Peci kthehet në atdhe, motra: Nuk na besohej se ishte gjallë

Zamira Mulaj dje në Rinas Foto: Vlasov Sulaj
Zamira Mulaj: Pas lajmit të rëndë, e besova që jetonte kur fola me të.
Nëntetari Aleksandër Peci u kthye dje shëndosh e mirë në atdhe, por lajmet kontradiktore që familja e tij mori mbrëmjen e 20 shkurtit 2012 nuk harrohen lehtë. Motra e tij e madhe, Zamira Mulaj, e cila jeton në Greqi, është nisur me urgjencë sapo është njoftuar që i vëllai ishte vrarë, por edhe pse disa minuta më pas e kanë lajmëruar se informacioni i dhënë nga Ministria e Mbrojtjes nuk është i vërtetë dhe ai ishte ende gjallë, ajo ende nuk e besonte.
Si ndjeheni tani që prisni të takoni vëllain tuaj?
Është një gëzim që nuk di as vetë si t’jua përshkruaj. As unë dhe asnjë prej pjesëtarëve të familjes sime nuk kemi qenë ndonjëherë më të lumtur se sot. Sot (dje) në mbrëmje kemi menduar të bëjnë një festë të madhe në shtëpi për kthimin e Aleksandrit. Sapo kanë marrë vesh lajmin e mbërritjes së tij, siç e shihni edhe vetë, kanë ardhur të gjithë të afërmit dhe miqtë e tij dhe po presim me padurim që ta shohim e ta takojmë.
Sipas informacioneve që kemi, Aleksandri do të transportohet në Spitalin Ushtarak…
Po, jemi vënë në dijeni edhe ne. Pavarësisht se gjendja e tij shëndetësore është mjaft e përmirësuar, edhe për disa ditë ai ka nevojë të qëndrojë nën kujdesin e mjekëve. Na kanë thënë që duhet të qëndrojë i shtruar edhe për 10 ditë në spital. Por, e rëndësishme është që tani do të jetë këtu dhe ne do të kemi mundësi që ta takojmë dhe t’i rrimë pranë.
Keni komunikuar gjatë këtyre ditëve me vëllain tuaj?
Po, po, pothuajse çdo ditë. Me telefon, nga interneti, flisnim vazhdimisht me të. Na mbante në kontakt gjithmonë, duke na treguar se si ishte me shëndet. Na tregonte se ishte përmirësuar ndjeshëm dhe madje edhe se kur do vinte, ashtu siç na tregoi mbrëmë (të mërkurën).
Si ndjeheni tani që Aleksandri komunikon me ju, është jashtë çdo rreziku për jetën, në një kohë që lajmi i parë që ju erdhi fliste për vdekjen e tij?
Ajo natë kur na lajmëruan për vdekjen e Aleksandrit ishte më e tmerrshmja. Hidhërim të tillë nuk kam përjetuar ndonjëherë. U nisa menjëherë nga Greqia për të ardhur pranë prindërve të mi, pasi unë jetoj me familjen time jashtë vendit. Ndërsa tani që ai po kthehet te ne shëndosh e mirë, ashtu siç ju thashë edhe në fillim, është lumturia më e madhe për ne. Nuk di si t’jua përshkruaj.
Pasi ju njoftuan që informacioni për vrasjen e Aleksandër Pecit ishte i gabuar dhe se ai ishte ende në jetë, çfarë përjetuat në ato momente?
U mërzita edhe më shumë. Nuk arrija ta besoja, mendoja se thjeshtë po na gënjenin që të mbaheshim të fortë. Si mund ta besoja një lajm të dytë që ishte i kundërt me të parin? Ishte shumë e rëndë, sepse kur dikush të jep lajmin e vdekjes për një person, e mendon mirë para se ta thotë dhe ne këtë menduam. Si ka mundësi që është lajm i pavërtetë. Sinqerisht unë vazhdoja të mos e besoja, derisa komunikuam vetë me Aleksandrin.
Pritje në Aeroport për Aleksandër Pecin
Nëntetar Peci shkel në atdhe: Ngushëllime familjes së VoglitNëntetari Aleksandër Peci
“U shpreh edhe njëherë ngushëllime familjarëve të kapitenit Feti Vogli. Shëndeti im tashmë është shumë i mirë, ndjehem shumë i lumtur që jam gjallë në Shqipëri”. Me këto fjalë iu drejtua mediave nëntetar Aleksandër Peci, pas mbërritjes në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Nëntetar Peci, i plagosur në Afganistan më 20 shkurt të këtij viti, pas një sulmi të një polici afgan, mbërriti dje në orën 14:30, në aeroportin “Nënë Tereza”. Pranë aeroportit e prisnin prej disa orësh familjarët, të afërmit, miqtë dhe kolegët, sapo kishin mësuar lajmin e mbërritjes së tij në atdhe. Aleksandër Peci zbriti nga avioni me të cilin kishte udhëtuar drejt Shqipërisë dhe u drejtua tek ambulanca që e priste për ta transportuar drejt Spitalit Ushtarak. Kur familjarët e tij e shihnin nga larg që Peci po ecte me këmbët e tij, lumturia ishte edhe më e madhe, pasi nuk kishin më asnjë dyshim që tashmë Aleksandër Peci ishte më mirë. Pas një terapie intensive që iu bë në Spitalin Amerikan të bazës ajrore të Bagramit, në veri të Kabulit dhe pastaj në Spitalin Ushtarak Amerikan në Landstuhl, në Gjermani, u rikthye në atdhe në gjendje mjaft të mirë shëndetësore. Ai u prit në aeroportin “Nënë Tereza” nga familjarët e tij dhe një grup ushtarakësh të Forcave të Armatosura. Më pas me një autoambulancë dhe nga një ekip mjekësh u shoqërua për në Spitalin Ushtarak në Tiranë, ku iu krye një kontroll i plotë mjekësor.
ETLEVA DELIA
