E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vazhdon të rritet bilanci i viktimave

Rreth 80 mijë kinezë po evakuohen nga zonat përreth një liqeni të krijuar pas rrëshqitjeve masive të dheut që pasuan tërmetin katastrofik, i cili rrënoi provincën e Sichuanit. Ekspertët druajnë tani se masa e madhe e ujit, e mbledhur në liqenin Tangjiashan, mund të shpërthejë në çdo moment, duke përmbytur zonën. Rreth 70 mijë njerëz janë evakuuar më herët nga qyteti Mianyang, në provincën Sichuan. Ushtarët kinezë po punojnë pa pushim për të hapur një kanal që do të zbuste presionin nga i ashtuquajturi "liqen i tërmetit". Shifra zyrtare e të vdekurve pas tërmetit të 12 majit, është rritur sërish të martën, duke shkuar në 67183, ndërsa 20790 njerëz rezultojnë ende të zhdukur. Rrëshqitjet e dheut, si pasojë e katastrofës, kanë bllokuar me dhjetëra lumenj në provincën Sichuan, duke çuar në krijimin e shumë liqeneve të reja, disa prej të cilëve kanë përmbytur fshatra të tërë. Zyrtarët janë veçanërisht të shqetësuar për liqenin Tangjiashan, ku niveli i ujit është rritur me shpejtësi, duke shkuar fare pranë kulmit të digës. Masa e stërmadhe e dheut po mban të bllokuar rreth 130 milionë metra kub ujë në qytezën Beichuan. Punonjësit e shpëtimit, ndërkohë, po përpiqen të evakuojnë 80 mijë njerëz para të mërkurës. Trupat po përdorin pajisje që zhvendosin dheun në përpjekje për të zbutur presionin në brigjet e liqenit e po përgatiten gjithashtu të përdorin edhe eksplozivët. Më shumë se pesë milionë njerëz kanë mbetur pa strehë pas tërmetit 7.9 ballësh dhe zona po përballet me lëkundje të vazhdueshme të tokës, disa prej të cilave, të forta. Gjashtë njerëz vdiqën dhe 300 mijë shtëpi të tjera u shkatërruan pas një tërmeti tjetër, të dielën. Sipas zyrtarëve, veçanërisht dy prej këtyre tërmeteve më të forta që pasuan, kanë shkatërruar në total 420 mijë shtëpi të tjera në rajon. Një prej tyre, në qytezën Qingchuan, ishte i manjitudës 5.7 ballë të shkallës Rihter. Por, fatmirësisht, këto lëkundje të fundit, sipas agjencisë kineze të lajmeve "Xinhua", nuk kanë shënuar viktima në njerëz. Ndërkohë që janë parashikuar edhe stuhi në rajonin e goditur. Zyrtarët kanë deklaruar ndërkohë se puna e rindërtimit në zonë pritet të zgjasë për të paktën tre vjet.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›