi i viktimës që ka replikuar ashpër me një delvinjot disa orë më parë, në momentin e acarimit është shmangur nga goditja e agresorit

Një ngjarje e rëndë dhe tepër enigmatike që ka përfunduar me vdekjen e një personi dhe plagosjen e dy të tjerëve. Ngjarja ka ndodhur pasditen e së premtes, në fshatin Gjashtë, dy kilometra në të hyrë të qytetit të Sarandës. Pas një sherri në lokal, Ardi Beqiri ka humbur jetën, si pasojë e predhave që e kanë prekur në bark. Vrasja, motivet e së cilës janë ende të paqarta për policinë, është regjistruar rreth orës 15:30, te kafja Ardi në një nga rrugët kryesore të fshatit Gjashtë në afërsi të shkollës 9-vjeçare Shefqet Sulejmani dhe në prani të banorëve të fshatit. Sipas disa dëshmitarëve në vendngjarje, një autoveturë me targa italiane ka qëndruar para lokalit, brenda të cilës ndodheshin dy persona. Njeri prej tyre, sipas dëshmitarëve, me moshë rreth 30 vjeç ka dalë i pari nga makina dhe është futur brenda në lokal.

Fillimisht i porsaardhuri ka bërtitur dhe është grindur me fjalë me një person që ndodhej në lokal. Më pas ka nxjerrë një armë zjarri më të cilën ka qëlluar mbi pronarin e lokalit, që mendohet se nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë më personat në konflikt. Goditja me armë ka qenë e drejtpërdrejtë dhe plumbat, që paraprakisht nga policia thuhet se kanë qenë tri të shtëna, e kanë marrë pronarin e lokalit, 40-vjeçarin Ardi Beqiri në bark, duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme. Ende në rrethana të panjohura për policinë, mësohet se, njëkohësisht me vrasjen e Ardi Beqirit, janë plagosur edhe dy persona të tjerë që në ato moment gjendeshin në lokal, të cilët nuk kanë lidhje me konfliktin.

Dëshmitarë në vendngjarje, që nuk dëshirojnë të identifikohen, kanë bërë të ditur se nipi i viktimës, është konfliktuar disa orë para ngjarjes me agresorin, (që sipas tyre ka të ngjarë që të jetë një trafikant nga Delvina) për çështje të prishjes së pazareve për ngarkesat me marijaunë të ardhura nga Lazarati në drejtim të Delvinës, e mandej në Greqi përmes rrugëve detare dhe tokësore. Sipas tyre, nipi i viktimës, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, që ka replikuar ashpër me një delvinjot disa orë më parë, në momentin e acarimit është shmangur nga goditja e agresorit, goditje e cila nuk dihet ende në çrrethana ka rënë mbi dajën, që është edhe viktima që humbi jetën në këtë ngjarje. Mësohet gjithashtu se arma me të cilën vrasësi misterioz ka realizuar vrasjen dhe plagosjet është kallashnikov, ndërsa thuhet se viktima sipas dëshmitarëve ka ngelur i pajetë poshtë një prej tavolinave të lokalit.

Pas vrasjes së pronarit të lokalit dhe plagosjes së dy qytetarëve, që ndoshta nuk kishin asnjë lidhje me konfliktin midis viktimës dhe vrasësit, autori është rikthyer në automjetin me të cilin kishte ardhur pak minuta para ngjarjes dhe ku e priste një person tjetër. Ai është larguar me shpejtësi në një drejtim të paditur. Sipas burimeve paraprake nga policia, të plagosurit janë Ferdinand Xhango, 32 vjeç, nga fshati Gjashtë dhe Orest Ziflaj, 31 vjeç, nga Delvina.

Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor, që ka nisur dokumentimin e provave në territorin ku është kryer vrasja e Ardi Beqirit dhe plagosja e dy personave të tjerë. Mësohet gjithashtu se dy të plagosurit janë transportuar në spitalin e Sarandës dhe se pas kontrollit dhe mjekimit ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Policia e Sarandës, e cila u ndodh menjëherë në vendngjarje, ka nisur hetimin për të zbardhur shkakun e kësaj ngjarjeje dhe për të identifikuar autorin.

Pronari i lokalit, viktimë e këtij atentati, Ardi Beqiri, me njërin prej të plagosurve kishte lidhje familjare, pasi e kishte nip. Mësohet gjithashtu se objekt i atentatit ishte nipi, por daja është bërë mburojë për nipin e tij, i cili nuk ka pësuar asnjë lëndim gjatë aktit të vrasjes. Ndërsa për personin e dytë të plagosur mendohet se ka qenë një klient i zakonshëm që nuk kishte lidhje as me ngjarjen, as me viktimat e tjera. Zëra të pakonfirmuar nga banorët e fshatit Gjashtë thonë se ka gjasa që ngjarja të ketë të bëjë me larje hesapesh për prishjen e pazareve për trafikun e drogës.

Mësohet se askush nga dëshmitarët në vendngjarje, nuk ka mundur të japë detaje për identifikimin e autorit të vrasjes dhe bashkëpunëtorit të e tij. Ndërsa në spital, mësohet se të lënduarit u janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale dhe janë jashtë rrezikut për jetën, Policia e Sarandës, ka qëndruar hermetike në dhënien e informacionit për këtë ngjarje. Ç.J.

Vrasja - Autori ka qëlluar me breshëri kallashnikovi. Viktima Ardi Beqiri, pronari i lokalit, ka mbuluar me trup objektivin e atentatorëve, nipin e tij

Plagosjet - Të plagosurit janë Ferdinand Xhango, 32 vjeç, nga fshati Gjashtë dhe Orest Ziflaj, 31 vjeç, nga Delvina, të cilët nuk ishin objekt i atentatit

Pazaret e drogës, një i vrarë e dy të plagosur burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›