E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pediatria përgatitet për fluksin e verës

Durrës

Reparti i pediatrisë të spitalit rajonal të Durrësit ka nisur marrjen e masave për të përballuar sezonin turistik, që rrit ndjeshëm numrin e pacientëve të vegjël. Fëmijët janë grupmosha më e predispozuar për t’u prekur nga sëmundjet që favorizohen ndjeshëm nga stina e nxehtë dhe qëndrimi për orë të tëra në diell. Aktualisht numri i vizitave në urgjencën e pediatrisë shkon nga 50-70 në ditë, ndërkohë që nga muaji korrik e më pas ky numër pritet të trefishohet. Shefi i pediatrisë, Dhimitër Gjergo, thotë se aktualisht fluksi është i përballueshëm nga stafi dhe ambientet e shërbimit të urgjencës, ndërkohë që në repartin e reanimacionit janë të shtruar 3 fëmijë. Drejtoria e spitalit ka vendosur që të shndërrojë në dhoma pritjeje për pacientët e vegjël katin e parë të godinës së saj, ku më parë ndodheshin dhomat e mjekëve specialistë, duke zgjeruar kapacitetet pritëse dhe trajtuese të rasteve urgjente përgjatë këtij sezoni pushimesh. Numri i fëmijëve të prekur nga virozat e stinës është më i madh, por janë kryesisht moshat nga 1-5 vjeç që i drejtohen urgjencës spitalore apo qendrave shëndetësore.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›