Pazari i vjetër, ku tradita vijon të çmohet
GJIROKASTËR/ "Është lagjja më e vjetër e qytetit të Gjirokastrës. Ka marrë emrin "Pazar i Vjetër", sepse në fillim pazari ka qenë në kala dhe më pas erdhi poshtë. Ishte e përbërë prej myslimanësh e të krishterësh.
Ne nuk kishim dallim nga feja, si një familje, të gjitha të kremtet, pashkët, bajramet do t'i festonim së bashku", rrëfen Marika Maliko
GJIROKASTËR- Lagjja e parë e qytetit e krijuar fill pas daljes së banorëve nga kështjella e Gjirokastrës u emërtua "Pazari i Vjetër". Edhe pas shumë shekujsh ekzistence të saj, banorët, një pjesë e mirë autoktonë, vazhdojnë të ruajnë si traditën dhe vlerën më të çmuar, bashkëjetesën ndërmjet tyre.
Marika Maliko është 85 vjçe dhe të tetë dekadat e gjysmë që mban mbi supe i ka kaluar në këtë lagje, pa menduar asnjëherë për t'u larguar prej andej. Madje, kur i duhet të lëvizë në qytete të tjera, mezi pret të kthehet në "Pazarin e Vjetër", për të cilin nuk e fsheh krenarinë.
"Është lagjja më e vjetër e qytetit të Gjirokastrës. Ka marrë emrin "Pazar i Vjetër", sepse në fillim pazari ka qenë në kala dhe më pas erdhi poshtë. Ishte e përbërë prej myslimanësh e të krishterësh. Ne nuk kishim dallim nga feja, si një familje, të gjitha të kremtet, pashkët, bajramet do t'i festonim së bashku. Kishim një dashuri të jashtëzakonshme.
Shtëpia jonë ishte më e vjetra e lagjes dhe e qytetit rrjedhimisht, daton në vitin 1476, është e shkruar edhe në mur, thonë që ka qenë shtëpia e Kapo d'Istrias; u dogj në 1957-n së bashku me disa shtëpi të tjera.
Familjet më të vjetra janë Mezinate, Shapllo, Manush Karalliut, Abdul Hoxhës, Litanje, Papadhopulli, Godenjavle, Mukajve, Lilajve etj. Këto kanë qenë të parat që e ndërtuan lagjen. Ka qenë lagjja më e pastër dhe intelektuale. Nuk kishte njeri nga të gjitha familjet që të mos ishte me shkollë të lartë apo që ta ndiqte", tregon Marika.
Në oborrin e shtëpisë ku mbizotëron qetësia dhe lulet, Marika rrëfen edhe keqardhjen për humbjen e disa elementeve të vjetra, si marrëdhëniet më tej se vëllazërore apo edhe të pastërtisë.
"Pothuaj të gjitha familjet kanë ikur. Kanë mbetur vetëm 5 familje autoktone. Mirë shkojmë, po më shumë nuk gjen njeri. Kurse pastërtia është përtokë. Dikur të parat lanim portat dhe rrugicat, edhe pse na mungonte uji. Tani i hedhin mbeturinat nga penxheret, i lënë përpara portave", thotë ajo.
Por, pavarësisht ndryshimit të brezave, traditave dhe madje edhe fqinjëve, Marika nuk dëshiron të largohet nga lagjja "Pazar i Vjetër" për asnjë ditë. "Këtu linda, këtej duhet të dal kur të vdes", shprehet ajo. Dhe në fakt, nuk është e vetmja që është e lidhur ngushtë me zonën ku jeton. Kjo ndjenjë vihet re edhe te banorë të tjerë.
Në banesën e Stefan Arsenit, një oaz qetësie, ku të vetmet zhurma janë cicërimat e zogjve, janë të shumta veprat, kryesisht në pikturë që kanë në fokus të tyre "Pazarin e Vjetër". Ka "gërmuar" për historinë e lagjes, ku familja e tij jeton prej të paktën 3 brezash dhe ka arritur të mbledhë disa të dhëna interesante.
"Evliah Çelebiu, në vitin 1672 bëri një udhëtim në zonat e jugut dhe thotë: "Kur zbret nga porta e kalasë, e cila shikon nga lindja dhe zbret poshtë është një lagje e vogël e krishterë, "Varoshi i kalasë".
Kjo lagje e krishterë ka pasur rreth 200 shtëpi dhe rreth 40 dyqane. Është një lagje e vogël, me shtëpi dykatëshe, me oborre, por nga ndërtimi arkitektonik dhe peizazhit, shquhet në gjithë qytetin".
Po t'i referohemi pak historisë, kalaja ka qenë gjithnjë fillesa dhe bërthama kryesore e qytetit. Fill pas asaj u zhvillua "Pazari i Vjetër", që ishte edhe qendër urbane, ku ishte vendosur edhe administrata. Pas një shekulli, në vitin 1774 është ngritur edhe kisha e parë, që është ende e tipit bazilikan.
Po ta shohësh në kënde të ndryshme, lagjja "Pazar i Vjetër" të jep pamje të ndryshme për shkak të vendosjes së saj në një terren mjaft të thyer. Më vonë, në fillim të shekullit XVII filloi ndërtimi i Pazarit të Ri, ku u vendosën më pas qendra urbane, administrata dhe institucionet fetare.
Një gjë e vçantë është bashkëjetesa ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve, të cilët në bazë të një kodi të pashkruar jetojnë në një miqësi të çuditshme dhe asnjëherë objektet fetare nuk kanë përbërë primarin. Për shekuj të tërë kanë bashkëjetuar dhe vazhdojnë sot e kësaj dite në këtë mënyrë", shprehet Stefan Arseni.
Pazari i Vjetër
Një rrugë me kalldrëm, prej nga mund të shkosh edhe në portën veriore të kalasë, të çon drejt lagjes "Pazar i Vjetër". Në kryqëzimin që ndan atë me rrugën që të çon drejt lagjes "Manalat" ndodhet një shesh i vogël, i njohur si "Sheshi i Pasha Kaurit" (një nga të rrallët pashallarë që ishte i krishterë). Më tej përmes një rrugice ngrihen banesat.
Rrugica të ngushta, të shtruara me gurë e në pjesën më të madhe të lyera anash me gëlqere janë degëzimet e lagjes, me ndërtime interesante, duke filluar nga objekti i parë fetar i krishterë e deri te konsullata e parë greke që ka funksionuar në Gjirokastër. Është lagjja e ish- tregtarëve. Gjithsesi, dokumentet historike për lagjen e parë janë të pakta.
Historiania Teuta Kallajxhi thotë se "Gjirokastra për herë të parë pëmendet në vitin 1336 nga historiani Johan Kantakuzen, me emrin Argjirokastro. Në vitin 1672 kalon kronikani dhe udhëtari turk Evliah Çelebiu, i cili flet për qytetin dhe pazarin. Sipas dokumenteve të kësaj periudhe mësojmë se deri në fundin e shekullit XII qyteti ishte vetëm brenda kalasë dhe nuk kemi banorë jashtë këtij rrethimi.
Përsëri nga dokumentet e kohës mësojmë që kur numri i banorëve brend kalasë u rrit me rreth 200 familje, një numër relativisht i madh, atëherë nisën të dalin jashtë mureve dhe të ndërtohen shtëpitë e vjetra, që i takojnë lagjes "Pazar i Vjetër".
Ky Pazar ka filluar të ndërtohet rreth fundit të shekullit XIII dhe Çelebiu (udhëtar dhe gjeograf njëkohësisht) e përshkruan kështu: "Nga veriu i kalasë, ndënë mure, është pazari i kalasë ku janë 40 dyqanka dhe çdo natë mbyllej nga roja (postvani)". Nga vetë ndërtimi që ka lagjja "Pazar i Vjetër", një rrugicë anës së cilës qëndrojnë ndërtesat, tregon që ka shërbyer edhe si Pazar për qytetin e ri që po ndërtohej".
Rrugët janë të qeta, ndërsa një pjesë e portave hijerënda, ku nuk mungojnë as simbolet e gdhendura, të mbyllura me drynë të mëdhenj. Të krijohet përshtypja se hapja e secilës prej tyre do të të përballë me një pjesë të historisë rreth 600-vjçare, që edhe pse jo e shkruar, vjen e gjallë përmes rrëfimeve jetësore, të atyre njerëzve që e dashurojnë "Pazarin e Vjetër" Fizionomia e ndërtimit të Gjirokastrës, me lagjet e ngritura njëra pas tjetrës, nxjerr në pah elementet e vçanta dhe të përbashkëtat.