E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHQIPTARET DHE SHOAH: TE DHENA TE REJA

I.

Duke qenë një prej vendeve themeluese të Forumit Ndërkombëtar të Shoah (Stokholm 2000), me ligjin 9280, datë 23.09.2004 ligjvënësit shqiptarë shpallën Ditë të Kujtesës 27 janarin, ditën e çlirimit të kampit të Auschwitz-it prej ushtrive të aleatëve (saktësisht prej Ushtrisë së Kuqe). Një prej përfaqësuesve më ngulmues për të caktuar si ditë kujtese pikërisht Ditën Evropiane të Kujtesës, 27 janarin, ishte Kryeministri i sotëm i Shqipërisë S. Berisha. Një vit më vonë (2005), Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e shpalli 27 janarin si Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës, duke kodifikuar me një akt të veçantë mënyrën e përkujtimit të kësaj dite. Pikërisht, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së qe ajo "mendja gjeniale" dhe njëherësh "injorante", me të cilën kanë bërë ironi qenie të painformuara, që vendosi për t‘ia kushtuar këtë ditë katastrofës më të madhe njerëzore të shekullit të 20-të, të njohur me emrin "Shoah" (në formë më të plotë në hebraisht: "Ha-Shoah"), dhe për të lënë në dorë të cilitdo shtet anëtar të saj të bashkojë në veprimtaritë përkujtuese kërkimet, reflektimin dhe homazhin për çfarëdo forme tjetër të shfaqjes së krimeve masive: aparteid, gjenocid, etnocid, represion, ksenofobi, spastrim etnik, përndjekje politike e shfarosje në masë, sipas karakterit të historisë së tyre.

Sikur të ishte fjala vetëm për një ironi të pashmangshme në çdo rast kur për një dukuri flitet vetëm me frymë madhështuese; sikur të mund të kuptohej harrimi këtë vit i Ditës së Kujtesës prej autoriteteve publike thjesht si një mosvëmendje funksionarësh, pa lidhje me ngatërrimin e historisë me të sotmen; sikur të mos ishte propozuar vetëm dy javë më parë që Shqipëria duhet të ketë një ditë tjetër kujtese (megjithëse në të vërtetë nuk përkujton asnjërën); nuk do të kishte qenë aspak i nevojshëm ky parashtim kronografik, dhe aq më pak të na vinte në mendje pohimi i hidhur i Hilary Clinton, tashmë Sekretare Shteti e SHBA, në takimin e vjetshëm me dy kineastet dashamirëse amerikane, Laura Shapiro-Kramer dhe Myriam Abramowicz, që sapo kanë përfunduar një dokumentar kushtuar rolit të shqiptarëve gjatë kohës tragjike të Shoah: "Në të vërtetë, shqiptarët kanë probleme të mëdha me formimin e imazhit të tyre". Ndoshta më e saktë do të ishte të thuhej se shqiptarët janë shkatërruesit e imazhit të tyre, edhe atëherë kur ua ndërtojnë të tjerët. Pohimin e sinqertë të së mbijetuarës në Shqipëri Jutta Neuman se "shqiptarët nuk ishin antisemitë, madje nuk e dinin fare se çfarë ishte antisemitizmi", cituar prej librit të saj "Albanien-ein sicherer Zufluchtsort?" - "Shqipëria-vend i sigurt për shpëtim?", një tjetër "mendje kritike shqiptare", e pakënaqur "prej teprimit me vetëmburrjet shqiptare", e merr si pikënisje për të konkluduar me një siguri mahnitëse se në Shqipëri nuk pati Shoah thjesht sepse "përqindja e lartë e analfabetizmit (85-90 për qind) në popullsinë e vendit nuk i lejoi shqiptarët të njiheshin me pamflete, literaturë apo propagandë antisemite"!

II.

Historia e shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri është e gjatë dhe mund të thuhet se vetëm sa është prekur. Shumica e studiuesve kanë pasur në duar vetëm burime të njëanshme. Sa u takon atyre shqiptare, dihet mirë se nuk janë integruar fare në bibliografitë e studimeve ndërkombëtare për Shoah. Edhe prej studiuesve vendës po ndodh që shumë prej tyre në një çast t‘i mbushin mendjen vetes se i kanë këshilluar të gjitha burimet dhe pastaj s‘ka asnjë gjasë se mund t‘i rishikojnë më qëndrimet e tyre.

Dy prej ngjarjeve më të hershme me ndikim të fortë në politikat shtetërore që u ndoqën ndaj hebrenjve gjatë periudhës mbretërore dhe pastaj gjatë Luftës së Dytë Botërore janë aktet e Lidhjes së Kombeve me qendër në Gjenevë, gjegjësisht më 1921 dhe më 1926, akte në të cilat Shqipëria çmohej si një vend i përzgjedhur për përqendrime të përkohshme dhe tranzitime masive të hebrenjve prej shteteve ku rreziku ndaj tyre mund të shfaqej egërsisht. Në atë kohë doktrina e "çrrënjosjes masive" apo e "zhdukjes zanafillëse" ("final solution") nuk ishte shpallur ende. Por Evropa e kishte ndjerë prej vitesh e dekadash rrezikun që po vinte, të paktën qysh me botimin e artikullit të mirënjohur "J‘accuse" të shkrimtarit Emil Zola kushtuar skandalit të njohur me emrin "procesi Dreyfus" dhe me botimin e romanit "Ishulli i pinguinëve" të A. France. Përgjatë afro një shekulli u përpunua pseudo-miti i fshehtësisë ndërkombëtare të hebrenjve, që u përmbyll me botimin provokues të "Protokolleve të pleqve të Sionit", si shkas për të përpunuar një doktrinë tjetër, me karakter racist.

Në arkivat e Gjenevës ruhen jo vetëm autorizimet dhënë qeverisë së Shqipërisë për të lëshuar dokumente udhëtimi për hebrenjtë, por edhe verbalet që përmbajnë diskutimet në komisione

, sidomos në Komisariatin e Lartë të Refugjatëve, përfaqësues të të cilit negociuan me autoritetet e Tiranës për një kohë të gjatë një dekadë më vonë. Pse u zgjodh Shqipëria për këtë përgjegjësi me karakter ndërkombëtar, çfarë përmbanin planet e Lidhjes së Kombeve dhe të Komisariatit të Lartë të Refugjatëve, pse qeveria mbretërore i mirëpriti këto plane - deri më tani për çështje të tilla është shkruar vetëm mbi bazën e burimeve publike, shtypit të kohës.

III.

Të gjitha faktet dhe të dhënat të çojnë drejt një përfundimi bindës, që politika e lehtësimit të hyrjes së hebrenjve në Shqipëri gjatë periudhës mbretërore ka pasur një aspekt të fuqishëm ndërkombëtar, të dyanshëm: veprues dhe kundërveprues. Në njërën anë ishte inkurajimi i Lidhjes së Kombeve, i Komisariatit të Lartë të Refugjatëve; i përfaqësuesve të organizatave dhe shoqatave të mirënjohura botërore të hebrenjve; i disa qeverive demokratike të Evropës, që mbretëria shqiptare të pranonte në grup hebrenj të rrezikuar dhe jo thjesht kërkesa individuale të tyre. Në anën tjetër ishte kushtëzimi politik i qeverisë së vendit, me anë të traktateve dypalëshe, sidomos prej traktatit të miqësisë me Italinë (1926), për t‘iu bindur doktrinës naziste-fashiste të "çrrënjosjes përfundimtare" të hebrenjve, shpallur më 1933 nga Führer-i përmes "Mein Kampf".

Sikurse provohet në mënyrë bindëse, deri në vitin 1937 (prill), kur ish-mbreti Zog shpalli për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar pavarësinë dhe të drejtën e veprimit të organizuar të bashkësisë hebraike të vendit, qëndrimet e qeverisë së Shqipërisë për këto projekte ishin krejtësisht të lira, të pakushtëzuara, shprehje e vullnetit të saj. Kjo është koha kur nismat për pranimin e hebrenjve të rrezikuar në vendet e Evropës Qendrore në Shqipëri morën karakter institucional. Herman Bernstein, ambasador i SHBA në Tiranë (17 shkurt 1930-24 shtator 1933), dhe Faik Konitza, ish-ambasador i mbretërisë zogiste në Washington, përgatitën një "marrëveshje instalimi" të të paktën 500 familjeve hebreje, të cilat do të vendoseshin në rajone të përcaktuara qartë edhe topografikisht në hartat e Shqipërisë. Dihet se kjo do të ishte edhe në shërbim të bonifikimit të rrjedhës së Bunës, me përfitime që përputhen njëshmërisht me të njëjtat që llogariteshin se do të vinte nga ndërtimi i hidrocentralit të Bushatit, sipas projekteve të një gjysmëshekulli më vonë.

Shumë e shumë dekada para se të flitej për një "fenomen Shqipëri" dhe të zhvilloheshin konferenca e debate për të, ish-ambasadori Bernstein shkruante: "Në Shqipëri nuk gjen dot as edhe një gjurmë të vetme të çfarëdo diskriminimi kundër hebrenjve, për arsye se Shqipëria është njëri ndër vendet e rralla në Evropën e ditëve të sotme, ku nuk ekzistojnë paragjykimi dhe konfliktet fetare, megjithëse vetë popullsia shqiptare është e ndarë në tri fe" (botuar në "The Jewish Daily Bulletin", New York, vëll. i 9-të, nr. 2821, 17 prill 1934).

Studiues të vendit dhe të huaj e kanë evokuar rëndësinë e marrëveshjes shqiptaro-amerikane, duke shënjuar me ngut dhe me njëfarë entuziazmi të pakuptueshëm se ajo nuk u arrit as të nënshkruhej dhe as të zbatohej. Në të vërtetë, pavarësisht nga fakti se marrëveshja nuk gjeti zbatim, për studimet në fushë të historisë është e domosdoshme të njihet në tërësi përmbajtja e saj, në mos për tjetër si shpallje vullneti e interesash, për të analizuar më tej se çfarë faktorësh e penguan. Judeofobia ishte jo vetëm veprim, por edhe frymë, madje para së gjithash ishte frymë. Edhe nëse marrëveshja Bernstein-Konitza nuk dëshmon rezultatin, pa dyshim dëshmon tentimin dhe frymën. Teksti i plotë i saj, si u propozua nga qeveria mbretërore dhe si u qortua nga Washington-i, ose anasjelltas, ende nuk është botuar, as prej burimeve vendëse, as prej burimeve amerikane. Përmbajtja e saj njihet kryesisht nga aq informacion sa ambasada italiane në Tiranë i përcillte qendrës. Bernstein pati parafolur madje edhe për mundësinë e ndërhyrjes së Romës për t‘i ndaluar nismat ndërkombëtare dhe ato të qeverisë mbretërore për pranimin masiv të hebrenjve. Një dorëshkrim i tij kushtuar kësaj teme qe botuar (një vit pas vdekjes) në revistën e njohur "Foreign Affairs".

IV.

"Golden age" - epoka e artë e parashtrimit ligjor-institucional të mundësive të pranimit të hebrenjve në Shqipëri mund të thuhet se nis e modifikohet disi prej vitit 1937. Fillon më tej një periudhë e dytë, gjatë së cilës kontrolli i Romës mbi veprimet e mbretërisë është shumë më vigjilent. Megjithëse, sikurse dihet, edhe Roma vetë nuk qe aq e vendosur dhe e zellshme në zbatimin e politikave antisemite, për shkak të detyrimeve që kishte ndaj aleancës së trefishtë nazifashiste hartoi një paradigmë të plotë ligjesh antihebraike, të cilën duhej ta diktonte edhe te vendet që i kishte nën kontroll, madje edhe me mandat ndërkombëtar (Konferenca e Ambasadorëve, 1921), si Shqipëria. Ligjet antihebraike në Italinë e periudhës së Musolinit i ka botuar në një libër më vete studiuesi i njohur i Shoah Michele Sarfatti. Eshtë mirë që studiuesi ta ketë në duar këtë libër para se të kuturisë të pohojë se "edhe në Shqipëri ka pasur ligje antihebraike", ose "ka pasur vendime apo akte të tjera antisemite", sikurse është thënë ndonjëherë nga studiues vullnetaristë që ndoshta ende nuk dinë të dallojnë një akt normativ nga një qarkore, një ligj nga një udhëzim; një thirrje për të raportuar për të huajt me banim në këtë apo atë komunë nga hartimi e dorëzimi i listave të hebrenjve, për të mos folur për dallimin se ku nis dhe ku mbyllet antisemitizmi.

Në këtë periudhë të dytë, rreptësimi i mbikëqyrjes italiane është i dukshëm, por, pa kurrfarë dyshimi, mund të pohohet se ndikimi përmbajtësor i politikës italiane në ushtrimin politik të mbretërisë shqiptare qe baras me zero. "Antisemitizmi" i mbretërisë arriti shkallën më të lartë me dy vendime të kryesisë së Këshillit të Ministrave të Mbretërisë, të njohur si Vendimi nr. 118 datë 28.1.1939 dhe Vendimi nr. 210 datë 25.2.1939, me anë të të cilëve hebrenjve që donin të hynin në Shqipëri u kërkohej të deklaronin se kishin gjegjësisht 250 dhe 500 franga valutë me vete! Ky ka qenë "antisemitizmi" i autoriteteve të mbretërisë deri në ditët e fundit të ekzistencës së saj. Të mendosh se vërtet këto dy vendime shprehin politikë antisemite është po aq naive sa të njësosh kampet e transitimit të hebrenjve (Shijak, Zall-Herr, Durrës, Kavajë) gjatë luftës me kampet e shfarosjes në masë që ngriti industria naziste e vdekjes në Evropën Qendrore, gjë që dhe ka ndodhur.

Në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, për shkak të pretendimeve që qeveria e re e Shqipërisë kishte ndaj Romës dhe Reich-ut (për reparacione e restitucione), fondi i dokumenteve të krijuara prej ambasadës italiane që kishte vepruar në Tiranë në vitet 1930 u shtetëzua. Ky fond ruhet ende në rrjetin arkivor shqiptar. Janë mbi tri mijë fletë dokumente që certifikojnë gjithë mbikëqyrjen e veprimit politik të mbretërisë me syrin e interesave të Farnesina-s. Pikërisht ky fond, më shumë se ai i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, që ishte institucioni i ngarkuar për të marrë informacion dhe raportuar për praninë e të huajve në Shqipëri, është një burim parësor për të dëshmuar se deri në çfarë kufiri mundi të arrijë ndikimi fashist për përshtatjen e politikave antisemite nga mbretëria shqiptare.

Nga këto burime del se me anë të presioneve për krijimin e pengesave ligjore për hyrjen e hebrenjve në Shqipëri Roma nuk kishte aq synimin që ligjet e saj antihebraike të hynin në fuqi edhe këndej Adriatikut, se sa të mbronte rolin e saj si vendi më i simpatizuar prej shqiptarëve dhe sidomos të përjashtonte një konkurrencë të mundshme të kapitaleve hebreje. Në radiogramet e përditshme të diplomatëve italianë shenjohet gjithçka që ndodh me hebrenjtë jorezidentë: nga vijnë, si i kanë emrat, a kanë mbështetje dhe ku e kanë mbështetjen në qeverinë mbretërore, a kanë lidhje personale me ndonjë ministër, apo funksionar të oborrit, a janë me emra të vërtetë, apo me emra të rremë, kanë dokumente identifikimi autentike apo të falsifikuara, ku gjenden punishtet tipografike të fabrikimit të letërnjoftimeve false për hebrenjtë, cilët funksionarë të qeverisjes në komuna lëshojnë me autoritetin e tyre pasaporta me identitet tjetër për ta, si funksionon mbështetja dhe solidariteti midis vetë hebrenjve, deri te përshkrimi fizik i bukurisë së jashtme të zonjave dhe i gojëtarisë politike të të ardhurve më të fundmë. "Sorvegliare, non intervenire", ky qe slogani që iu përmbajt Roma deri në periudhën e pushtimit. Pas 7 prillit 1939 ky slogan u modifikua pak: "Sorvegliare, non punire".

V.

Sir Martin Gilbert, një prej specialistëve më të njohur në botë për historinë e holokaustit dhe biograf i ish-kryeministrit britanik të kohës së Luftës së Dytë Botërore, në librin e tij "Winston S. Churchill: The Prophet of Truth", vëllimi i 5-të (1922-1939), botimi i fundit më 1990, pohon se deri në janar të vitit 1939, vetëm tre muaj para pushtimit, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, me pëlqimin e vetë kryeministrit W. Churchill, vazhdonte të negocionte në rrugë diplomatike me përfaqësues diplomatikë të mbretërisë shqiptare për të gjetur mundësi shpëtimi për hebrenjtë e rrezikuar gjetkë në Evropë. Por, për fat të keq, planet shqiptaro-britanike dështuan, sepse Musolini i dërgoi trupat e veta në Shqipëri para kohës së parashikuar ("... many instances in which Churchill acted to help or rescue the beleaguered Jews. One occurred in January, 1939, when an Albanian diplomat told him his country was willing to provide a sanctuary for them. Tragically, before Churchill had a chance to negotiate the arrangements, "Mussolini sent his troops into Albania, its independence was destroyed, and the rescue scheme came to naught").

Mund të përfytyrohet lehtësisht se sa "akte antihebraike" kishte miratuar qeveria mbretërore deri në vitin 1939, duke qenë, deri në pragun e rrënimit të vet, palë e rëndësishme, parësore, bashkëbisedimi diplomatik për një nismë shpëtimi të hebrenjve me karakter ndërkombëtar, me protagoniste qeverinë e W. Churchill-it, një prej vendeve që do të themelonte "Atlancic Charter", dokument që ka shërbyer si doktrinë politike e aleancës antifashiste dhe akt zanafillor për rikrijimin e Lidhjes së Kombeve pas luftës (OKB).

Ishte pikërisht ky kontekst, jo vetëm i brendshëm, por edhe ndërkombëtar, që përgatiti gjithçka që ndodhi në Shqipëri gjatë luftës antifashiste, atë që është quajtur gjerësisht "mrekullia shqiptare" dhe që një tjetër e mbijetuar në këtë vend, Irene Grunbaum, së cilës gjatë luftës shqiptarët, për ta fshehur, e albanizuan duke i dhënë emrin Fatime Nova, në librin e saj "Escape through the Balkans" - "Arratisje përmes Ballkanit" (botim i Nebarska University, prill 1999), një gjysmë shekulli pasi rreziku kishte kaluar, e shprehu me fjalët mirënjohëse: Lamtumirë, Shqipëri. Ti më dhe kaq shumë mikpritje, mbrojtje, miq dhe aventurë. Një ditë do t‘i tregoj botës sa të guximshëm, të patrembur, të fortë e besnikë janë bijtë e tu; se si as vdekja e as djalli nuk mund t‘i frikësojë ata. Unë do të tregoj se si ata mbrojtën një të huaj refugjate dhe nuk lejuan që ajo të prekej, edhe nëse një gjë e tillë do të thoshte humbje e jetës së tyre. Dyert e vendit tënd të vogël mbetën të hapura, Shqipëri. Autoritetet e tua mbyllën sytë kur qe e domosdoshme për t‘u dhënë njerëzve të varfër e të përndjekur edhe një mundësi për t‘i mbijetuar më të tmerrshmes së të gjitha luftërave. Shqipëri, ne ia dolëm të mbijetojmë për hir të humanizmit tënd. Faleminderit!

"Mirënjohje ndaj popullit shqiptar"

Senati i SHBA

Rezoluta S. Res. 521

"Për mbrojtjen dhe shpëtimin e jetës së gjithë hebrenjve që jetonin në Shqipëri, ose që kërkuan strehim atje gjatë holokaustit"

(Paraqitur më 27 qershor 2006 nga senatori i New York-ut Charles E. Schumer, me mbështetjen e senatorit John McCain të shtetit të Arizona-s)

-Duke qenë se në fillim të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri jetonin mbi 200 hebrenj dhe afërsisht 1800 hebrenj të tjerë u arratisën për në Shqipëri nga Europa Perëndimore e nga ish-Jugosllavia;

-Duke qenë se më 1934 ambasadori amerikan në Shqipëri Herman Bernstein shkroi se "nuk ka asnjë gjurmë të diskriminimit të hebrenjve në Shqipëri, sepse Shqipëria është një nga vendet e rralla në Europën e sotme ku paragjykimi dhe urrejtja fetare nuk ekzistojnë, megjithëse vetë shqiptarët janë të ndarë në tre besime";

-Duke qenë se, bazuar në historinë e papërsëritshme të tolerancës së tyre fetare, shqiptarët i strehuan dhe i mbrojtën hebrenjtë duke rrezikuar edhe jetën e vet, duke filluar që me pushtimin e Shqipërisë nga fashistët italianë të Musolinit më 1939;

-Duke qenë se, kur Gjermania pushtoi Shqipërinë më 1943 dhe Gestapo urdhëroi të regjistroheshin hebrenjtë që jetonin në kryeqytetin e Shqipërisë (Tiranë) shtetarët shqiptarë nuk pranuan t‘u dorëzonin atyre lista të hebrenjve që jetonin në Shqipëri dhe zyrtarët shqiptarë u lëshuan atyre dokumente identiteti false për të mbrojtur të gjithë hebrenjtë që udhëtonin për në Tiranë apo që fshiheshin atje;

-Duke qenë se shqiptarët e konsideronin si çështje të dinjitetit kombëtar t‘i ndihmonin hebrenjtë gjatë holokaustit dhe falë veprave të shumë individëve shqiptarë i gjithë komuniteti hebraik, vendës apo jorezident në Shqipëri, i mbijetoi holokaustit;

-Duke qenë se në mbarim të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri banonin shumë më tepër hebrenj sesa para saj;

-Duke qenë se në qershor 1990 kongresmeni hebreo-amerikan Tom Lantos dhe kongresmeni shqiptaro-amerikan Joe DioGuardi, që ishin zyrtarët e parë të Shteteve të Bashkuara që hynë në Shqipëri, morën nga kryetari i Partisë Komuniste dhe Presidenti i Shqipërisë Ramiz Alia një dosje të vëllimshme me burime nga arkivat komuniste, që përmbanin të dhëna për veprat heroike të panjohura të qindra shqiptarëve që shpëtuan hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore;

-Duke qenë se Joe DioGuardi sapo u kthye nga Shqipëria e dërgoi dosjen për të vërtetuar besueshmërinë e saj në Yad Vashem, Muzeu Përkujtimor i Heronjve dhe Martirëve të Holokaustit në Jerusalem, Izrael;

-Duke qenë se Yad Vashem ka përcaktuar e shpallur deri tani 63 familje shqiptare si "Fisnikë midis kombesh" dhe vetë Shqipërinë si një nga "Kombet më të drejtë";

-Duke qenë se në shkurt 1995 kongresmenët Tom Lantos, Benjamin Gilman dhe Jerrold Nadler, si dhe ish-kongresmeni Joe DioGuardi, folën në një ceremoni të organizuar në Memorial Museum of Holokaust në Washington DC, dhe përshëndetën vendimin për shpalljen e Shqipërisë ndër "Kombet më të drejtë";

-Duke qenë se, bazuar në informacionin e vërtetuar nga Yad Vashem, autori dhe filantropi hebreo-amerikan Harvey Sarner botoi më 1997 librin "Shpëtimi në Shqipëri", që të tërhiqte vëmendje ndërkombëtare rreth rolit unik të popullit shqiptar për shpëtimin e hebrenjve gjatë holokaustit nazist;

-Duke qenë se në tetor 1997 Lidhja dhe Fondacioni Civil Shqiptaro-Amerikan realizuan shpërndarjen e 10 mijë kopjeve të librit "Shpëtimi në Shqipëri", me një parathënie të kongresmenëve Lantos dhe Gilman, që të tërhiqnin vëmendjen e popullit hebre dhe të udhëheqësve të tyre në veçanti ndaj vuajtjeve të shqiptarëve që jetonin nën Slobodan Miloshevic-in, në mënyrë që të parandalonin një gjenocid tjetër;

-Duke qenë se më 15 maj 2005 një grup veprimtarësh hebrenj dhe shqiptarë u mblodhën në New York për një "Përshëndetje ndaj tolerancës, rezistencës dhe shpresës së shqiptarëve: duke përkujtuar besën dhe holokaustin", me rastin e 60-vjetorit të lirimit nga kampet naziste të vdekjes;

-Duke qenë se në një deklaratë të paraqitur në këtë ceremoni dr. Mordechai Paldiel, drejtor i Departamentit të Fisnikëve ("The Righteous Department") në Yad Vashem, përshëndeti heroizmin e shqiptarëve si "të vetmit që u bënë shpëtimtarë jetësh të hebrenjve të ardhur nga vendet e tjera; që jo vetëm u përpoqën të ndihmonin hebrenjtë, por edhe konkurronin me njëri-tjetrin për të marrë privilegjin e të qenit "shpëtimtar", falë "besës", kodit të nderit që u kërkon shqiptarëve të shpëtojnë jetën e kujtdo që kërkon strehë, edhe nëse do t‘i duhet të humbë jetën e tij për këtë gjë";

Nga gjithë sa u pohua, tani miratohet që Senati:

-T‘u shprehë mirënjohje shqiptarëve për shpëtimin e jetës së hebrenjve, si të vendësve ashtu edhe të atyre jorezidentë, që jetuan në Shqipëri gjatë holokaustit;

-T‘i shprehë mirënjohjen Yad Vashem-it në Izrael dhe të nxisë të tjerët që të njohin shqiptarët që vepruan për të mbrojtur hebrenjtë gjatë holokaustit, të njohin kurajën dhe heroizmin e tyre madhështor;

-Dhe me këtë rast të rikonfirmojë mbështetjen për lidhje më të ngushta mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë.

Familje shqiptare të nderuara me titullin e lartë "Fisnikë mes kombesh" nga Yad Vashem

Sipas Norman H.Gershman, paraqitur në katalogun e ekspozitës

"Besa: Muslims who saved Jews in World War II", Syracuse University Press, USA, 1st edition 2008

1. Familja e Destin (Destan?) dhe Lime Ballës;

2. Familja e Baba Haxhi Dede Reshat Bardhit;

3. Familja e Mbretit Zog të Shqipërisë ("King Zog of Albania");

4. Familja e Njazi dhe Liza Pilkut;

5. Familja e Mefail Biçakut;

6. Familja e djalit të tij Njazi Biçaku;

7. Familja e Hysen Marikës;

8. Familja e Jani Kocas;

9. Familja e Islam Prosekut;

10. Familja Domai (Domaj?);

11. Familja e Halil Frashërit;

12. Familja e Toli Dodit;

13. Familja e Aliut (sic!);

14. Familja e Sulo Muzhakës (Muzhaqit?);

15. Familja e Ali dhe Nadire Binxhiut;

16. Familja e Qani Civesë;

17. Familja e Destan Kurmaqut (Kurmakut?);

18. Familja e Besim Zymës;

19. Familja e Higmet/Hiqmet (Meti) Zymës;

20. Familja e Hajdar Kikës dhe e djalit të tij Petrit;

21. Familja e Tef Pogut (Pogës?);

22. Familja e Hysref (Eshref?) dhe Emine Frashërit;

23. Familja e djalit të tyre Mehmet Frashëri;

24. Familja e Osman dhe Nazliko Allah (Alla?);

25. Familja e Esheref dhe Easuere (Qefsere?) Shpuzës;

26. Familja e Ali dhe Rakip Krajës;

27. Familja e Ismail Babanit;

28. Familja Kasapi;

29. Familja e Sulejman dhe Zenepe Meçes;

30. Familja e Lilo Xhimitikut;

31. Familja e Taqi Simsisë;

32. Familja Kurti;

33. Familja e Besim dhe Aishe Kadiut dhe e vajzës së tyre

Merushe;

34. Familja Kuqi;

35. Familja e Nuro Hoxhës;

36. Familja e Muhiddin (Muhedin?) Haxhit;

37. Familja e Hasan Kalasë;

38. Familja e Rifat Hoxhës;

39. Familja e Kasem Jakup Kocerrit;

40. Familja e Xhevat dhe Afërdita Gjergjanit;

41. Familja e Vesel dhe Fatima (Fatime?) Veselit;

42. Familja e Mesut dhe Drita Salillarit;

43. Familja e Xhafer Skederit (Skënderit?);

44. Familja e Abaz dhe Zade Sinanit;

45. Familja e Ali dhe Nadia (Nadire?)Kazazi;

46. Familja e Islamit;

47. Familja e Shaquir (Shaqir) dhe Qamile Boriçit dhe e vajzës së tyre Bohriya (Bahrije?) Boriçi;

48. Familja e Ismail Golemit;

49. Familja e Hamid dhe Xhemal Veselit;

50. Familja e Vehbi Hasan Hotit;

51. Familja e Ali Sheqer Pashkajt;

52. Familja e Beqir Qoqjas;

53. Familja Rezniqi;

54. Familja e Hasan Rremë Xerxës;

55. Familja e Ramadan dhe Isa Nuzës;

56. Familja e Mullah Shabanit;

57. Familja e Basri Hasanit;

58. Familja e Sadik Belulit

59. Familja e Rruzhdi Belulit;

60. Familja e Sejdi Sylejmanit;

61. Familja e Jusuf Sakik Mimonës;

62. Familja e Hysni Domit;

63. Familja e Pjeter Jankovic-it.

Në këtë listë nuk janë shenjuar emrat e të gjitha familjeve shqiptare që shpëtuan hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore. Departamenti i Fisnikëve mes Kombeve në Yad Vashem ("Department of the Righteous") shqyrton dhe shpall kohë pas kohe të tjerë "Të Drejtë", që kanë ndihmuar dhe mbrojtur hebrenjtë nga Shoah. Duke vlerësuar rolin e shqiptarëve në mbrojtje të hebrenjve para dhe gjatë luftës, Yad Vashem e ka shpallur Shqipërinë "Kombi më i Drejtë". Vetë lista e fisnikëve shqiptarë, që njihen e çmohen në Yad Vashem si modele të solidaritetit dhe humanizmit, është një pikënisje për reflektim historik. Në epokën e lulëzimit të enciklopedive të fiseve, krahinave dhe mëhallave, mund të thuhet se është padrejtësi historike që një pjese të "fisnikëve shqiptarë" që nderojnë vendin dhe kombin e tyre ndërkombëtarisht opinioni i vendit ndoshta ua njeh për herë të parë emrat, pa folur për përgjegjësinë e shkencës kombëtare, që atyre të shumtëve në këtë listë që u mungon emri apo mbiemri, t‘u saktësojë identitetin dhe personalitetin. Në Ditën e Kujtesës kjo përgjegjësi bëhet e shumëfishtë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›