E Enjte, 5 Nëntor 2026

Peleshi: Helikopteri Cougar ndihmon për shuarjen e zjarrit në Dhërmi


TIRANË, 4 korrik/ATSH/ Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi njofton se helikopteri “Cougar” dhe Forcat e Armatosura i kanë ardhur në ndihmë zjarrfikësve që po punojnë për shuarjen e flakëve në Dhërmi.

Ministri Peleshi ndau në rrjetet sociale pamje nga puna që po zhvillohet për shuarjen e zjarrit në një prej kodrinave në zonën e Dhërmiut. Zjarri ka rënë në mesditë, ndërsa era ka favorizuar dhe përhapjen e tij.

“Helikopteri ‘Cougar’ dhe efektivë të FA kanë shkuar në ndihmë të forcave që po përpiqen të shuajnë zjarrin e rënë këtë pasdite në Dhërmi. Për shkak të terrenit të vështirë, situata ka qenë disi problematike për ndërhyrjen me mjete, por trupat janë duke punuar për të vënë në kontroll të plotë flakët”, shkruan Peleshi.

“U bëjmë thirrje të gjitha strukturave vendore të ndërhyjnë menjëherë kur vënë re vatra zjarri për të mos lejuar që ato të përhapen në terren më të gjerë. FA, Agjencia e Mbrojtjes Civile dhe Ministria e Mbrojtjes janë në gatishmëri të plotë në çdo rast, kur kërkohet ndihma e tyre”, përfundon postimin e tij Peleshi.

Më herët, lidhur me zjarrin në Dhërmi, ka reaguar dhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla.

/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›