E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhduket nëna e 3 fëmijëve, në shtëpi një thikë me gjak

Pallati i familjes Rexhmati në Kukës

KUKES/ Dyshimi i parë për rrëmbim pas grabitjes. Asnjë dëshmi për ngjarjen.

Zhduket në rrethana misterioze një 38-vjeçare nga qyteti i Kukësit. Fllanza Rexhmati, nënë e tre fëmijëve, nuk është gjetur në banesë që prej mesditës së djeshme. Një thikë me gjak dhe 300 mijë lekë të marra nga shtëpia kanë tronditur familjen e saj, fqinjët, ndërsa e gjithë Policia e Kukësit është në këmbë për të gjetur gruan. Pista e parë e ngritur është ajo e grabitjes e më pas rrëmbimin e gruas e paralelisht me të janë hedhur dhe dyshimet e tjera. Gjithsesi, fakti është se Fllanza nuk është gjetur deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme. Familjarët janë të shokuar nga kjo humbje e papritur e njeriut të tyre, kur nuk kishin asnjë grindje apo problem me njeri.
Ngjarja
Rreth orës 13:00, njëri prej djemve të Lavdrim Rexhmatit është kthyer në shtëpi pas mbarimit të mësimit dhe ka hapur derën. Ai ka parë për të ëmën, por nuk e ka gjetur në shtëpi si zakonisht, pasi 38-vjeçarja ishte shtëpiake. Pa i shkuar mendja për ndonjë gjë të rëndë, ai ka shkuar te të afërmit e tij dhe në lagje, por më kot. Më pas ka ardhur dhe vajza e madhe, 17-vjeçare, nxënëse në vitin e dytë të gjimnazit Havzi Nela, në qytetin e Kukësit dhe nuk ka gjetur mamanë. Në shtëpi ata kanë gjetur diku afër dritares një thikë me ca shenja gjaku dhe jelekun e së ëmës. Menjëherë është dhënë alarmi në polici dhe të afërm të shumtë e uniforma blu kanë mbërritur në shtëpinë e tyre, në katin e parë të pallatit numër 5, në qendër të qytetit të Kukësit. Familjarët kanë konfirmuar për policinë se në shtëpi mungonin 300 mijë lekë të rinj, që i kishin siguruar me ndihmën e të afërmve të tyre jashtë shtetit. Policia ka nisur kërkimet, ndërkohë që ka marrë në pyetje dhe familjarë e të afërm, por pa pasur një gjurmë të nënës së zhdukur. Me anë të telefonatave, të afërm dhe punonjës të Policisë kanë kërkuar në gjitha vendet e mundshme ku Fllanza mund të kishte shkuar, por përgjigjet negative kanë shtyrë në dyshime për një krim të mundshëm.
Kërkimet dhe pistat

Vendi ku është kërkuar për 38-vjeçaren

Forca të shumta policie kanë krehur një pyll në rrethinat e qytetit dhe është vëzhguar me imtësi ura e Drinit të Zi dhe liqeni poshtë saj për të parë nëse mund të ketë një vetëmbytje, por dhe këtu asnjë shenjë. Policia ka zhvendosur kërkimet në fshatin e largët Resk në komunën Ujmisht, ku Fllanza ishte bijë dhe kishte familjen e saj, por edhe këtu nuk është gjetur. Vetë drejtori i Policisë, Sadri Ramçaj, ka ndërprerë lejen e zakonshme dhe është vënë në krye të operacionit për kërkimin e Rexhmatit. Kërkimet sipas Policisë do të vijojnë edhe natën dhe janë lajmëruar policitë e qyteteve të tjera. Sipas Policisë, po hetohet si pistë e parë ajo e grabitjes dhe më pas rrëmbimit të mundshëm nga keqbërës të 38-vjeçares. Grupi hetimor ka bllokuar si provë thikën si dhe një paketë cigare e disa gota të përdorura që janë gjetur në tavolinë. Zhdukja e parave bashkë me gruan ka lënë policinë të hamendësojë mbi rrethanat. Dyshohet se autorët mund të kenë pasur qëllim grabitjen, por për shkaqe që ende nuk dihen mund të kenë ndërruar planin për ti shpëtuar identifikimit.
Në fakt, fqinjët e familjes Rexhmati deklaruan për policinë se nuk kanë parë e dëgjuar ndonjë zhurmë nga banesa e katit të parë. Gjithashtu, nisur nga vendndodhja e shtëpisë, pranë qendrës, sipas hetuesve, e bën të vështirë një rrëmbim të qëllimshëm të zonjës së shtëpisë.

Pistat
Policia e Kukësit, ashtu si dhe vetë opinioni i qytetit, është vënë përballë një ngjarjeje tronditëse e të mbushur me mister. Thika me gjak e zhdukja e parave bën të dyshosh për një rrëmbim e më pas grabitje, që autorët të humbin gjurmët. Megjithatë, hetuesit nuk kanë marrë asnjë dëshmi fqinjësh që të tregojë për zhurmë të dyshimtë. Çfarë ka ndodhur nga ora 08:00, kur fëmijët u larguan në shkollë e deri në orën 13:00, kur djali i shtëpisë hapi derën, është enigmë.

Krimi ndaj femrave në Kukës
Që nga fillimi i marsit, dy gra kanë qenë viktima në qarkun e Kukësit. Njëra prej tyre, 41 vjeçe, u qëllua për vdekje nga i shoqi në fshatin Luzhë të Tropojës, më 3 mars. Ndërsa më 11 mars, në fshatin Kollovoz të Kukësit, bashkëshorti ekzekutoi në sy të fëmijëve të shoqen, 47-vjeçaren Arze Biba. Ndërkohë, ende ka mbetur e pazbardhur zhdukja prej rreth 2 vitesh e Bleona Matës, vajzës sot 8-vjeçare nga fshati i thellë Zapod në Kukës.

Fqinjët: Gruaja shtëpiake, me probleme pas operimit
Çifti Rexhmati me tre fëmijët nuk kishin më shumë se katër vite që kishin zbritur nga fshati i thellë Tërshenë i komunës Bicaj i Kukësit, ku jetesa është tepër e vështirë. Ata ishin vendosur në këtë banesë, në Lagjen 5 të qytetit dhe kanë nisur një tjetër jetë, duke arsimuar fëmijët, ndërsa i zoti i shtëpisë punonte privat, kryesisht si shitës në tregun e qytetit. Më së shumti ai tregtonte perimet e frutat që prodhoheshin në tokat që kishin në fshat, pasi ata nuk i kishin shkëputur lidhjet me njerëzit dhe pronat në zonën e largët. Askush nuk i njeh për njerëz problematikë, por si tepër punëtorë dhe që rrinin në punët e tyre. Është një grua shumë e urtë dhe shikonte punët e saj. Kohët e fundit ka pasur një operacion në mitër dhe shëndeti i saj dukej i lëkundur. Madje, Fllanza vazhdimisht ndiente frikën se mos sëmundja i rigjallërohej, pohon një nga fqinjët e familjes Rexhmati. Gruaja e zhdukur ishte shtëpiake. Sipas të afërmve, vëllezërit e çiftit, që punonin jashtë vendit, i ndihmonin ata me të ardhura për të përballuar jetesën, çka justifikon dhe praninë e parave në banesë. Fllanza e Lavdrim Rexhmati kanë tre fëmijëve, më e madhja 17 vjeçe si dhe dy djemtë, përkatësisht 15 dhe 12 vjeç. Pas shoqërimit në polici ata janë mbledhur në shtëpi, për të pritur me ankth bashkë me të afërm të tjerë lajm për fatin e së ëmës.

KUKES/ JONUZ HALLAÇI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›