E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pëllumb Kulla në 70-vjetor

Fier - Është festuar në Fier përvjetori i 70-të i Pëllumb Kullës. Autori dhe regjisori që ka lënë gjurmë në Teatrin "Bylis" dhe Estradën e Fierit, mori dje urime nga artistët e këtij teatri dhe nga Bashkia e qytetit. Ai ka udhëtuar për këtë rast nga Nju Jorku ku jeton prej vitesh. Dje në orën 10:00, në zyrën e kryetarit të bashkisë, Baftjar Zeqaj, ishin mbledhur mjaft artistë, shkrimtarë, aktorë, piktorë për të pritur Kullën.

Urimet Pëllumb Kulla i mori ende pa hyrë në këtë mjedis të mbushur me lule. Me dhjetëra banorë të Fierit kishin dalë për ta përshëndetur.

Të gjithë janë mbledhur në një banket dhe i kanë uruar personazhit të ditës "edhe 100 të tjera".
Pëllumb Kulla u lind më 10 janar 1940 në Zëmblak të Korçës. U diplomua aktor në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë më 1964 dhe u emërua regjisor i Estradës së Vlorës. Një vit më pas i bashkohet trupës së aktorëve të Teatrin të atij qyteti.

Më 1967 bëhet papritmas viktimë e luftës së klasave, për "shkaqe biografie" dhe detyrohet, për katër vjet, të bëjë punë të ndryshme, në gurore, minierë, ofiçinë. Emërohet aktor në Teatrin "Bylis" të këtij qyteti, por për 18 vjet punoi regjisor i Estradës dhe Teatrit atje.

Nën drejtimin e Kullës, Estrada e Fierit bëhet shpejt një nga më të suksesshmet në vend. Firmos libretin dhe regjinë në pesëmbëdhjetë spektakle, ndër të cilët përmendim "Çobo Rrapushi me shokë" (1980). Gjatë kësaj kohe shkruan me dhjetëra skeçe, komedi njëaktëshe dhe monologë, shumica e të cilëve shfaqen në TV.

Një pjesë e kësaj krijimtarie voluminoze botohet nga Shtëpia Botuese "Naim Frashëri" nën titujt "Lipe Shtogu në listë" (1979), "Shoku Niqifor" (1981), "Portrete pa makiazh" (1983), "Po martojmë Malon" (1984), "Këshilla për fëmijët e moshave nga 5 deri 55 vjeç" (1988), si edhe në buletinin "Teatër". Nga 1977 deri më 1990 është bashkëpunëtor i përhershëm i TVSH për spektaklin e Vitit të Ri.
Më 1987 i jepet Çmimi "Naim Frashëri".

Paralelisht me punën në Estradë, realizon disa produksione dramatike, të gjitha drama ose komedi të shkruara prej tij, nga të cilat shquhen "Shoku Niqifor", "Dy krismat në Paris", "E bukur shtëpi e vjetër".

"Sa shumë gjethe të thata atë vjeshtë" vihet në skenë nga regjisori Spiro Duni në Teatrin "Skampa" të Elbasanit, që fitoi çmimin e parë në Festivalin Kombëtar të vitit 1989. Po këtë vit, Kulla nderohet me Çmimin i Republikës, në fushën e satirës dhe humorit.
Me skenar të tij xhirohen kinokomeditë "Telat për violinë" dhe "Stolat në park".

Më 1990 largohet nga Fieri, për të nisur punën si pedagog, e më pas Dekan i Fakultetit të Artit Skenik, në Tiranë. Karriera e tij pedagogjike nuk zgjat shumë, pasi zëvendësohet nga ajo diplomatike. Më 1992 emërohet Sekretar për Kulturën dhe Shtypin në Ambasadën e Shqipërisë në Bon, Gjermani dhe një vit më pas Ambasador në Misionin Shqiptar pranë OKB, në Nju Jork (1993-1997).

Gjatë qëndrimit në SHBA botoi esenë e gjatë me një studim të gjithanshëm të humorit nën diktaturë, "Si qeshnim nën diktaturë" dhe vëllimin "Rrëfenja nga Amerika".

Më 2003 u kthye përkohësisht nga SHBA, për të vënë në skenë të Teatrin "Bylis" komedinë e tij "Kërcuri". Vitet e fundit Kulla ka qenë shumë i pranishëm në shtypin e përditshëm me publicistikën e tij që dallon për stilin sarkastik ndaj politikës, çështjeve sociale dhe problemeve që shqetësojnë botën shqiptare këtu apo në emigracion. Së fundi ai ka botuar "Vdekja e Enver Hoxhës".

Monografi për Luftar Pajën

Fier - Pas përvjetorit të datëlindjes së Pëllumb Kullës, e cila u zhvillua në Bashkinë e qytetit, festa ka vijuar në Bibliotekën Publike të qytetit të Fierit. Në sallën e konferencave të kësaj biblioteke, u prezantimi i monografisë së Albert Zholit kushtuar aktorit Luftar Paja.

Fillimisht u shfaq një kolazh filmik i të gjitha roleve të realizuara nga "Artisti i Popullit" Luftar Paja. Në kinema ai shfaqet në filmat "Këshilltarët", "Guna përmbi tela", "Nëntori i dytë", "Gjeneral Gramafoni", "Ëndërr për një karrige", "Zëvendësi i grave".

Në teatër, tek "Hijet e natës" e Vedat Kokonës, "Fejesa" e Çehovit, "Fytyra e dytë" e Dritëro Agollit etj. Një nga rolet e tij më popullor është ai i Çobo Rrapushit në komedinë e Pëllumb Kullës "Çobo Rrapushi me shokë" .

Luftar Paja ka lindur më 1 dhjetor 1941 në Gorishovë të Mallakastrës. Ai ndoqi kursin një vjeçar për aktor pranë ish Teatrit Popullor. Në vitin 1969 bëhet pjesë e Estradës së Fierit ku punon me regjisorët Pëllumb Kulla dhe Llazar Vërria. Në vitin 1971 është ndër anëtarët e parë të Teatrit "Bylis" të Fierit.

Në të njëjtën skenë, gati tridhjetë vjet më pas, në vitin 2008 në Festivalin e Aktrimit "Apollon 2008" që realizohet çdo vit në qytetin e Fierit, u vlerësua me "Çmimin e Karrierës".
Në ceremoninë e djeshme merrnin pjesë autori Albert Zholi, artistë dhe bashkëkohës të Pajës, Pëllumb Kulla, Petrit Ruka, Arqile Lipe, Mevlan Shanaj, Sejfulla Myftari etj. Padyshim ndodhej edhe kryetari i Bashkisë Fier, Baftjar Zeqaj, të cilin e sheh në çdo ngjarje kulturore të qytetit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›