E Shtunë, 31 Tetor 2026

P/buxheti 2012, misioni i FMN-së pritet të mbërrijë në Tiranë

TIRANE- Diskutimi për projektbuxhetin e shtetit për vitin 2012, rikthen në Tiranë ekipin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, pas vizitës së fundit në muajin qershor, kur u bë edhe rishikimi i buxhetit për vitin 2011.
Sipas burimeve nga Ministria e Financave, misioni i FMN-së, i kryesuar nga Gerwin Bell, do të mbërrijë në fund të muajit në Shqipëri.
Grupi i punës do të kryejë një sërë takimesh, duke nisur me ministrin e Financave, Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë dhe më pas me Komisionin Parlamentar për Ekonominë dhe Financat.
Në fokus të vëzhgimit, Fondi Monetar Ndërkombëtar do të ketë stabilitetin makroekonomik, konkretisht deficitin buxhetor, shpenzimet, borxhin publik dhe taksat.
Misioni i FMN-së vjen me status tjeter, atë të vëzhguesit mbi parametrat ekonomike te vendit. Aktualisht, raporti mes Shqiperisë dhe Fondit Monetar është në kuadër të marrëveshjes IV, që konsiston në vlerësuesin e gjendjes ekonomike dhe më pas në çertifikimin.
FMN e mbylli misionin në janar 2009, duke u dhënë fund marrëveshjeve të financimit. Pas mbylljes së marrëveshjes së mëparshme PRGF, Fondi nuk mund të kushtëzojë më qeverinë shqiptare te financimet.
Ministria e Financave prej gati 2 muajsh ka nisur punën për hartimin e draftit për buxhetin e shtetit për vitin 2012. Ende nuk janë bërë publikë shifrat e këtij buxheti, por Kryeministri Sali Berisha e ka vlerësuar këtë projektbuxhet si më të madhin në historinë e vendit, destinuar për investime në infrastrukturë, turizëm dhe politika sociale. Drafti i përfunduar nga ministria e Financave ka mbërritur të premten në Këshillin e Ministrave për shqyrtim.

(d.b/ATSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›