Pedagogët, dyfishohen pagesat për orët shtesë kur shkojnë në rrethe
Këshilli i Ministrave ka vendosur dje pas propozimit të Ministrisë së Arsimit që të dyfishojë pagesat për pedagogët për orët shtesë që kryejnë kur ikin nga qyteti i tyre. Anëtarët e personelit akademik, efektivë e joefektivë, që, për nevoja të procesit mësimor, japin orë mësimi në institucione të arsimit të lartë që e kanë vendndodhjen në qytete të tjera, larg vendbanimit të tyre, për çdo orë mësimi të kryer në këto institucione, do të përfitojnë dyfishin e pagesave të parashikuara përcakton vendimi i Këshillit të Ministrave. Kjo vlen më së shumti për Universitetin e Tiranës që ka filiale në Sarandë dhe në Kukës, Universitetin e Durrësit që ka filial në Peshkopi, atë të Korçës që ka filial në Pogradec dhe Universitetin Bujqësor të Tiranës që ka filial në Lushnjë.