Pedagogu i Ekonomikut kallëzon për mashtrim shitësin e lokalit
TIRANE – Një pedagog i Fakultetit Ekonomik të Tiranës ka kallëzuar në polici një shtetas nga Tirana, të cilin e akuzon për mashtrim në shitjen e një lokali pranë Politeknikut në kryeqytet. Kallëzimi është bërë me pretendimin se i denoncuari ka përdorur dokumente të parregullta për tu hequr si pronar i lokalit, duke e shitur atë kur në fakt objekti është pronë e dikujt tjetër. Profesori Banush Xhabrahimi është drejtuar mëngjesin e së martës në Komisariatin Nr. 1 të Policisë së kryeqytetit, duke kërkuar nisjen e një hetimi penal ndaj një shtetasi, që sipas tij, e ka mashtruar në vitin 2008 duke i shitur një lokal që së fundi ka rezultuar të mos jetë në pronësi të tij. Burime nga Policia e Tiranës thanë dje se bëhet fjalë për një lokal që ndodhet në afërsi të Universitetit Politeknik, që është blerë nga pedagogun Xhabrahimi me shumën prej 36 mijë eurosh. Në denoncimin e tij, profesori 60-vjeçar pretendon se ky lokal i është servirur nga shtetasi L. Z. si pronë e tij, madje duke i paraqitur edhe dokumentet e pronësisë, që me shumë mundësi janë të falsifikuara. Dhe pyetjes së oficerit të Policisë Gjyqësore se pse pikërisht pas 4 vitesh vendos ti drejtohet policisë për zgjidhjen e këtij problemi, Xhabrahimi i është përgjigjur duke argumentuar se vetëm disa ditë më parë është njohur me pronarin real të lokalit që ka blerë. Pasi pedagogu ka paraqitur dokumentet e nevojshme, bashkëngjitur kallëzimit që ka bërë ndaj personit që ai akuzon për falsifikim dhe për mashtrim. Policia ka nisur menjëherë proceduarat hetimore në lidhje me ngjarjen e klasifikuar si mashtrim nga ana e të paditurit. Por, gjatë procedurave hetimore, policia ka zbuluar se dokumentet pronësisë së lokalit rezultojnë të jenë në emër të Adem Z., 70 vjeç, banues në rrugën Reshit Çollaku në Tiranë, i cili është babai i personit që ishte denoncuar fillimisht. Për këtë arsye, policia ka nisur procedim penal në ngarkim të babait të shtetasit L. Z., me akuzën e mashtrimit. Në një njoftim të Policisë thuhet: Filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin Adem Z., sepse ndaj tij ka bërë kallëzim shtetasi Banush Mustafa Xhabrahimi, se në vitin 2008, shtetasi i mësipërm, me anë të mashtrimit, i ka marrë shumën prej 36 mijë eurosh. e.d