E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitet lokali i lojërave të fatit

Persona të panjohur hynë në sallën e "bixhozit" si lojtarë dhe më pas morën që andej paratë e xhiros. Vidhet me dhunë një lokal tjetër


TIRANË- Dy vjedhje të ndryshme me dhunë dhe me armë u regjistruan dje nga policia e kryeqytetit, ku një sallë lojërash fati dhe një lokal tjetër u grabitën nga persona të pa identifikuar. Ngjarja e parë ndodhi dje në orët e para të mëngjesit në të gdhirë, ku një lokal lojërash fati që ndodhet në rrugën e "Elbasanit", pranë Ambasadës Amerikane u grabit nga dy persona që fillimisht kishin hyre si lojtarë brenda në lokal, duke marrë nga aty një shumë prej 400 mijë lekësh të vjetra.


Nga të dhënat e policisë së kryeqytetit mësohet se grabitësit kanë hyrë fillimisht për të luajtur me kompjuterat e sallës dhe kanë humbur një pjesë të parave të tyre. Por pasi kanë lënë një sasi lekësh aty, kanë nxjerrë armën, duke kërcënuar punonjësin e sallës që të dorëzonte leket që gjendeshin në arkë.


Nën kërcënimin e armës, grabitësit kanë arritur që të marrin 400 mijë lekë të vjetra dhe më pas janë larguar më shpejtësi për t'i shpëtuar arrestimit të policisë. Pas grabitjes është lajmëruar policia, e cila ka mbërritur në vendngjarje për të nisur hetimet për identifikimin e personave që realizuan grabitjen nën kërcënimin e armës.


Oficerët e policisë kanë marrë informacione nga punonjësit e lokalit që ra pre e grabitësve për të bërë të mundur identifikimin e autorëve të ngjarjes.


Punonjësi i lokalit është pyetur për karakteristikat e personave që realizuan grabitjen mëngjesin e djeshëm dhe për mënyrën e realizimit të grabitjes. Ngjarja tjetër ka ndodhur në bulevardin "Zhan Dark", pranë Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë, ku një lokal u vodh me dhunë nga persona të identifikuar nga forcat e policisë.


Ngjarja fillimisht ka nisur si një konflikt mes disa personash, por që ka përfunduar me vjedhjen me dhunë të lokalit. Pas përplasjes dhe vjedhjes me dhunë është njoftuar policia, dhe në vendin e ngjarjes kanë mbërritur efektivat e komisariatit të policisë nr. 1 për të hetuar shkaqet e konfliktit që përfundoi me vjedhjen me dhunë të një lokali.


Policia ka marrë disa dëshmi nga personat që kanë qenë prezent në momentet e ngjarjes, për të zbuluar arsyet e konfliktit që u mbyll edhe me vjedhjen me dhunë të lokalit në bulevardin "Zhan Dark". Për të dy ngjarjet e djeshme, Policia e kryeqytetit ka nisur hetimet për të identifikuar dhe kapur autorët e grabitjeve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›