Peer Gynt, dhe telashet skanë të sosur...
E shumëdiskutuara mes shfaqjeve, “Peer Gynt” e Ibsenit, me regji të Slobodan Unkovskit, u shfaq për publikun në natën e dytë të festivalit të Butrintit. Produksioni i përbashkët mes teatrit të Shkupit dhe të Kosovës, me praninë e aktorëve shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë e Shqipërisë, performoi në skenën e Butrintit antik pas polemikave të shumta të pjesëmarrjes apo jo të veprës në këtë festival të përvitshëm teatror. Në diskutimin e shfaqjes paraditen e së hënës, në sallën e konferencave në hotel “Butrinti”, “Peer Gynt” u vlerësua si një produksion i madh, kjo edhe për shkak të emrave të aktorëve pjesëmarrës. Ata janë Fisnik Zeqiri, Yllka Mujo, Abuena Kryeziu, Bajush Mjaku, Armenis Nikshiqi Jovanovska, Adrian Morina etj. Qasja e re që kjo pjesë realizoi ishte këndvështrimi i ndryshëm i aktorëve që përfaqësojnë tre mosha. Shfaqja shihet me një ndarje në këto tri pjesë, por përjetohet si një unitet i tyre dhe me veçanti estetike për secilën. “Për nga sinqeriteti, ‘Peer Gynt’ është vlerësuar si seminar për artistët e teatrit”, u shpreh aktori Laert Vasili. Por vështirësitë duket se nuk kanë të sosur për këtë shfaqje. Për shkak të zhurmave të publikut, shfaqja ka rrezikuar të ndërpritet. Gjatë konferencës për shtyp u tha se ai nuk ishte publik teatri, por tipik i stadiumeve të futbollit, pasi prej disave Teatri i Butrintit ngatërrohet me shëtitoren. Kjo, pasi shfaqja u shoqërua edhe nga shumë “zhurmues”, çka mund të shkaktonte në çdo moment përplasjen mes “tipave” të zhurmshëm dhe aktorëve. Këta të fundit megjithatë nuk e ndërprenë shfaqjen. Duke u ndjerë keq për atë që u përgatit të ndodhte një natë më parë në shkallët e Butrintit, me ndjeshmërinë edhe si vendas në Sarandë, aktori Laert Vasili u ka kërkuar ndjesë kolegëve nga Shkupi dhe Prishtina. Vasili ishte kritik edhe në një plan tjetër. Ai ka kujtuar edicionet e para të festivalit të Butrintit. “Në diskutimet e edicioneve të mëparshme, kujtoi ai, silleshin karrige edhe nga jashtë, pasi kishte plot njerëz që dëshironin të futeshin në debat, ndërsa këtë edicion shoh një sallë plot me karrige bosh...”. Aktori Bajrush Mjaku tha se doli jashtë vetes në shfaqje e sipër dhe iu drejtua me fjalën “idiot” protagonistit të prishjes së teatrit. “I falem momentit kur ktheva mendje për ta përzënë nga shkallët, pasi do të ishte kompromentuar shfaqja”, shprehet ai. Ndërkaq, ka vërejtur me keqardhje se teatri i Butrintit është kthyer në shëtitore, ku secili mund të hyjë e të dalë kur të dojë, ndërkohë që luhet teatër.
“Peer Gynt” është një dramë e mbështetur nga “Ibsen Award 2009”, Norvegji, projekte që kanë për autor shkrimtarin Henrik Ibsen. Pas shfaqjes në Butrin, vepra pritet të vijë në muajin shtator edhe në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë. Ideatori dhe koordinatori i kësaj sipërmarrjeje mbarëkombëtare është aktori Bajrush Mjaku, i cili gjatë konferencës për shtyp tha se ideja për realizimin e kësaj vepre i ka lindur qysh në vitin 1995. Duke iu referuar ndarjes së personazhit në tre pjesë nga ana e regjisorit Unkovski, Mjaku ka thënë se në eksperimentet regjisoriale, ndoshta ky Peer Gynt” mund të ishte unikal, pasi deri në dy Peer Gynt kishte ndodhur të kishte kjo dramë e Ibsenit, por jo tre në një shfaqje. Të tre në mosha të ndryshme; aktori i ri, i sapodiplomuar, Fisnik Zeqiraj, ka sjellë ngazëllim në skenë, dinamikë dhe plot energji në realizmin e Peer Gynt-it të parë, të riut që u jepej instinkteve. Aktori Xhevdet Jashari ishte i dyti. Për të, as/regjisori Kushtrim Bekteshi është shprehur se u krijua për të treguar njeriun racional, që përpiqej të manipulonte botën, po kjo e fundit e manipulon atë.
I treti Peer Gynt, Bajrush Mjaku, është finalja e jetës, gjykimi mbi vetveten, ku rrugët devijuan e shkoi keq. Interpretimi i të riut Fisnik Zeqiraj është vlerësuar si një figurë simpatike për sa i takon plastikës, energjisë, ngazëllimit që kishte gjatë gjithë kohës. Kjo pjesëmarrje ishte një nga eksperiencat e para të Fisnikut. “Jam një student i porsadiplomuar dhe e mora pak si me ndrojtje këtë pjesëmarrje. Mendova që nuk do të arrija ta realizoj rolin, por m’u dha besim ndaj u mundova të arrijmë deri këtu çfarë dhamë në Butrint”, tha Zeqiraj. Ndërsa në ekipin e kësaj shfaqjeje ishte dhe aktorja Yllka Mujo, një hyrje e befasishme e saj, e transformuar krejtësisht në interpretimin e nënës së Peer Gynt-it të ri. Ajo ka realizuar një mbyllje të shfaqjes me freski dhe energji artistike që nuk e kemi parë në shfaqjet e fundit në Tiranë prej saj. Ndërsa aktori Bajrush Mjaku, në bilancin artistik të kësaj shfaqjeje, më shumë është përqendruar tek ideja e projektit dhe dëshira e tij për të mbërritur në ditën se teatri shqiptar duhet të përfaqësohet me një kulturë. “Ne duhet t’i paraqitemi botës si një kulturë e vetme shqiptare, gjithashtu duhet të nisim projektet e përbashkëta mes tre qendrave”, tha ai. Ndonëse Mjaku marrëdhënien institucionale mes tre vendeve e sheh pak tendencioze për të bashkëpunuar, prapë këmbëngul që ky projekt i realizuar, ndonëse pati shumë peripeci, ia dedikon realizmin energjisë pozitive të dy drejtorëve të teatrit, sidomos të Shkupit, dhe atij të Prishtinës. Në konferencë ishte i pranishëm edhe drejtori i Teatrit të Shkupit, Adem Karaga. Ai ka treguar se për teatrin e Shkupit kjo është një ngjarje e rëndësishme teatrore.