Pëllumb Kulla kthen humorin në Fier
Trupa e aktorëve të teatrit "Bylis" të Fierit është duke u përgatitur varietenë e titulluar "Kolltuku amerikan", e cila do të ngjitet në skenë me rastin e festës së të dashuruarve. Kështu është menduar të festohet në Fier 14 shkurti, me një variete humori e cila mban firmën e Pëllumb Kullës. Nga Amerika e largët ku jeton, autori, ka dërguar krijimin e tij më të fundit të cilën ka marrë përsipër ta realizojë regjisori Klajd Marku. Për realizimin e kësaj vepre, autori i humorit, Pëllumb Kulla, është frymëzuar jo vetëm prej realitetit shqiptar, por edhe atij amerikan në të cilin jeton prej vitesh tashmë. Sipas regjisorit dhe aktorit Klajd Marku "Kolltuku amerikan", është ende në fazën parapërgatitore, ndërkohë që aktorët tashmë kanë në dorë pjesën më të madhe të skenarit. Ata ndihen shumë mirë me rolet përkatëse. "Tematika dhe motivi i humorit të Pëllumb Kullës nuk mund të mos shkëputet nga dyshtetësia e tij, ajo amerikane dhe ajo shqiptare. Në veprën e tij që jemi duke vënë në skenë kuptohet fare mirë botëkuptimi shqiptar në mendjen e një amerikani si dhe anasjelltas, Amerika në botëkuptimin shqiptar. Jeta e ndërsjellët e këtyre dy shteteve dhe dy botëve me një sarkazëm të theksuar dhe një stil të mrekullueshëm artistik, është shkruar me një gjuhë të thjeshtë dhe me një fjalor sa popullor aq edhe tundues. Gjithçka nga Kulla vjen këndshëm, urtë dhe me humor", ka thënë regjisori Klajd Marku. Lidhur me shtrirjen episodike të varietesë, regjisori Marku ka treguar se janë mjaft kulme ato që do të "shkulin" së qeshuri publikun. "Është vendosur që në qendër të varietesë të jetë një personazh, një veteran, i cili do të rrëfejë çdo zhvillim të ngjarjes. Ky personazh është marrë përsipër nga aktori Fatmir Xhelili. Aktorët e tjerë pjesëmarrës në varietenë e Pëllumb Kullës, janë edhe profesionistët e trupës së "Portokallisë" si Salsano Rrapo, Romir Zalla apo Ervina Kotolloshi, si dhe aktorët e trupës së teatrit të Fierit Todi Llupi, Hajrie Rondo, Hateme Ruzhdia, Fuat Boçi, Doriana Çaushaj etj., të cilët do të interpretojnë në këtë variete. "Kolltuku amerikan", prek disa nga momentet që përjeton shoqëria e ditëve tona. Teatri "Bylis" dhe Drejtoria e Artit dhe Kulturës në Fier vitin kalendarik e ka të mbushur me mjaft aktivitete artistike. Duhet thënë se shumë prej aktiviteteve kanë edhe përmasa ndërkombëtare, siç është festivali i aktrimit "Apollon".