E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një Norma lirike

Kritikë / Vënia në skenë e operës së Bellinit është një tregues për kërkesat që TOB ka edhe ndaj publikut, i cili, edhe mes të ftohtit të sikletshëm të sallës, nuk e fshehu entusiazmin


Ditën e shtunë, në Teatrin e Operës dhe Baletit u shfaq opera "Norma" e kompozitorit italian Vincenzo Bellini dhe ashtu si ndodh në përgjithësi për veprat që kanë kohë pa u vënë në skenë, ajo karakterizohej nga një atmosferë pritëse për atë çfarë do të sillte. Megjithatë, në këtë rast, pritja ishte disi më e ndryshme për shkak se, edhe pse jo shumë e shpeshtë në skenën shqiptare, "Norma" është përgjithësisht shumë e dashur për publikun.



Sigurisht, një ndër arsyet kryesore për këtë ka të bëjë me arien e saj të famshme, "Casta Diva", e cila në sajë të zërit të Maria Kallasit, ka fituar një status krejt të veçantë thuajse duke u shkëputur nga vetë opera. Sidoqoftë, "Norma" mbart në vetvete edhe shumë cilësi të tjera, të cilat patën një ndikim të konsiderueshëm në zhvillimin e mëtejshëm të operës italiane e më gjerë.

Për më tepër, këtij ndikimi nuk mundi t'i shpëtojë as Vagneri, i cili pavarësisht skepticizmit të madh për melodramën italiane, nuk e fshihte admirimin dhe tërheqjen për të.
Në interpretim, trupa shqiptaro-italiane drejtuar nga Eddi de Nadai ishte përpjekur të nxirrte në pah një nga cilësitë kryesore të veprës së Bellini-t; lirizmin e spikatur vokal dhe rolin e tij në ndërtimin dramaturgjik të veprës.


Në këtë kuadër, spikatën jo aq numrat koralë sesa ansamblet, duetet dhe numrat solo, të cilët zinin vendin më të rëndësishëm në gjithë dramaturgjinë e operës dhe në nyjet e zhvillimit të saj. Nga ana tjetër, orkestra që përdor Bellini, edhe pse e pasur në ngjyra, mbetet kryesisht në mbështetje të zërit dhe të kantilenës, një tipar karakteristik për operën e asaj periudhe.


Dirigjenti i kish qëndruar besnik një trajtimi të tillë dhe duke përjashtuar disa pasiguri në fillim të aktit të parë, ajo shoqëroi personazhet me lëvizje fine, të qarta dhe me një dinamikë të lehtë.


Ishte ky model trajtimi ai që dha mundësinë të evidentohej edhe më shumë melodia e kënduar, kantilena lirike e cila përqendrohet mbi të gjitha te Norma, e interpretuar nga Eva Golemi.


Norma, është një personazh kompleks që me natyrën e saj vjen në radhën e personazheve femërorë si Medea, Luçia e Lamermurit, Madam Baterflai, etj.


Duke iu përmbajtur karakteristikave të gjuhës muzikore të '800-s, me një lirizëm të trajtuar në detaje, Golemi sjell këtë figurë tragjike në gjithë planet që e karakterizojnë: si priftëreshë, si nënë, si grua, për ta përgjithësuar më pas në kuadrin sentimental si gruaja që lufton mes dashurisë, urrejtjes, xhelozisë, zhgënjimit dhe drejtësisë.


Ky detaj u vu re në aktin e dytë, në të cilin figura e saj, portretizohet akoma më shumë. Këtu mund të veçojmë marrëdhënien interesante në duetet me Adalxhizen dhe sidomos skenën finale.


Ndryshe nga Norma, figura e Polinoes, nuk u dallua për cilësi të tilla ndërkohë që edhe pse në rol episodik, Armando Lika arriti të krijonte emocionin e duhur në rolin e Overosos.


Sa i takon operës në përgjithësi, akti II erdhi i organizuar mjaft mirë krahasuar me aktin I. Ky i fundit nuk e kishte atë rrjedhshmëri dhe atë lidhje organike të gjithë përbërësve me njëri-tjetrin, gjë që u shfaq shumë e realizuar te i dyti.


Zhvillimi dramaturgjik i ngjarjeve, po aq sa portretizimi i situatave emocionale me kontraste të shumta erdhën në mënyrë krejt të natyrshme drejt finales, që ishte edhe momenti më i realizuar i gjithë operës.



Me trajtimin e vet lirik dramatik, me kontrastet e shumta emocionale opera "Norma" është padyshim një nga veprat më të rëndësishme të teatrit muzikor.


Ajo përfaqëson një periudhë të rëndësishme të melodramës italiane, e cila do të kulmojë më tej me Verdin dhe Puçinin.

Për këtë arsye, besoj se vënia në skenë e kësaj opere nga TOB, është një tregues i qartë për kërkesat që vetë ky teatër ka ndaj vetes, po aq sa edhe ndaj publikut, i cili, edhe mes të ftohtit të sikletshëm të sallës, nuk e fshehu entusiazmin për të. Ndërkohë, më vjen shumë mirë që për ta realizuar një gjë të tillë në mënyrën më të mirë të mundshme janë pikërisht artistët shqiptarë ata që dallohen në mënyrë të veçantë.

"Net shqiptare" në Prishtinë
Shfaqet sonte në Teatrin Kombëtar të Kosovës performanca "Net shqiptare", produksion i Teatrit Shqiptar Shkup, me regji të Enton Kacës. Interpretojnë Sefedin Nuredini, Adrian Aziri, Xhevdet Jashari, Adem Karaga, Besfort Idrizi dhe Blerim Dardhishta.
Edhe një herë, Kaca tenton autorë shqiptarë duke përpunuar tekste që i rrinë mirë aktualitetit dhe përcjellin edhe një frymë kritike. Duke u shpjeguar Kaca thotë se ""Net shqiptare" vjen para publikut në një situatë të komplikuar politike, ku më së shumti ata që bëjnë politikën sot në trojet shqiptare gjenden në konflikt për arsye të interesave personale. Pasojat janë evidente. Varfëri, papunësi, krime, situatë pesimiste, mungojnë aspiratat, idealet. Ushqehet përçarja, ndjenja e arrivizmit pa u lodhur, pa punë, pa merita.
Në këto shkrime ndjehet qartazi fryma sarkastike mbi atë që quhet ndërgjegje kombëtare por që në thelb s'është asgjë tjetër vetëm një dramë e radhës e popullit shqiptar, është komedia e butaforisë heroike kërkuar me ngulm edhe kur nuk ekziston. Është tragjedia e radhës që na shoqëron prej shekujsh, ku mungon vërtetësia, ku hiperbola është kryefjalë e historisë dhe e emrave që kanë shoqëruar këtë histori. Këto shkrime u përzgjodhën për arsye se mbështesnin idenë tonë kryesore mbi ndërtimin e një shfaqjeje ku të viheshin në pah disa elementë tragjikomikë të historisë dhe kulturës tonë popullore, ose më mirë, të çmitizohen disa faktorë historikë, socialë, kulturorë të cilat nuk kanë lidhje me eposin tonë, historinë e kulturën kombëtare, por vetëm me vëllavrasjen, mentalitetin e prapambetur, dogmën dhe me atë që quhet pjesë e errët e historisë së shqiptarëve." Dhe bëhet fjalë as më pak e as më shumë po për Mitrush Kutelin, Faik Konicën dhe Anton Çettën.
Kaca shton se trupa vjen në këtë performancë pas një pune kërkimore mbi të gjithë elementët që kërkon ngritja e një vepre skenike, si trupi, teksti, hapësira, veprimi, kostumi, gjesti, kënga, objektet. "Pjesëmarrja e aktorëve në këtë vepër nuk parashikon personazhe konkretë me emra apo biografi, ata janë prezentë në hapësirën skenike në çdo situatë që lind gjatë punës, puna kryesore e aktorëve në këtë shfaqje është zhvilluar mbi disa elementë kryesorë të prezencës fizike e antropologjike gjestuale trupore".
Shfaqja e "Net shqiptare" në Kosovë është pjesë e bashkëpunimit që tri teatrot shqiptare (Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatri Kombëtar i Shqipërisë dhe Teatri Shqiptar Shkup). Nuk dimë nëse kjo punë e regjisorit nga Tirana do të vijë edhe në Shqipëri.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›