E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mure që mbyllin rrugë

Në Tiranë u ngritën mure të reja në zonën e përfaqësive të huaja mes Rrugës së Kavajës dhe asaj të Durrësit. Muri kryesor ishte ai që ndau më dysh Rrugën "Frederik Shiroka".


Janë ndërruar disa herë pushtetet e qeveritë, por askujt s'i ka ardhur për mbarë të shembë këta mure tashmë të pakuptimtë pas të cilëve shqiptarët presin të marrin viza


Pasi u larguan "refugjatët e ambasadave", në korrik të vitit 1990 qeveria shqiptare filloi të merrte masat që ngjarje të tilla të mos përsëriteshin. Prandaj, pothuaj një vit pas shembjes së Murit të Berlinit, në Tiranë u ngritën mure të reja në zonën e përfaqësive të huaja mes Rrugës së Kavajës dhe asaj të Durrësit. Muri kryesor ishte ai që ndau më dysh Rrugën "Frederik Shiroka" dhe ia mbylli daljen në Rrugën "Skënderbej" (rruga e ambasadave).


Mure të tjerë bllokuan dhe daljet e të gjitha rrugëzave në të dy krahët e Rrugës "Skënderbej". Që atëhere janë ndërruar disa herë pushtetet e qeveritë, por askujt s'i ka ardhur për mbarë të shembë këta mure tashmë të pakuptimtë. Kështu, Shqipëria hyri dhe po ec në mijëvjeçarin e dytë me mure që mbyllin rrugë.

Pak histori

Muret e vitit 1990 filluan të ndërtohen në gusht, me shumë nxitim, që të ishin gati para se të mbërrinin studentët. Por pavarësisht nga nxitimi, ndërtimi u bë shumë "cilësor". Si fillim, Rruga "Frederik Shiroka" u ça mespërmes nga një kanal - rreth gjysmë metër i thellë, ku u vu një skelet dërrasash mbi një metër i lartë, i cili më pas u mbush me beton (për t'u bërë ballë makinave që atë verë ishin çmendur fare pas ambasadave) dhe pastaj tulla u hodh përpjetë pothuaj tri bojë njeriu.


Muri i posandërtuar mbi rrugë ishte zgjatim i murit të Ambasadës Gjermane dhe shkonte paralel me murin e Ambasadës Greke, disa metra larg këtij të fundit, duke i rënë mespërmes kopshtit të një shtëpize të vogël, e cila u prish.


Ai u suvatua dhe lart i ngulën varg copa qelqi nga shishe të thyera, që vezullonin si gurë të çmuar kur u binte dielli... Një mur tjetër mbylli daljen e rrugëzës "Halim Xhelo" si dhe lidhjen e Rrugës së Bogdanëve (atëhere "Çajupi") me Rrugën "Skënderbej".

Pak më vonë u vunë postblloqe në pikat ku Rruga "Skënderbej" takohet me Rrugën e Kavajës dhe me Rrugën e Durrësit - mure të ulët, të pajisur me kangjella shumë të larta, që sipër mbarojnë me maja më të mprehta se heshtat e të parëve tanë. Meqë gardhet e hekurt shkonin tejpërtej, në trotuare u hapën dyer për këmbësorët.


Më pas, për t'i bërë pengesat disi ekologjike dhe të hijshme, në mes të rrugës u sajuan vaska me dhe, ku u mboll pak bar e nja dy bredha. Kështu, pa zhurmë e bujë, d.m.th pa ceremoni përurimi, këto mure dhe postblloqe u bënë pjesë e dekorit të kryeqytetit tonë.

Por bllokimi i rrugëzave në këtë zonë kishte filluar që në vitet 1987-1988, kur ndërtimi i Ambasadës Gjermane (Gjermanisë Perëndimore), u shoqërua me mbylljen e Rrugës "Gjon Muzaka" (sot "Thoma Kaçorri"), e cila dikur kryqëzohej me Rrugën "Skënderbej" dhe vazhdonte përtej, deri në Rrugën e Bogdanëve. Dikur u fol edhe për një projekt që parashikonte vendosjen e të gjitha përfaqësive të huaja në këtë zonë dhe zhvendosjen e banorëve diku tjetër. Pra, sipas modelit të bllokut të udhëheqjes, të krijohej edhe një bllok tjetër i mbyllur me mure, për të huajt...

Nuk është çudi që ky projekt i marrë të ketë ekzistuar me të vërtetë. Mbetet fakt që mure rrugësh nuk u ngritën pranë përfaqësive të huaja në zona të tjera të Tiranës.

Muri i rrugës merr vlera të reja
Pak kohë pasi u ndërtua muri mbi Rrugën "Frederik Shiroka", me sa duket u vu re se izolimi ishte më i madh nga sa duhej dhe kështu u hap një derë e ngushtë përmes së cilës komunikonin mes tyre policët që ruanin murin. Me lejen e policëve lëviznin ndonjëherë dhe banorët e zonës, deri sa Rruga "Skënderbej" u mbyll krejt.


Që të kaloje aty duhej të hipje mbi dy tulla e mbi një bllok të gurtë, se dera ishte lart, pasi nuk mund të hapej rrafsh me asfaltin, nga që e pengonte betoni i themelit... Më vonë, disa metra më tutje, afër murit të Ambasadës Gjermane, u hap dhe një derë tjetër dhe pastaj të dyja u bënë pronë e Ambasadës Greke. Ato u pajisën me nga tri shkallë dhe kështu Ambasada Greke filloi t'i kryente aty procedurat e dhënies së vizave.


Pastaj pranë njërës derë u çel dhe një dritare, që kuptohet, u vesh me kangjella, ndërsa përtej, ndërmjet murit të vërtetë të ambasadës dhe atij të rrugës, u sajua një lloj zyre, më tej dhe një ndërtim tjetër, njëkatësh, deri te muri i Ambasadës Gjermane, për të pritur vizëkërkuesit e shumtë (në janë pa lejë të gjitha këto, mbase legalizohen me vrullin e tanishëm).


Në mur u vendos një stendë ku afishohen njoftime rreth procedurave të dhënies së vizave apo lista me emra dhe një pllakë që tregon se brenda murit (të rrugës) ndodhet Ambasada e Greqisë. Të dy muret, edhe i rrugës, edhe i ambasadës janë të pajisur me shumë prozhektorë e kamera. Muri i brendshëm ka edhe tela të spërdredhur si spirale, nga cepi në cep.


Rreth 10 vjet më parë, kur u sistemuan rrugët e kësaj zone, muri u lye me ngjyrë portokalli, si gjithë muret e banesave të lagjes, ndërsa rrëzë tij u sajuan disa trotuarka dypëllëmbëshe, ku mund të ecin vetëm macet. Tani, pjesa e murit që shfrytëzohet nga Ambasada Greke, është lyer ngjyrë hiri, ndërsa pjesa që i takon rrugës ka mbetur e portokalltë.


Kështu, ndërsa tek të gjitha ambasadat e kësaj zone njerëzit i marrin vizat duke hyrë në Rrugën "Skënderbej", ata që kërkojnë vizë për në Greqi duhet t'i drejtohen ambasadës përmes murit të rrugës. Nga ana tjetër, gjithë kjo infrastrukturë duket sikur po i uron atij përjetësinë.

Qytetarët


Koha kaloi dhe historia e kësaj zone u pasurua me ngjarje të modeleve "demokratike", siç janë radhët e gjata për të marrë vizë, protesta (sigurisht me lejë nga policia), kamera e gazetarë që filmojnë e marrin intervista.


Në të gjitha këto, personazh i dorës së parë mbetet muri i Rrugës "Frederik Shiroka", të cilit, për fat të keq, kronikat televizive, gazetarët dhe politikanët i japin nderet e një muri ambasade. Në të vërtetë ai do të meritonte të quhej thjesht "mur rrugash (ç)"!

Ndërkaq, banorët dhe kalimtarët që ua do puna të ecin në këtë zonë, duhet të sillen vërdallë dhe të humbin dyfishin e kohës në lëvizjet e tyre të përditshme, pasi disa nga rrugët që dikur siguronin qarkullim e lidhje normale mes pjesëve të qytetit, janë katandisur në rrugëza qorre, të bllokuara nga mure shtetërorë. Një ditë postieri (një djalosh i ri) po rropatej dhe s'gjente dot numrin 1 të Rrugës "Frederik Shiroka", siç shkruante zarfi që mbante në dorë.


Por rruga fillonte me numrin 3, ndërsa para kësaj ishte MURI. Dhe postierit nuk mund t'i shkonte mendja se përtej atij muri të lartë nuk ka ndonjë ambasadë, por është një rrugë, ku ndodhet dhe porta numër 1 e cila i takon Ambasadës Austriake.


Rruga "Skënderbej" që tashmë lidhet vetëm në dy skajet e saj me Rrugën e Durrësit dhe atë të Kavajës, ka mbetur pothuaj siç ishte në vitin 1990, përveç ndonjë ndërtimi të vogël mbi trotuar, në funksion të ndonjë përfaqësie të huaj, diku tjetër janë vendosur blloqe betoni për të rritur sigurinë.


Një gjë që bie në sy është mungesa e makinave dhe numri i vogël i këmbësorëve, mbase të trembur nga hija e policëve që gjithsesi tani nuk i pengojnë për të kaluar drejt Rrugës së Durrësit apo asaj të Kavajës.


Por ç'do të ndodhte vallë nëse një "qetësi" të tillë do ta kërkonin ose nëse shteti ynë do merrte përsipër ta krijonte edhe për Ambasadën Amerikane, për Ambasadën Italiane ose për gjithë ambasadat apo rezidencat e ambasadorëve që ndodhen në rrugë të tjera të Tiranës?


Dhe ç'mund të ndodhte sikur të mbyllej rruga përballë ambasadës italiane dhe tërë njerëzit që kërkojnë vizë atje të prisnin diku, pranë Liceut, ose pranë Rognerit, a Kryeministrisë? Dhe banorët e kalimtarët të rrotulloheshin nëpër rrugët e kthyera në rrugica qorre?


Dhe kush do ta paguante përditë këtë "qetësi" të siguruar me mure që mbyllin rrugët?


Muret e rrugëve në mes të kryeqytetit tonë, 20 vite pas shembjes së Murit të Berlinit, janë fyerje për një vend që është tashmë anëtar i NATO-s dhe synon të hyjë në BE. Ato janë mbeturinat e arrogancës së komunizmit që nëpërkëmbin në mënyrën më të vrazhdë jetën dhe nevojat "e vogla" të qytetarëve. Këto mure as na i kanë ndërtuar e as mund të na i prishin të huajt.


Prandaj, ndërsa presim që bota të na hapë dyert e saj, le të fillojmë të prishim muret që kemi ndërtuar vetë dhe që s'kanë të bëjnë me standarde dhe parametra. Sepse ka rrezik që vizat të na hiqen, por muret tanë të na mbeten.


Për t'i shembur muret rrugaçë të kryeqytetit tonë mjafton pak dëshirë e mirë nga ata që e kanë në dorë të marrin vendime, dhe... një fadromë. Por, nëqoftëse nuk e bëjnë këtë, le të marrin mundimin dhe vendimin të bëjnë një ceremoni për t'ju uruar mureve rrugaçë përvjetorin e tyre të 20-të.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›