E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Peleshi: Përkundër sfidave dhe kostove politike, PS ka mbajtur gjithmonë kursin e reformave

TIRANË, 17 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi deklaroi sot se përkundër sfidave dhe kostove politike, PS ka mbajtur gjithmonë kursin e reformave të guximshme dhe modernizimit të vendit.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Peleshi shprehu bindjen se shqiptarët do të zgjedhin progresin dhe jo konfliktin.

“Jemi shumë të ndryshëm në këtë sallë. Kemi raporte të ndryshme me historinë dhe vizione të ndryshme për të ardhmen, por te vota e diasporës nuk duhet të ndahemi, pasi është një borxh që duhet ta shlyenim vite më parë”, tha Peleshi.

Peleshi theksoi se “PS është parti e modernizimit, emancipimit, reformave të guximshme, të Reformës në Drejtësi”.

“PS është partia që di të marrë kosto dhe të kuptojë se asnjë gjë e mirë nuk vjen pa dhimbje. Reforma në Drejtësi ishte dhe mbetet reforma jonë më e madhe, por ka kosto politike. Ne zgjodhëm të bëjmë të drejtën dhe jo të lehtën dhe kjo na bënë krenarë. PS është e vetmja forcë që pati guximin të prekë të paprekshmin, sistemin e vjetër të drejtësisë që ishte kthyer në mburojë e korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë”, shtoi Peleshi.

Sot, vijoi ai, “edhe pse na kushton ne vazhdojmë të kemi besim se drejtësia e re do të rritet dhe maturohet si një proces që kërkon kohë”.

“Në këtë proces padyshim që ka edhe devijime dhe nevojë për reflektim për standardet, por për asnjë arsye ne nuk do të ecim mbrapsht. Kjo nuk është dobësi, është forcë karakteri, që na dallon nga ju që e keni kthyer shkatërrimin e drejtësisë së re në program politik. Ky është një dallim i madh që na ka shoqëruar në 35 vite”, shtoi Peleshi.

Duke iu drejtuar opozitës, Peleshi u shpreh se “ne ndërtojmë ndërsa ju shkatërroni”.

“Ka ardhur koha të tregojmë edhe njëherë se socialistët janë ndryshe. Të gjithë qytetarët e kuptojnë se çfarë po ndodh sot është pasojë e reformave tona, rezultat i guximit tonë për të ndryshuar sistemin, standardet evropiane në drejtësi. Si në çdo fushë tjetër të jetës nuk mund të arrihen as për një vit as për një dekadë”, tha Peleshi.

Peleshi nënvizoi se në çdo rast asnjë gjë nuk na bën të ndryshojmë mendim se sistemi që ndërtuam është më mirë se kaosi që trashëguam.

“Socialistët kanë qenë gjithmonë në anën e ndërtimit. Digjitalizuam shërbimet publike dhe mbyllëm sportelet e ryshfetit që trashëguam nga ju. Transformuam infrastrukturën kombëtare. Futëm Shqipërinë në hartën turistike të botës. PS është e vetmja forcë që do t’i japë dinjitetin e merituar pensionistëve”, shtoi Peleshi.

Peleshi nënvizoi se vota për PS-në është votë për stabilitet dhe zhvillim, jo për aventura politike që cënojnë stabilitetin.

“Ne jemi të vetëdijshëm për sfidat dhe plagët ende të pashëruara ndaj edhe jemi të besueshëm. Sot shqiptarët e dinë se kur socialistët qeverisin ka stabilitet, zhvillim. Tirana është sot padyshim kryeqyteti më vibrant në rajon. Shqipëria është destinacion në top listën e destinacioneve evropiane. 11 maji do të konfirmojë se shqiptarët zgjedhin rrugën e progresit dhe jo rrugën e tensionit që ju ofroni pa u lodhur çdo ditë”, tha Peleshi.

Peleshi i drejtoi një mesazh çdo socialisti të zakonshëm që të kërkojnë votën në çdo derë dhe adresë me më shumë motivim se kurrë më parë.

“Një opozitar jeton si i barabartë kur qeverisin socialistët, ndërkohë socialistët nuk mund të harrojnë diskriminimin në çdo zyrë dhe institucion. Njerëzit tanë u vranë në rrugë se luftonin kundër korrupsionit. 11 maji do të tregojë se shqiptarët votojnë për vizionin tonë dhe jo kaosin tuaj. Votojnë për një forcë që ka rekord investimesh, ka trefishuar buxhetin në 10 vite dhe ka çuar në 1 mijë euro pagën mesatare në administratë”, shtoi Peleshi. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›