E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peer Gynt ndërpret lojën

Bashkëprodhimi Shkup-Kosovë-Tiranë, "Peer Gynt" e Ibsenit, me regji të Slobodan Unkovskit, përballet me spektatorin indiferent dhe vlerësimet në superlativë të artistëve shqiptarë. Si do dukej Peer Gynt në kushte më të favorshme?

Nuk u kuptua nëse ishte kohëzgjatja e shfaqjes, gjuha jo fort e qartë e aktorëve, apo vepra e vështirë që ia humbën shpejt durimin spektatorit në natën e dytë të Festivalit "Butrint 2000", teksa në skenë shfaqej "Peer Gynt"(1867) i Henrik Ibsenit, me regji të Slobodan Unkovskit. Bëhet fjalë për bashkëpunimin e teatrove shqipfolëse (Shkupit, Kosovës, Tiranës), një projekt i iniciuar nga Teatri i Shkupit që kapi vlerën 90.000 euro.


Duket sikur një fat i keq e priu "Peer Gynt"-in pa ardhur ende në Butrint. Vështirësitë financiare vunë në dyshim ardhjen e shfaqjes dhe tani pritja e ftohtë e publikut që i nervozoi aktorët.


Në fund të shfaqjes, aktori veteran i Teatrit të Shkupit, Bajrush Mjaku në rolin e Per Gyntit, e preu në mes interpretimin e aktit të pestë, dhe u kërkoi disa të rinjve spektatorë të linin skenën. Kjo situatë nuk kaloi në heshtje dhe një ditë më vonë në konferencën për shtyp.


Aktori Laert Vasili i kërkoi ndjesë aktorëve maqedonas dhe kosovarë për pritjen dhe për indiferencën që njerëzit e ftuar në festival treguan duke "lënë karriget bosh". Mjaku shpjegoi se aktori duhet të jetë i përqendruar në punën e vet dhe ka momente që reagimi i publikut të nxjerrë nga personazhi. "Isha i detyruar të reagoj", shpjegoi ai.


Natën e parë u shfaq "Ëndrra e një nate vere" e Shekspirit, me regji të Aleksandër Morfovit, me të njëjtën kohëzgjatje dhe reagimi i publikut nuk ishte njëlloj.


Një vepër si "Peer Gynt" dhe një tekst si ai i Ibsenit nuk është e lehtë të kapen brenda tri orëve. Me personazhin kryesor diskutohet një mendësi jo e zakontë. Gynt është një djalosh i varfër norvegjez që jeton me t'ëmën.


Është ëndërrimtar, jepet shpejt pas dëshirave, grave, duke mos i lejuar të tjerët që t'i rrëmbejnë lirinë, të mos i baltosin veten. E harron shpejt Ingridin, dashurinë e parë, duke rendur pas gruas së veshur me të gjelbra, pastaj pas Solvejgut, më vonë pas Harit, e sa të tjerave në rrugën e gjatë që bën në mërgim, në brigjet e Marokut, në shkretëtirën e Saharasë, në çmendinën e Kajros.


Unkovski ia kishte caktuar këtë rol tri aktorëve, Fisnik Zeqirit (i riu), Xhevdet Jasharit (në moshë të mesme), dhe Bajrush Mjakut (Per Gynti i vjetër). Sipas asistent regjisorit të Unkovskit, Kushtrim Bekteshit kjo ishte gjetja e Unkovskit.


Zeqiri, një aktor i sapodiplomuar kishte një plastikë perfekte dhe ishte energjik në skenë. Por ai dha përshtypjen e një personazhi naiv, të pandërgjegjshëm për veprimet e tij.


Edhe Perg Gynti mesoburrë, që Ibseni e ka mbrujtur me tiparet e një njeriu ambicioz që do të jetë edhe perandor, profet, u duk një njeri i vetëkënaqur. Mjaku i ndërprerë nga publiku nuk mundi të rrëfejë ashtu siç ai donte për njeriun që jeta po i mbaron, që nuk fitoi në luftën me botën, që po shuhet dhe ëndrrat po i mbarojnë.


E vetmja aktore e Teatrit Kombëtar në këtë shfaqje, Yllka Mujo realizoi dy karaktere krejtësisht të ndryshme nënën e Per Gyntit dhe Pullabërësin. Albuena Kryeziu (Solvejku) nga Teatri i Kosovës, dha përshtypjen e një femre të ndrojtur sesa të lënduar nga tradhtia e Per Gyntit.


Amernis Nikshiqi Jovanovska (gruaja e veshur me të gjelbra), vajza e Plakut të Dovrit, kaloi në ekstremin e një karakteri të përkëdhelur duke u dukur herë-herë po aq naive sa Gynti i ri. Skena të tëra ku interpretonin rreth 20 aktorë bashkë ndjenin nevojën të jepeshin më qartë. Ashtu si edhe lëvizjet e drejtuara nga koreografi Gjergj Prevazi që mbylleshin në guaskën e konceptit të regjisorit.


Në tetor shfaqja prezantohet në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë. Mbetet edhe një herë për të reflektuar për Per Gyntin. Megjithatë vlerësimet e artistëve shqiptarë nuk munguan. Dramaturgu Stefan Çapaliku e quajti "një ngjarje të teatrit mbarëshqiptar". Kurse koreografi Gjergj Prevazi pohoi: "Është një nga shfaqjet më të mira jo vetëm të bashkëpunimit gjithëshqiptar.


Ka marrë disa ftesa nga festivale të rëndësishëm në rajon dhe në Evropë. Shpresoj të ketë jetë të gjatë, sepse zakonisht shfaqjet tona krijohen, mbahen për një periudhë të shkurtër dhe pastaj mbyllen në sirtarë për të mos u çelur më." Takimeve me median, artistët dhe autorët e shfaqjes u ka munguar analiza dhe komentet e thelluara.
Intervistë me Bajrush Mjakun:


Z. Mjaku, është bërë transparent kontributi financiar që Ministria e Kulturës së Maqedonisë, Kosovës dhe fondi "Henrik Ibsen" kanë dhënë për "Peer Gynt". Nuk dimë se sa ka kontribuar Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve?


Nuk është e thjeshtë të dalin fondet jashtë Shqipërisë, për të qenë pjesë e një projekti tjetër, që nuk punohet në Shqipëri. U detyrova që të bëj kërkesën time, në Ministri dhe të lus ministrin që të gjejë fuqi financiare për të përmbyllur honoraret e koreografit Gjergj Prevazi dhe të aktores Yllka Mujo e cila për mua ishte mëse e nevojshme për të realizuar rolin e nënës së Per Gyntit. U mbulua fjetja dhe akomodimi i tyre. Plus edhe prezantimi i tri shfaqjeve në muajin tetor në Tiranë.


Sa shkon i gjithë financimi i palës shqiptare?


Maksimumi rreth 12.000 euro. Nga fondi i Ibsenit, kemi përfituar grande prej 31.500 euro, Ministria e Kulturës së Kosovës ka financuar 30.000 euro. Teatri i Shkupit rreth 16.000 euro plus infrastrukturën e teatrit ku është realizuar shfaqja. E gjithë kostoja e shfaqjes është 90.000 euro që nuk është e zakonshme për një projekt teatror dhe nuk ka ndodhur deri më sot në teatrin mbarëshqiptar.

Si ideator i këtij projekti dhe nga përvoja pranë Unkosvkit në realizimin e "Per Gyntit", si filloi puna me këtë vepër?


Ne jemi munduar që shfaqjen ta sjellim në kohë. Po t'i referohemi veprës, në skenën ku Per Gynti i kërkon trolit vajzën për grua, aty shohim që trolet shfaqen si një parti politike, e cila është e verbër, nuk sheh asgjë rreth saj, sheh vetëm vetveten, është e bindur se vetëm ajo parti duhet të ekzistojë dhe vetëm ata duhet të bëjnë jetë.
Ibseni flet për një mbretëri, të drejtuar nga njerëz të pagdhendur.


Ne jemi vazhdimisht të rrezikuar. Pse mos të tentojmë që t'i përgjigjemi rreziqeve në një mënyrë që mendojmë se duhet t'u përgjigjemi?


Ashtu ndodhi edhe me Per Gyntin: Ibseni e trajton si një djalosh të ri, që nuk lejon t'i kufizojnë lirinë e tij, egoist dhe grykës. Ai i Unkovskit u duk pak naiv.
Vetë personazhi i Per Gyntit në pjesën e parë është naiv. Ai është i bindur se mund të kënaqë edhe tri vajza përnjëherë. Jam shumë i kënaqur që fisniku ishte ai që duhej për Per Gyntin. Në pjesën e parë ai është vazhdimisht në lëvizje, është në ajër, fluturon.


Çfarë mund të bëhej më shumë tek Per Gynti?


Unë mendoj se më të mirën e kemi bërë.
Ju interpretoni Per Gyntin pasi keni një përvojë 37 vjeçare në skenë.
Jam i kënaqur që arrita më në fund ta realizoj këtë personazh dhe pikërisht në këtë mënyrë, me këtë qasje.


Erdhëm në idenë me regjisorin Unkovski se në aktin e pestë, Per Gyntit të ngujuar në një hapësirë, i kthehen të gjithë personazhet e së kaluarës në kujtesë, dhe mundohet t'i njohë për së afërmi. Ai kërkon përgjigje nga ata në momente të caktuara.


Ç'mendoni për Ibsenin, teatrin e tij?


Me Ibsenin jam takuar qysh herët që në vitin 1969-'70 . Në temë diplome kam punuar "Armikun e Popullit" të Ibsenit. Është një autor që edhe te "Hijet", apo "Per Gynti" i shpalos probleme si tonat që i ndjejmë aktuale. Tek vepra në fjalë kuptojmë si e mbrojnë sot njerëzit unin, sa janë vetvetja dhe mendoj se këtë kriter e kemi humbur.


Ju sa luftoni për ta mbrojtur "unin" si njeri dhe si aktor?


Veprat e mia tregojnë se jam vetvetja. Nëse personazhit nuk i dhuroj çdo gjë timen, të shpirtit, të mendjes, të fizikut, atëherë nuk e marr përsipër.


Çfarë e ka mbrujtur formimin tuaj?


Për mua shkollë kryesore është dhuntia. Është e pamundur që në këtë moshë të më mësoj një regjisor sesi duhet të interpretoj. Ka ngelur shkolla e Stanislavskit dhe do të ngelë tek unë, po ashtu Mejerholdi dhe Pina Bauch. Por edhe profesorët e mi. Në shkollën e lartë kam pasur profesor Faruk Begollin dhe Bekim Fehmiun.


Me Unkovskin keni pasur disa bashkëpunime. Çfarë vlerësoni tek ai regjisor?


Unkovski është një shkollë padyshim. Ai është një njeri i madh, pastaj një artist i madh.


Punoni në Teatrin e Shkupit prej vitesh. Çfarë problemesh vuan ai?


Teatri e humbi misionin e tij qysh me ardhjen e këtij pluralizmi të gënjeshtërt, nga momenti kur menaxhuesit e teatrit filluan të emërohen nga partnerët e koalicione qeveritare. Teatri i Shkupit nuk trajtohet njëlloj si Teatri Kombëtar i Maqedonisë apo Teatri i Dramës. Ministria e Kulturës së Maqedonisë nuk derdh fonde po aq sa për të tjerët.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›