E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pedagogët e UT-së, jo më në universitetet private



Asnjë pedagog i Universitetit të Tiranës nuk do të lejohet të japë mësim në ciklin e dytë dhe të tretë të studimeve në universitetet private, si dhe as në studimet e ciklit të parë të Universitetit Evropian të Tiranës, prej ditës së djeshme. Urdhri është nënshkruar nga rektori i këtij universiteti, prof. dr. Dhori Kule, pas mbledhjes së datës 2 nëntor të rektoratit të universitetit, kur u mor vendimi.

“Të gjitha strukturat drejtuese të UT-së dhe njësitë përbërëse të tij të marrin masa për forcimin e zbatimit të detyrimeve ligjore dhe personelin akademik dhe stafin administrativ që ato drejtojnë, - përcakton urdhri i nënshkruar nga rektori Kule. - Personeli akademik efektiv të mos angazhohet në mësimdhënie në Institucionet Private të Arsimit të Lartë në ciklin e dytë dhe të tretë të studimeve, ndërsa në UET në asnjë nga ciklet e studimeve”.

Ky vendim i papritur i rektoratit të universitetit më të madh në vend është marrë si pasojë e ndryshimeve të ndodhura në vitin e ri akademik, sipas arsyetimit të paraqitur në vendimin në fjalë.

“Është rritur numri i studentëve në të gjitha fakultetet dhe ciklet e studimeve në UT. Janë hapur programe të reja studimi të ciklit të dytë (DND, MNP) dhe ciklit të tretë (MND, doktoraturë). Nga dekanët e fakulteteve të UT-së janë paraqitur shqetësime lidhur me disiplinimin dhe mbarëvajtjen e veprimtarisë pedagogjike dhe kërkimore. Nga këshillat studentorë janë paraqitur shqetësime lidhur me prezencën e personelit akademik në auditorë, nivelit dhe angazhimit në mësimdhënie dhe mundësive të pakta të kontakteve me pedagogët etj.”, - rreshton si arsyet kryesore të këtij vendimi Universiteti i Tiranës.

Urdhri, i cili hyri në fuqi dje, pritet të sjellë ndryshime rrënjësore në universitetet private në vend, një pjesë e konsiderueshme e stafit të të cilave janë pedagogë të brendshëm të Universitetit të Tiranës. Problemi kryesor që pritet të lindë, ka të bëjë me programet e Masterave të Nivelit të Dytë dhe Doktoraturave, të cilat janë çelur në këto universitete, duke u bazuar në pedagogë të UT-së.

Urdhri për ndalimin e dypunësimit të pedagogëve në ciklet e dyta dhe të treta të studimeve shihet si një mundësi për konkurrencë të drejtpërdrejtë dhe të ndershme në këto dy cikle, që janë me pagesë, duke qenë se deri më sot një pjesë e mirë e pedagogëve në universitetet private vinte nga Universiteti i Tiranës.

Ndërkohë, ndalimi i mësimdhënies së pedagogëve të UT-së në Universitetin Evropian të Tiranës erdhi pas sinjalit të dhënë pak ditë më parë nga një prej drejtuesve të UET-së, i cili kishte deklaruar se këtij universiteti nuk i nevojiteshin pedagogë nga universiteti më i madh në vend.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›