elsi shkarkon Di Mateon
Tërmeti ndodhi dhe ishte i stilit të Roman Abramoviçit. Pronari i Çelsit shkarkoi trajneri Roberto Di Mateo, një ditë pas humbjes 0-3 ndaj Juventusit në Ligën e Kampionëve dhe Pep Guardiola cilësohet si favorit për stolin, me Rafael Benitezin si kandidatin rezervë më të pëlqyer.
Kampionët e Europës kishin pësuar një humbje 1-2 në fushën e Uest Bromit në kampionat, ndërsa janë thuajse jashtë Championsit. Reagimi i miliarderit rus ishte më i shpejtë sesa në kohën e shkarkimit të Andre Vijas Boasit, në një kohë që vazhdon të pretendojë seriozisht në kampionat.
Besohet se Abramoviç është nxitur edhe nga situata në gjirin e skuadrës pasi flitet për kundërvënie të disa lojtarëve ndaj trajnerit.
Nën drejtimin e Di Mateos, Çelsi fitoi Ligën e Kampionëve sezonin e kaluar, duke eleminuar Barcelonën në gjysmëfinale dhe duke mundur Bajernin në finalen e Mynihut. Po ashtu, blutë fituan edhe Kupën e Anglisë.
Më parë, Abramoviç shkarkoi Andre Vijas Boasin, i cili e drejtoi skuadrën deri në mars, duke qenë në prag të eleminimit nga Championsi dhe krejtësisht jashtë objektivave në kampionat.
Gjithsesi, lidhur me pasardhësin e Di Mateos, duket e vështirë që Guardiola të pranojë të marrë drejtimin e ekipit tani në nëntor, ndërsa varianti i Rafael Benitezit, ish-trajner i Valencias, Liverpulit dhe Interit, duket më i mundshëm për t’u realizuar.