Pelegrinët dynden në Betlehem për kremtimin e Krishtlindjeve
Një diell rrëzëllitës ka pritur pelegrinët në Betlehem, zemër e festimeve të Krishtlindjes. Në Tokën e Shenjtë priten rreth 90 mijë kristianë nga egjithë bota, 20 mijë më shumë se vitin e kaluar. Ndërkohë që në qytezën e Cisjordanisë, ku lindi Jezusi, 3 mijë dhoma hoteli dhe shtëpitë me qera janë të gjitha të zëna. Kështu, mijëra turistë, pelegrinë dhe klerikë janë mbledhur në Betlehem, ndërsa qyteti i lindjes së Jezusit po përgatitet për të festuar Krishtlindjet. Pelegrinët kanë nisur të ndezin qirinjtë brenda Kishës “Lindja e Krishtit”, të cilën të krishterët e identifikojnë si vendi kur para dy mijë vjetësh Jezusi lindi në një ahur. Nga ana tjetër, policët palestinezë të vendousr përreth po ruajnë qetësinë. Patriarku Fuad Tual do të mbajë meshën e mesnatës në kishë, që shënon edhe kulmin e festës në qytet. I pranishëm do të jetë edhe presidenti palestinez Abu Mazen. Gjithsesi ndikojnë jo pak ngjarjet e 2010-s në zemrën e një zone të shenjuar nga masakra dhe nga eksodi I kristianëve të Irakut, si dhe nga gjendja e pazgjidhur e procesit të paqes midis izraelitëve e palestinezëve.