E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, prishen objektet pa leje, i hapet rrugë investimit për aksin Shkozet-Plepa

DURRËS-Prishja e 10 objekteve në zonën e Shkozetit dhe plazhit i ka hapur rrugë realizimit të projektit për zgjerimin e rrugës unazë Shkozet-Plepa, në periferinë juglindore të qytetit të Durrësit.

Drejtori i Inspektoriatit rajonal Ndërtimor Urbanistik, Skënder Koni, tha se "prishja erdhi menjëherë pas vendimit të qeverisë për kompensimin e familjeve dhe bizneseve në këto banesa".

Sipas tij, që nga fillimi i këtij procesi në të dy anët e rrugës janë prishur 65 objekte gjithsej, duke krijuar kushtet për një punë normale ndërtimore në rrugën Shkozet-Plepa.
Aksi rrugor që bashkon superstradën Tiranë-Durrës me atë, që nga Plepat shkon drejt qyteteve jugore të vendit, ka një gjatësi prej rreth 5 km.

Rruga aktuale do të zgjerohet deri në 35 metra dhe në katër pika të ndryshme do të ketë rrethrrotullime me drejtim plazhin e Durrësit, që ndodhet vetëm 500-600 metra më në perëndim.

Zgjerimi i rrugës unazë Shkozet-Plepa po zbatohet me financimin e Fondit Saudit të Zhvillimit dhe realizimi i përgjithshëm i projektit kërkon një investim prej 13.5 milion euro.

Në të dy skajet e kësaj rruge kanë përfunduar mbikalimet përkatëse të Shkozetit dhe Plepave, që do të lehtësojnë qarkullimin e automjeteve nga akset me drejtim jugor drejt atyre të qendrës dhe veriut të Shqipërisë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›