Peja, në kërkim të zëvendësuesit të Peharit

“Pehar nuk është larguar ende, por i kemi treguar se sapo të gjendet zëvendësuesi i tij, do të jetë i lirë. Trajneri nuk është i kënaqur me shërbimet e tij, prandaj ai mund të largohet në ditët në vijim”, deklaroi kryetari i Pejës, Art Gashi.
Me gjasë, pasardhësi i kroatit do të jetë amerikan, pasi që kjo është preferenca e kreut të klubit pejan, por edhe e shikuesve.
“Në këtë periudhë është mjaft vështirë të gjejmë lojtarë kualitativë, pasi që ne jemi në kërkim të një lojtari shumë më të mirë, sepse nuk duam të marrim lojtar të të njëjtit nivel. Jemi në kontakte me disa menaxherë. Unë kam dëshirë që lojtari që do të vijë te ne të jetë amerikan, pasi që ata janë më atraktivë dhe të pëlqyer nga publiku”, vazhdoi Gashi.
Peja është njëri prej ekipeve më të organizuara dhe më të forta këtë edicion. Ky ekip bëri përforcime të mëdha gjatë verës dhe me meritë prin në tabelë me 17 pikë, sa ka edhe Sigal Prishtina, e cila fundjavën që shkoi ia shkaktoi humbjen e parë.