E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pelegrinazh në misteret e Shqipes

Hyrje në historinë e gjuhës shqipe i Eqrem Çabejt, për herë të parë i jepet i plotë lexuesve. Një tekst themeltar i një gjuhëtari univers të cilit ende nuk ia kemi zbuluar të gjitha misteret e tij, do me thënë misteret tona

"Historia e gjuhëve është historia e popujve që i flasin e i kanë folur". Kjo është fjalia me të cilën Çabej nis tekstin e vet Hyrje në historinë e gjuhës shqipe.


Fjali e fortë, ndaj më shumë se një thënie ajo duket si një besojmë. Këtu pohimi histori e gjuhëve si histori e popujve ka të njëjtën vlerë për nistarin sikurse portulani për anijet që përshkojnë brigje të panjohura, pohim që sot na jep dorë të kuptojmë pandashëm qoftë rrugëtimin historik të gjindjes sonë, e qoftë shpirtin e kësaj gjindje - gjuhën shqipe.


E të kuptojmë gjithashtu, si të kemi kthyer fletën e fundit të këtij libri që ndërtohet i gjithi mbi këtë besojmë, se të dyja këto rrugëtime historike, të lidhura në mënyrë organike si recto dhe verso e papirusit historik të Shqiptarëve, janë në fakt një histori-pa-mbarim.


Papirusi, pra nuk ka cak; ai vijon pambarimisht të zgjatet e t'u bëjë vend zbulesave, fakteve, evolucionit dhe zhvillimeve të reja të bashkëjetesës së Shqiptarëve mes vedi dhe me të tjerët rrotull tyre.

Duke u nisur nga ky objekt i dyfishtë historik, Çabej me këtë tekst themelor kapërceu një hendek të madh studimor në fushë të albanistikës. Nëse objekti do të kish qenë njëdrejtimësh, pra ose histori gjuhe ose histori populli, rezultati do të kish qenë i gjymtë.
mbushej (siç është verifikuar në mjaft studime të tjera), në rastin e parë nga teknicizma të tepërta gjuhësore që rëndom e shtyjnë debatin në rrugë pa krye, ndërsa në rastin e dytë në vërshime mitesh e fantazish, të cilat edhe mund ta ndihin shkencën, por nuk mund ta zëvendësojnë atë.

Peng i gjysmës së parë mbetën gjithë ata punëtorë të shqipes, të cilët u nisën të hetonin në laboratoret e fonetikës historike, të morfologjisë apo të etimologjisë, fondin tonë gjuhor të dëshmuar me shkrim, pra atë fond që i takonte periudhës historike.

Shembullin tipik të kësaj ngecje në rrjetë mund ta vërehet tek pohimi i Auguste Dozonit, i cili në hymje të fjalorit të vet shkruante se "gjuha shqipe, që ndan Shqiptarët nga pjesa tjetër e botës, dukej sikur kishte me na dhanë çelsin e prejardhjes së tyre e të zbulonte prej nga ata vijnë. Por kjo gjuhë, mozaik i çuditshëm copash që duken sikur janë mbledhë anë e për anë, nuk ofron në dukje të parë tjetër posë një enigme tekanjose e të padeshifrueshme".



Mandej Meyeri, Pederseni, Jokli, Tagliavini e të tjerë, të cilët kishin formim të rreptë gjuhësor e indoeuropeist u munduan ta zhdrivillojnë këtë enigmë, por ngase iu referuan vetëm shtegut të historisë (së gjuhës shqipe), rezultatet e punës së tyre vërtet përmirësuan shumë treguesit e fondit autokton të gjuhës sonë, por nuk mundën të zdritin vijimisht edhe historinë e qytetërimit të Shqiptarëve në etapat e saj. Ç'është tek e fundit historia?


Një term që në përmbajtjen e vet kuptimore don të thotë "kërkim, hulumtim", e që si i tillë u pat përdorë nga Herodoti për të treguar kërkimet që ai kish ndërmarrë rreth fakteve që përshkruante.


Mijëvjeçarë larg Herodotit, kjo shkencë u përkufizua në fund si shtjellim i ndeshtrashave njerëzore sipas vijimësisë kronologjike dhe ndërthurjes së shkaqeve me pasojat. Kuptohet kësisoj se besojma nistore e Çabejt buron pikërisht nga ky konceptim modern i shkencës së historisë. Po përse vallë ai ia doli, ndryshe nga indoeuropeistët e lartpërmendur, të përzgjedhë objektin e dyfishtë?


Kjo spjegohet vetëm duke i rënë në gjurmë fazave nistore të kontributit të këtij dijetari. Çabej e nisi punën si etnolinguist. Vlen të përmendet me këtë rast punimi i tij i parë mirëfilli shkencor, Studime italo-shqiptare, të cilin ai nuk e kreu në bibliotekat e Vjenës, por zgjodhi të shkojë e të ngulet aty ndë Horë t'Arbëreshvet, në truallin etnik, kulturor e historik që e ushqente këtë gjuhë.


N'atë gjuhë kjo bashkësi e shquar edukonte pinjojt me urtinë e proverbave e me mahitë e gojdhanave, uronte të sapomartuarit me gazmendin e këngëve dhe vajtonte po ashtu të vdekurit me gulçet e ligjeve.


Kontributi shkencor i Çabejt zen fill pra pikërisht nën këtë shenjë përkushtimi të dyfishtë për gjuhën dhe etninë e vet; dhe këtu vështirë se mund të ndahet misionari ynë i shqipes nga humanistët e hershëm si Buzuku e Bardhi që patën si shtysë "n'së dashtunit botës sanë" dhe për "me ndimuem së pa fatësë dorës Arbeneshe".

Këtu pra, dijetari ynë u nda në shenjë nga kolegët e vet, duke bërë që korpusi çabejan për shqipen të mos konsiderohet si arkivë e gjuhësisë, por si pasuri kombëtare, madje e gjithë sojit arbënor. Veprimtaria gjuhësore s'mund të jetë tjetër veçse një shembëlltyrë e krejt veprimtarisë njerëzore, ndaj dhe gjuhësia jonë historike sot mundet ta themelojë një teori të përgjithshme të institucioneve tona njerëzore.

Ky ngjan të jetë kumti i mprehtë i gjithë veprës; e në qoftë njimend kështu, atëherë ne shqiptarët kemi shumë punë për të bërë, për disa breza rresht, duke e mbajtë gjithnjë hapur këtë vademecum në tryezat e punës, siç mbajnë nxënësit një ksombël ku jepen zgjidhje problemash analoge.


Hyrje në historinë e gjuhës shqipe u vjen shqipfolësve në një moment historik tejet të volitshëm, kur ritrupëzimi i kulturës sonë në familjen e kulturave europiane është tashmë një proces i pakthyeshëm, pas një shmangieje të shtrënguar mëse pesëshekullore.


Me një qasje krejt ndryshe nga këndvështrimi i lartpërmendur i Dozonit, pas të cilit "gjuha shqipe ndan Shqiptarët nga pjesa tjetër e botës", Çabej na dëfton se historia e gjuhëve dhe kulturave të popujve është një histori integrimesh, jo dasish. Pra gjuha e tyre ndonëse enigmatike i bashkon shqiptarët me fqinjët e tyre të afërt e të largët.


Çdo grup etnik bart një gjuhë të vetën e kur ai hyn në marrëdhënie me të tjera grupe, lidhen miqësi, bashkime, shkëmbime apo ndodhin përplasje që mund të shpien në bdarjen apo zgjerimin e vetë grupit.


Ajo çka ndodh me popujt, ndodh më pas me gjuhët. E nëse ndeshtrashat historike rrëfehen nga kronikat, të cilat gjithqysh hartohen nga individë, ndeshtrashat gjuhësore "nënshkruhen" nga bashkësitë prej miliona folësish, për t'u dëshmuar mandej përmes mijëra fjalësh e thëniesh.


Ndaj dhe të bësh arkeologjinë e një gjuhe mbetet punë pa grat nëse ajo nuk shërben për përtrimjen e vazhdueshme të historisë së bashkëjetesës mes popujve.



Kështu pra, Çabej ja kushton krejt pjesën e parë të këtij libri marrëdhënieve ndëretnike rindërtuar edhe përmes dëshmive gjuhësore, para se të kalojë në pjesën e dytë, e cila u kushtohet huazimeve në gjuhën shqipe.

"Marrëdhëniet baltike-shqiptare; marrëdhëniet greke-shqiptare; marrëdhëniet shqiptare-armene, marrëdhëniet kelte-shqiptare; lidhjet ilire-shqiptare ne gjuhë; lidhjet trake-shqiptare" - e kështu duke kaluar nga një nënkre tek tjetri, lexuesi gjendet befas brenda një makine të kohës, që e drejton atë drejt visesh e shekujsh që më parë i janë dukur krejt të errët e të pakapërcyeshëm.


Ndërsa tash i jepet mundësia të jetë pelegrin në kah të kundërt me rrugëtimin e përbashkët të të parëvet të tij sikurse Dantja në Komedinë hyjnore.


Në këtë rrugëtim Çabej është një Virgjil për sekushin që e lexon, shkencëtari shndrrohet në udhërrëfyes. Lexuesi nuk e ka të vështirë të integrohet me përditshmëninë e tij, pasi binarët mbi të cilët udhëton me këtë studim janë ato të të vërtetave shkencore e jo të miteve, të cilat në punë të historisë së gjuhës kanë gëluar e sot po gëlojnë madje me tepri.



Pas pelegrinazhit historik të kreut të parë, bëhet e thjeshtë të kuptuarit e të dhënave gjuhësore që rreshtohen në kreun e dytë e në fakt përfaqësojnë gjurmët e këtyre tremijë vjet bashkëjetese.


"Huazimet greke, latine, italiane, frënge, sllave, turke, përpjesëtimi i elementit të huaj në gjuhën shqipe ndaj elementit autokton", e mandej, për t'i kthyer temës së integrimit, vijohet me elementet e shqipes në gjuhët e tjera të Ballkanit dmth me huazimet shqipe në greqishten e re, në gjuhët sllave, në turqishten e në rumanishten.


Gjithë sërenditja konkrete e fakteve gjuhësore të pjesës së dytë, përmbyllet mjeshtërisht nga një panoramë e thukët shkencore e mbi stadin e gjuhësisë ballkanike dhe e kontributeve të saj. Edhe kjo temë, krejt në harmoni me gjithë të mëparshmet në tekst, ndërtohet si pjesë mirëfilli krahasimtare.

Veç kësaj ajo nuk e vuan aspak atë të metë nga e cila preken jo rrallë shkrime që synojnë përshkrimin e një fushe të dijes përmes emra shkencëtarësh e kontributesh përkatëse, por që shpesh janë aq hermetike e të thata sa ngjajnë më fort si skedarë memecë bibliotekash a si bibliografi në fund të librit Krejt ndryshe nga lista kësodore, edhe kjo pjesë e punimit i ngjan një shregulle ku kalamenden bashkë gojëdhana, proverbe e lokucione të ngjashme popujsh të ndryshëm.

Sa për ilustrim, citojmë një fragment të kësaj pjesë ku Çabej shkruan se "disa nga frazat ballkanike e kanë burimin në besimet popullore e në përralla. Kështu shqip kalë jeshil 'një gjë e pamundur' (ti do kalë jeshil), rumanisht cai verzi, greqishte e re prásina áloga, ka dalë nga kuajt e gjelbër që ndeshen nëpër përralla, si te Përrallat greke e shqiptare të Hahnit".

E kjo shrregull vërejmë se luhatet sa nga Orienti aq nga Oksidenti, sa nga paganizmi aq nga religjonet monoteiste. Lexuesi shqiptar nuk ndjehet më fillikat në mes të ishullit-zhguall-breshke si të ketë mësuar nga këto fletë se "gojëdhana e murosjes së një gruaje të gjallë në këmbë të një ure ose në një kala, me qëllim që ndërtesa e re të mbajë është e përhapur në Ballkan e jashtë Ballkanit.

Kjo gojëdhënë është lokalizuar në një kala në Shkodër, në Porto Palermo e gjetkë, e në një urë në Dibër, në Berat (Goricë). Mandej ndër Serbë e Boshnjakë te Kalaja e Shkodrës, në Greqi te ura e Nartës, në Rumani te manastiri Arges. Petar Skoku ka vënë në pah se muratorët aromunë kanë ndihmuar në përhapjen e kësaj legjende nëpër viset e Ballkanit".



Mbërrihet kështu në pjesën e tretë dhe të fundit të këtij teksti "Shqipja e re (e sotme)", e cila nis me një cekasë mbi etnonimin e shqiptarëve, vijon me hartografinë e përhapjes së gjuhës shqipe ndër koloni e diaspora jashtë Shqipërisë, e më pas skicohen dialektet truallsore të shqipes për t'u përmbyllur me shqipen si gjuhë e shkruar.

Te kjo nyjë e fundit vlen të ndalemi një hop. Krejt në mbyllje të punimit, në dy faqet e fundit Çabej përshkruan shqip e pa u ndërmlytë stadin e shqipes së sotme dhe thotë se tash së fundi shqipja "më nj'anë ka përparuar, më anë tjetër ka shkuar prapa; më nj'anë ka pasur një lulëzim, më anë tjetër është stërkequr.

Ky zhvillim negativ karakterizohet me largimin e gjuhës së shkruar nga gjuha e popullit. Në këtë kuptim mund të thomi se sot ka gjer diku dy gjuhë ndër ne: më nj'anë gjuha e shkruar e intelektualëve, më anë tjetër gjuha e thjeshtë e popullit [...] Midis gjuhës ekzakte të shkrimit dhe gjuhës së gjallë të popullit ne duhet të mbajmë një rrugë të mesme.

Sa kohë që duam që shqipja jonë as të mos mbetet një gjuhë e pasme (e prapambetur), as të mos bëhet një gjuhë artificiale". Këtu mbyllet libri por një tjetër uturimë nis e vrungullon në kryet e kujt e ka njësuar shqipen me qenien e vet transhendetale, të gjithkujt që e di se çdo bashkësi që prodhon gjuhë, e dorëzon njiherit veten në duart e gjuhës që ka prodhuar.


"Sot ka gjer diku dy gjuhë ndër ne" - shkruante Çabej. Ky konstatim i thënë kaq shkurt e shqip, i vetëm në llojin e vet n'ato kohë kur në Shqipëri kish rënë perdja e hekurt e diktaturës mbi dije e kulturë, të kujton përcaktimin që dhanë gjuhëtarët Brugmann e Meillet mbi shkakun e bdarjes së latinishtes.

Ata vunë re se latinishtja iu mbajt deri në fund një modeli ortodoks (konservator) të formës së shkruar, i cili nuk evoluoi më tok me folësit e saj.

E ndërsa forma zyrtare mbeti e ngulët, të folmet vulgare vijuan rrugëtimet e veta, deri ditën që ndërmjet atyre dhe latinishtes u gjend në mes një hon. Nuk është pra aspak rastësi që misionari i dijes sonë albanologjike e mbyll këtu, me këtë fjali. Pra ky libër çelet me një besojmë e mbyllet me një detyrë. Apo ndoshta me një amanet?

Mund të shkruhet hollë e më hollë për këtë tekst, por ajo që ka rëndësi është të kuptohet po kaq hollësisht mesazhi i atij që e shkroi.

Një mesazh i lirë lyp mendje të lira. E gjithqysh, në mbyllje të këtij rravgimi mbi Hyrje në historinë e gjuhës shqipe që për herë të parë u jepet i plotë lexuesve, mund të thuhet plot gojë se Çabej është një univers të cilit ende nuk ia kemi zbuluar të gjitha misteret e tij, do me thënë misteret tona.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›