E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pedofilia, forcat e paqes në shënjestër

Fëmijë nën moshën gjashtë vjeç i janë nënshtruar abuzimit seksual nga ana e paqeruajtësve dhe punonjësve të ndihmave, thotë një organizatë humanitare britanike. Në zonat e ish-konflikteve, fëmijët janë viktima të abuzimit të atyre njerëzve që janë dërguar atje pikërisht për t‘u kujdesur për ta, thotë "Save the Children". Pas një serie kërkimesh në Bregun e Fildishtë, Sudanin Jugor dhe Haitin, organizata e bamirësisë propozon ngritjen e një agjencie ndërkombëtare që do të merret posaçërisht me këtë fenomen. "Save the Children" thotë se ajo ka pushuar nga puna tre punëtorë për shkelje të kodeve të saj të etikës dhe u ka kërkuar edhe të tjerëve të bëjnë të njëjtën gjë. Të tre ata janë pushuar gjatë viteve të shkuara, për shkak se kishin kryer marrëdhënie seksuale me vajza të moshës 17-vjeçare, çka, sipas organizatës humanitare, përbën shkelje, pavarësisht se nuk është e jashtëligjshme. Kombet e Bashkuara e kanë mirëpritur raportin e organizatës britanike dhe kanë thënë se po e studiojnë në detaje. "Save the Children" thotë se aspekti më shokues i abuzimit seksual me fëmijët, është se në pjesën më të madhe të rasteve ato kalojnë të padenoncuara dhe të padënuara, ndërkohë që fëmijët janë shumë të trembur për të folur. Një vajzë 13-vjeçare i ka rrëfyer një korrespondenti të BBC-së, se si 10 paqeruajtës të Kombeve të Bashkuara e kanë përdhunuar atë në një fushë në afërsi të shtëpisë së saj, në Bregun e Fildishtë. "Ata më morën me forcë dhe më hodhën përtokë. Më pas, bënë çfarë deshën. U përpoqa të largohesha, por ata ishin 10 dhe unë nuk mund të bëja asgjë", thotë ajo. "Isha e tmerruar. Kur ata ikën unë isha mbuluar në gjak", vijon rrëfimin. E në përfundim, asnjë masë dënuese nuk është marrë kundër ushtarëve. Sipas raportit të "Save the Children", edhe punonjësit e ndihmave abuzojnë seksualisht me vajza dhe djem të mitur. "Gjatë viteve të shkuara, disa angazhime të rëndësishme janë marrë përsipër nga OKB-ja dhe komuniteti i gjerë ndërkombëtar, si edhe nga agjencitë humanitare e agjencitë e ndihmave për të luftuar këtë problem", thotë drejtoresha ekzekutive e "Save the Children", Xhazmin Uitbread. "Gjithsesi, të gjitha agjencitë humanitare dhe paqeruajtëse që punojnë në situata emergjence, përfshirë edhe "Save the Children", duhet të pranojnë faktin se janë vulnerabile ndaj këtij problemi". Pas kërkimeve, në të cilat përfshihen qindra fëmijë nga Bregu i Fildishtë, Sudani Jugor dhe Haiti, organizata e bamirësisë thotë se mekanizmat efikasë të raportimit janë të nevojshëm në mënyrë që të frenohet disi kjo "epidemi". Ajo tërheq vëmendjen gjithashtu edhe në faktin se duhet punuar shumë, në mënyrë që në mbarë botën të krijohen dhe të funksionojnë sisteme mbrojtëse për fëmijët. "Save the Children" thotë se komuniteti ndërkombëtar ka premtuar një politikë të zero-tolerancës ndaj abuzimeve seksuale me fëmijët, por kjo nuk po implementohet në terren. Por, sipas një zëdhënësi të OKB-së, Nik Birnbak, është e pamundur që të mos shënohet asnjë incident në një organizatë, që ka më shumë se 200 mijë punonjës që shërbejnë në mbarë botën.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›