E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peja përballet me kaos të plotë komunikacioni

Pejë, 12 gusht - Qyteti i Pejës ka kohë që është në kaos të plotë komunikacioni. Nuk shihet ndonjë plan serioz për të vënë rregull. Numri i madh i veturave në qarkullim dhe mungesa e parkingjeve ka bërë që të bllokohen tërësisht edhe trotuaret. Dy institucionet kryesore që do të duhej të vinin rregull, komuna dhe policia, fajësojnë njëra-tjetrën për mosveprim. Institucioni i parë gjithë rrëmujën dhe zënien e trotuareve gjithandej qytetit e shpjegon me mosfunksionimin policisë së komunikacionit, ndërsa policia fajëson KK-në për mungesë të shërbimit të merimangave.
Skënder Avdyli, shef i dikasterit të punëve komunale dhe shërbimeve teknike, duke sqaruar këtë gjendje ka thënë të enjten se policia e komunikacionit nuk funksionon në Pejë. “Po të funksiononte nuk do të kishim këtë kaos”, është shprehur ai. Ka kundërshtuar arsyetimin e policisë së është mungesa e shërbimit të merimangave, gjë që bie mbi autoritetin e KK-së, shkaktare e kësaj gjendjeje. “është e vërtetë se ende nuk kemi përzgjedhur kompaninë për këtë shërbim”, ka thënë ai, duke treguar se 3 tenderë janë anuluar deri tashti. Ai nuk ka treguar arsyen e anulimeve të tenderëve, por ka shtuar se pavarësisht mungesës së këtij shërbimi askush nuk e ndalon policinë që të shqiptojë gjoba në vendet në të cilat ekzistojnë shenjat e ndalim parkimit. Avdyli ka pohuar se të gjitha rrugët e qytetit dhe trotuaret janë të sinjalizuara dhe se, sipas tij, policia mund të kryejë punën e vet edhe pse KK-ja ende nuk ka shërbimin e përmendur nga policia.
Inspektori i komunikacionit, Pajazit Shala, ka qene më i rreptë në kritikat ndaj policisë. “Edhe sikur të mos eksitonte asnjë shenjë komunikacioni në tërë botën është e ditur se trotuaret përdoren për lëvizje të lirë të këmbësorëve. Në Pejë trotuaret përdoren për parkim veturash”, ka thënë Pajaziti. Madje ka shtuar se policia flet kot kur thotë se KK-ja ka faj që nuk ka shërbimin e merimangave. “është pikërisht policia ajo që ka ndërhyrë në përzgjedhjen e një kompanie që do të kryente këtë punë”, ka thënë Shala, duke këmbëngulur se po të mos ishte kjo ndërhyrje Komuna do të kishte eliminuar këtë problem për të cilën mbështetet policia. Shala, duke kritikuar policinë për gjendjen kaotike, njëjtë si Avdyli, ka thënë se policinë nuk e ndalon askush, madje as ligji, që të shqiptojë gjoba për të gjithë parkuesit e veturave në vende të ndaluara.
Zyrtari për shtyp i Drejtorisë së Policisë së Kosovës në Pejë, Zeqir Kelmendi, ka mbrojtur institucionin e vet. Kritikave të autoriteteve komunale në adresë të policisë i ka quajtur të paqëndrueshme. “Mungesa e shërbimit të merimangave, që duhet ta sigurojë KK-ja, është shkaktari numër një i kaosit që po mbretëron”, ka thënë Kelmendi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›