E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy objekte të ëmbla

Arkitekturë / Trekëndëshi që krijohet ndërmjet Urës së Tabakëve dhe Urës së Lanës, përfshin një ansambël nga më të veçantët në Tiranë.


Vlerat e godinave shfaqen ngadalë si në një film neorealist. Janë një koleksion me arkitekturë racionale, futuriste, gotik i vonuar dhe dekoart


Në Rrugën "George Bush", fare pranë urës së vjetër të Tabakëve, është gati ëe përfundim një banesë katërkatëshe me dy kate shërbime nën tokë.


Ngritjen e saj e kam ndjekur me vëmendje që në fillim sepse zona ku është ngritur është një kolazh special stilesh dhe kohësh të ndryshme, që nga viti '20 deri në 2010.


Kështu kemi një banesë trekatëshe me një kat dyqane me projekt italian veshur me kotanova, pastaj vjen godina e Komunitetit Mysliman e restauruar kohët e fundit me një vitrazh floreal në qendër që bije në sy, pastaj vjen Biblioteka e Vjetër me një hark impresionant, me volume të thyera me një çati që merr vlera të veçanta për konstruksionin e saj të komplikuar, dhe ato ballkone që dalin si të renditur për fjalime me nga një volum sipër tyre paralelpiped.

Nga ana tjetër kemi ish-pallatin Mbretëror (tani Instituti i Ish-të Përndjekurve Politikë), Lulishtja 1 Maji, një banesë gati e padukshme seli e disa partive me siguri patriotike; dhe së fundi Hotel Monarku.


Këtë trekëndësh special e mbyllin dy ura, njëra e vjetër dhe tjetra e re: ajo e Tabakëve dhe Ura e Lanës, njëra e kohës së Turqisë dhe tjetra e kohës së Italisë. Është e vetmja pjesë e Tiranës që ruan akoma frymën e shtetit të ri shqiptar të viteve njëzetë.
Pra i gjithë ansambli është nga më të veçantët në Tiranë.


Kjo shëtitore e vogël është një nga vendet më impresionuese, me një rrugë që vjen duke rënë me butësi. Ose dhe e kundërta: kur vjen nga poshtë vlerat e godinave shfaqen ngadalë si në një film neorealist.


Janë sikurse e pamë një koleksion me arkitekturë racionale, futuriste, një gotik i vonuar dhe një dekoart.


Zgjidhja e dy banesave të ndërtuara vitet e fundit, ishte ajo që mbyllte trekëndëshin arkitekturor. Kjo është dhe arsyeja pse e kam ndjekur me vëmendje ecjen e punimeve që në fillim dhe rezultatin përfundimtar.


Gëzohem që të dyja si "Monarku" dhe "Kastrati" (po shënoj emrin e investitorit, përderisa objekti akoma nuk ka një emër) e pasurojnë këtë enciklopedi të vogël.
"Monarkun" e ka projektuar Ark.


Klement Kolaneci, kurse "Kastratin" Ark. Anila Katundi.
Në këto raste është e vështirë të vendosësh, sidomos për fasadat, por projektuesit u munduan dhe arritën të balancojnë ansamblin si nga pikëpamja volumore ashtu dhe për nga vlerat e secilit objekt.


Aq me tepër që tentativa të tilla po bëhen shpesh në Tiranë por jo gjithmonë me sukses. Problemi është tipologjik. A do të bësh një "back" në kohë, "copy" në stil, apo do të bësh "nouveau".


Pastaj vështirësitë shtohen në zbatim, veçanërisht me ndërmarrjet tona të zbatimit që nuk pranojnë detaje të tilla. Pra kemi problem si në anën konceptuale - projektuese, ashtu dhe atë të zbatimit.


"Monark" është një trajtim i lirë i klasicizmit të vonë të shek. XIX, kurse "Kastrati" është një fantazi mesjetare. "Monark" është më e thjeshtë kurse "Kastrati" më e komplikuar.
Edhe në kohën e partisë dhe të arkitekturës socialiste nuk patëm një objekt me kaq detaje dhe kaq precizion.


Sigurisht që tani mundësitë teknike dhe gama e materialet janë më të mëdha, dhe të shumëllojshme, por projektuesit e kanë ndjekur me kujdes dhe përkushtim çdo detaj.


Mbi dyqanet shihen një varg Kariatidesh, kurse anash ballkonit dy statuja reliev: Gjin Bue Shpata dhe Gjergj Ballsha II.


Planimetritë janë të ngjeshura dhe me një shfrytëzim maksimal të sipërfaqes.
"Monark" është hotel-bar-restorant dhe ka gjithashtu salla konferencash si dhe dyqane.
"Kastrati" ka dyqane, studio dhe sipërfaqe banimi.
Në furinë moderne të projekteve në Tiranë këto të dyja janë si dy të ëmbla në tavolinë.


*****************************

Shpikjet e Da Vincit në kalanë e Gjirokastrës

Gjirokastër - Nga kështjella "Acaya" Lecce , shpikjet e Leonardo da Vincit të ndërtuara nga artisti Giuseppe Manisco, zhvendosen në kalanë e Gjirokastrës, në një ekspozitë që vjen për herë të parë.


Projektet e 40 shpikjeve më të mëdha të gjeniut italian, ndërmjet të cilave gurëhedhës, lupë diellore për djegien e anijeve, aparat për matjen e erës, parashutë, peshore, top me fitil, shkallë për mbrojtjen e kështjellës, makinë korrjeje, makinë për pastrimin e ajrit etj., të ekspozuara në mjediset e Galerisë së Arteve "Gjin Zenebishi" kanë ardhur si rrugë për dhënien e një vazhdimësie historike e skenografike dhe nga ana tjetër, si kontribut për autoritetet lokale e qendrore të Gjirokastrës, në sektorin e turizmit.


"Ideja e kësaj ekspozite lindi nga takimi në tetorin e shkuar në Vlorë me artistin Giuseppe Manisco gjatë "Javës së gjuhës italiane nëpër botë". Leonardo Da Vinci është artisti më i famshëm italian në botë. Kur përmendet emri i tij çdokush kalon nëpër mend "Xhokondën" ose "Darkën e fundit".


Por, jo të gjithë e njohin shumëllojshmërinë e veprave të prodhuara nga gjeniu i Rilindjes. Ai është piktor, skulptor, arkitekt, inxhinier, shkencëtar dhe shpikës.


Makineritë e da Vincit shfaqin kuriozitet dhe na frymëzojnë për të ndërtuar veprat të reja në kohët moderne", shprehet bashkërealizuesi i ekspozitës, arkitekti Simone Mazzetti.


Ndërkohë për arkitektin Giuseppe Manisco, "Kjo ekspozitë ka për qëllim të nënvizojë dhe të dëshmojë jo vetëm personalitetin e Da Vincit, por edhe kulturën rilindase italiane, mbi të cilën lindi dhe u rrit kultura evropiane", shprehet bashkërealizuesi i ekspozitës.


Sipas tij "makineritë" e Leonardo Da Vinçit u krijuan nga verifikimi direkt i fenomeneve natyrore, nga eksperienca e të vepruarit, si dhe nga aftësia e riprodhimit.


Çelja e ekspozitës "Makineritë e Leonardo da Vincit" u mbështet nga Konsullata e Përgjithshme e Italisë në Vlorë, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Ministria e Arsimit e Shkencës, në kuadër të aktiviteteve "Dy popuj, një det, një miqësi".


Pas prezantimit në qytetin e Gjirokastrës, ekspozita zhvendoset në Tiranë, në Akademinë e Arteve ku do të qëndrojë e hapur 19-22 maj.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›