E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Korçë shkëlqen "Desdemona"

Për një javë, në qytetin e Korçës u zhvillua një aktivitet i artit skenik, i përmasave ndërkombëtare. Festivali Ndërkombëtar i Monodramës, i quajtur "Albamono 08", ka shënuar edicionin e tij të tretë me shfaqjet e dhëna që nga data 21 maj, deri në datën 26 maj, në ambiente të ndryshme kulturore dhe historike të Korçës. Shoqata kulturore e Korçës, "Iliria", Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, si dhe bashkia e qytetit, ia kanë dalë edhe këtë vit që të afrojnë artistë nga vende të ndryshme të botës për të interpretuar në Festivalin Ndërkombëtar të Monodramës, që shënon vitin e tij të tretë radhazi si aktivitet në Korçë dhe të parin në vendin tonë. Në Festivalin e sivjetshëm Ndërkombëtar të Monodramës kanë marrë pjesë 11 trupa apo aktorë, pjesa më e madhe e të cilëve kanë qenë të huaj, dy nga vendi dhe një nga Kosova. Edmond Xhumari, menaxher i këtij aktiviteti të artit skenik, tha se në edicionin e tretë u paraqitën 8 trupa të huaja, dy nga vendi dhe një nga Kosova, me tematikë nga antikiteti, por edhe arti modern. Artistët që morën pjesë në këtë festival nuk u përqendruan vetëm në një skenë, siç është ajo e teatrit "Andon Zako Çajupi" të Korçës, por e zhvendosën interpretimin në vende dhe ambiente kulturore si Voskopoja, Dardha, Maliqi etj. Kështu, trupa e teatrit "Haki Stërmilli", e Peshkopisë, shfaqjen e saj e dha në fshatin turistik të Dardhës. Aktori gjerman me origjinë ruse, Aleksej Boris, pjesën "Lylistrata" e dha në ambientet e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar. Aktorët maqedonas interpretuan në ish-kampin e pushimit në Voskopojë, si dhe në Kishën e Shën Kollit në Voskopojë. "Qëllimi që ky festival u shfaq në qendra të ndryshme të Korçës, dhe kryesisht ato me vlera kulturore dhe historike, ka qenë njohja e artistëve të huaj me vlerat e trashëgimisë", tha Edmond Xhumari, një ide që e shprehu edhe në konferencën për shtyp me rastin e çeljes së aktivitetit edhe regjisori i njohur korçar, Dhimitër Orgocka, njëkohësisht dhe drejtues i shoqatës kulturore "Iliria". Organizatorët shprehen se artistët e ardhur nga vende të ndryshme të botës, si Gjermania, Polonia, Australia, Rusia, Serbia, Maqedonia etj., kanë dhënë vlerësimet më të mira për mikpritjen që gjetën në Korçë, si dhe vlerat që arriti ky aktivitet ndërkombëtar i monodramës. Xhumari thotë se ka marrë mesazhe urimi nga artistët e huaj të larguar një ditë pas aktivitetit dhe nga kolegë të tyre, që e kanë vlerësuar Festivalin Ndërkombëtar të Monodramës, të organizuar në Korçë, si të denjë për një përfaqësim në nivele edhe më të larta të artit skenik në botë. Një shfaqje përshëndetëse e aktorit kosovar, Mentor Zymberaj, e titulluar "Aktori në kuti", si dhe ndarja e çmimeve, mbyllën këtë aktivitet të rëndësishëm të artit skenik për qytetin e Korçës. Në natën e fundit të festivalit, juria ndërkombëtare e këtij festivali, e drejtuar nga gjermania Nina Mazur, vlerësoi si aktorin më të mirë Aleksej Boris, me pjesën "Lylistrata". Me çmimin e parë të aktores më të mirë femër u vlerësua Vesna Stankoviç nga Beogradi, me monodramën "Lina më e fortë se guri". Për shfaqjen më të mirë të këtij festivali ndërkombëtar të monodramës, juria nderoi me çmim të parë pjesën "Desdemona", të interpretuar nga aktorja polake Jolanta Juszkiewicz. Në përfundim të Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës, menaxheri i këtij aktiviteti, Edmond Xhumari, u shpreh se juria vlerësoi si arritje artistike vetë këtë edicion të radhës së Festivalit të Monodramës, ndërkohë që aktorët e huaj kanë përgëzuar për organizimin, mikpritjen dhe njohjen me vlerat kulturore të rajonit të Korçës. "Është domethënëse që aktorja Vesna Stankoviç, pas mbarimit të këtij festivali, ka qëndruar për të dhënë sërish shfaqje në qytetin e Maliqit, ku artistët e huaj janë pritur me lule nga një publik i ngrohtë", tha Xhumari. Ai theksoi se edhe një herë arti ia ka arritur të shkrijë dallimet dhe ndarjet midis vendeve. "Kishte artistë të huaj nga Gjermania, Rusia apo Australia, që e dinin se këtu akoma kishte luftë dhe nuk e njihnin aspak Shqipërinë, e për më tepër Korçën. Por, kur u pritën në shumë shtëpi dardhare, me raki dhe ftesa për vizita, dhe kur u njohën me vlerat që ka rajoni i Korçës, na kanë dhënë vlerësimet më të mira", tregon Edmond Xhumari. Edicioni i tretë i Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës u zhvillua me mbështetjen financiare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, duke pasur si qëllim jo vetëm promovimin e vlerave artistike, por edhe potencialin turistik të rajonit të Korçës.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›