E Diel, 1 Nëntor 2026

Pediatria, spitali ku pacientët e vegjël kurohen në myk dhe lagështirë

Kushte skandaloze në QSUT, familjarët i blejnë vetë që nga vigonët deri tek paracetamolët

Urgjenca e pediatrisë, i vetmi pavijon në Qendrën Spitalore Nënë Tereza i cili kuron rastet e shpejta, ose ato më urgjentet për fëmijët e vegjël duket vërtet se është në gjendje kaosi. Edhe pse ka lëvizje pambarim dhe prindërit me fëmijë në krahë nxitojnë të marrin një mjekim, ose të kryejnë një veprim urgjent për fëmijët e tyre, gjëndja në brendësi të

pavijoneve është vërtet e pazakontë. Muret e disa dhomave që nuk kuptohet se për çfarë shërbejnë dhe për më tepër, dhomat ku të vegjlit qëndrojnë për javë të tëra janë gjithë lagështirë. Muret e tyre kanë krijuar madje edhe myk i cili ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në keqësimin e shëndetit të pacientëve të vegjël. Por ka edhe më tepër, në këtë pavijon duket se është harruar gjithçka, mungesa e mjeteve dhe e ilaçeve ndihmëse është një problem tepër serioz. Në lidhje me këtë vetë prindërit e disa prej fëmijëve që ndodheshin në urgjencën e pediatrisë por edhe në disa prej dhomave të shtrimit tregojnë për gazetën SOT se gjendja në këtë pavijon është tepër indinjuese. Kam tre orë që e kam sjellë fëmijën në urgjencën e pediatrisë dhe shoh një neglizhim total, na u desh që të prisnin doktoreshën gati dy orë dhe më pas kaloi edhe një gjysmë ore për ti bërë djalit një serum pasi e shpuan disa herë, tha dje për gazetën një prej prindërve që priste me orë të gjata në urgjencë. Por një prind tjetër thotë gjithashtu për gazetën se më skandali ishte kur infermierja nuk kishte marrë me vete ngjitëse për tja vendosur ages dhe mori në kokën e krevatit një ngjitëse të papastër e që ishte nxirë nga pluhuri. Është turp i madh, as ngjitëse për serumet nuk kanë, nëse prek vendin ku është shpuar mund të sjellë infeksion të krahut ose ndonjë sëmundje infektive se kushedi se që kur është vendosur dhe është tërësisht me mikrobe, ka pohuar i shqetësuar familjari i një prej pacientëve të vegjël. Sipas një qytetari tjetër i cili kishte një javë me fëmijën e shtruar në një prej pavijoneve të spitalit pediatrik edhe për ilaçet është një konfuzitet i madh pasi shumicën për të mos thënë gati 70 për qind të ilaçeve i ka blerë vetë në të shumtën e kohës. Në vëzhgimin e bërë nga gazeta në pediatri duket se mungojnë përveç vigonëve që shërbejnë për mbajtjen në mënyrë të përhershme të ages pa e shpuar fëmijën disa herë në ditë deri tek pajisjet ku vendosen shishet e serumit. Ashtu si në të gjitha pavijonet e tjera të QSUT-së edhe në spitalin pediatrik në çdo kat ka vetëm nga një prej këtyre pajisjeve që shëtit në çdo dhomë. Ashtu si edhe spitalet e tjera edhe Pediatria mbetet një prej hallkave të pazgjidhura të Ministrisë së Shëndetësisë përsa i përket mungesës së ilaçeve apo kushteve më elementare. Në këtë Spital edhe vetë sanitaret deklarojnë se janë vetë prindërit e tyre ata që blejnë edhe koshat për mbeturinat apo stolat për tu ulur, për mos të diskutuar pastaj për mjetet e tjera që shërbejnë gjatë shtrimit në spital. Por problemi kryesor edhe në këtë spital i cili është i vetmi në vend që kuron të gjitha sëmundjet e të vegjëlve mbetet mungesa e theksuar e ilaçeve apo mjeteve që shërbejnë për serumet. Edhe pas premtimeve të vazhdueshme të Ministrit Vasili problemet në spitale jo vetëm që nuk janë rralluar por ato sa vijnë e shtohen më tepër. Janë vetë prindërit e fëmijëve që  janë të indinjuar jo vetëm për shërbimet e munguara në pediatri për fëmijët e tyre të sëmurë por edhe për vonesat e pakuptimta mbrapa dyerve të këtij institucioni shëndetësor. Mungesa e theksuar e ilaçeve vihet re edhe në pavijonet e spitalit nr 1 ku kurohen sëmundjet e brendshme.

Infermierët bëjnë autokritikë, ndëshkojnë veten me libër xhepi
Në kuadrin e zbatimit të strategjisë 2010 me moton Viti 2010, viti i Infermierisë, Urdhri i Infermierit të Shqipërisë informon se ka arritur të përmbushë njërën nga pikat e rëndësishme të saj. Bëhet fjalë për botimin e dokumentit themeltar të infermierëve, i cili përmban të përfshira brenda tij, Ligjin e Urdhrit të Infermierit; Statutin e Urdhrit të Infermierit, Kodin Etik-Deontologjik si dhe dokumente të tjera të nevojshme për punën e përditshme të infermierëve. I konceptuar në formën e një libri xhepi, ai përfshin të konkretizuara sanksionet që i presin infermierët nëse nuk e zbatojnë siç duhet punën e tyre, raportet me institucionet shëndetësore, deri ku arrin liria dhe detyrimet e një infermieri, pikat e rregullores së punës së tyre të përditshme etj. Ky dokument u realizua në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me ISKSH-në dhe të gjitha drejtoritë e institucioneve shëndetësore në nivel rajonal, të cilat do të punojnë për zbatimin e këtij dokumenti themeltar. Në lidhje me publikimin e këtij botimi, Presidenti i Urdhrit të Infermierit, Sabri Skënderi bën me dijeni se ai ka funksion informues, por edhe ndërgjegjësues në të njëjtën kohë për gati 13 mijë infermierë të cilët punojnë në rang vendi, të cilët njihen në një libër xhepi të vetëm, me të gjitha pikat e kuadrit ligjor të cilit i përket profesioni i tyre. Për të qenë të sensibilizuar në këtë mënyrë jo vetëm me detyrimet, por edhe me të drejtat që përfshin në vetvete, ushtrimi i profesionit të infermierit. Njohja dhe zbatimi me korrektësi i këtyre dokumenteve nga të gjithë profesionistët e kujdesit infermierore, do të sjellë përmirësimin e sjelljeve etiko-profesionale me pacientët dhe do të çojë në rritjen e standardeve të tyre, citon Skënderi ndër të tjera. Sipas tij, ky dokument do të bëhet pjesë e rregulloreve të brendshme të të gjitha institucioneve shëndetësore, publike dhe private, por duhet të bëhet në të njëjtën kohë edhe pjesë e programeve formuese për të gjitha këto profesione në fakultetet e infermierisë në vend. Nga ana tjetër, edhe vetë Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, me anë të një urimi të veçantë e ka përgëzuar daljen e këtij dokumenti themeltar.
Ky dokument, është i një rëndësie të veçantë, jo vetëm se realizohet për herë të parë, por edhe se ai do tu shërbejë të gjithë profesionistëve të kujdesit, për të përmirësuar punën e tyre dhe për të arritur cilësinë e kujdeseve dhe për sjellje etiko-profesionale sa më të mira me pacientët, ka cituar ai në këtë mesazh.

Drejt përfundimit karta e mbrojtjes së pacientëve
Urdhri i Infermierit të Shqipërisë është duke punuar edhe për zbatimin e pikave të tjera të parashikuara në strategjinë me moton Viti 2010, viti i Infermierisë, siç jan렠 Promovimi i Kartës Shqiptare për të Drejtat e Pacientit; i cili synon mbrojtjen e pacientëve nga keq-ushtrimi i profesionit prej infermierëve, mamive apo fizioterapistëve ku sqarohet se ky dokument do të përgatitet si poster dhe do të vendoset në çdo mjedis spitalor ku realizohet kujdesi shëndetësor. Realizmi i Regjistrit Kombëtar te Infermiereve, parashikuar në fillim me përgatitjen e dosjeve personale të çdo profesionisti me dokumentet e kërkuara dhe në bazë të tyre përfundimin e regjistrit kombëtar me të gjitha të dhënat profesionale të tyre.

Tabelë
1-Duhen rritur cilësia e kujdeseve infermierore në të gjithë vendin .
2- Duhet rritur me tej aftësitë profesionale e këtyre profesionistëve.
3- Duhet rritur informimi i pacientëve  shqiptarë për të drejtat e tyre dhe për cilësinë e kujdesit shëndetësor që duhet të kërkojnë.
4- Duhet të rritet pjesëmarrja e pacientëve në këtë sipërmarrje të madhe për rritjen e cilësisë së kujdesit.
5- Urdhrin e Infermierit të Shqipërisë është institucioni publik që punon për rritjen e standardeve të kujdeseve infermierore dhe që mbron pacientët nga keq-ushtrimi i këtyre profesioneve.


Arta Agolli

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›