E Diel, 1 Nëntor 2026

Pëllumbi: Kushtëzimi me Kuvendin, jo si strategji opozitare

Sipas tij, PS nuk duhet ta shohë kushtëzimin e marrëdhënies së saj me Kuvendin si strategji opozitare, por vetëm në ato raste kur e kërkon nevoja, ndërsa kërkon nga maxhoranca parlamentare të krijojë hapësirat e nevojshme për opozitën.

Pëllumbi shprehet kundër qëndrimeve që duan radikalizim të qëndrimeve të opozitës, ndërsa pret të shohë të argumentuar kursin e ri politik të PS, të premtuar nga Edi Rama në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare.

 “Unë mendoj se “të fortë” opozitën nuk e bëjnë raportet e kufizuara me Kuvendin, aq më tepër kur ky “kushtëzim” përcaktohet që më parë si “vijë e përgjithshme sjelljeje”. Them se mund të krijohen situata për kushtëzime të caktuara në proces si pjesë e taktikave opozitare, por kurrsesi nuk duhet konceptuar si strategji opozitare. Në të njëjtën kohë do ta quaja të gabuar edhe një strategji të maxhorancës për t’ia ngushtuar hapësirat opozitës dhe për ta detyruar atë të radikalizojë qëndrimet, të bojkotojë Kuvendin, të mos votojë ligjet etj. etj., sepse një gjë e tillë bie ndesh me demokracinë, por dhe me interesat e vërtetë të qeverisjes së mirë. Nuk duhet harruar se në fund të fundit gjykimi për maxhorancat qeverisëse në një masë të madhe varet nga qëndrimi që ajo mban ndaj opozitës dhe alternativës së ardhshme qeverisëse”, ka thënë ai për “Panoramën”.

Ai shton se radikalizimet e opozitës janë të gabuara dhe një lloj paaftësie për të shfrytëzuar të gjithë arsenalin e mjeteve demokratike e institucionale. “Në fund të fundit, 65 deputetët e opozitës kanë përgjegjësi përpara elektoratit dhe interesit të përgjithshëm që ata përfaqësojnë. Tribuna parlamentare është vendimtare për të treguar veten dhe kualitetet e tyre para atyre që i kanë mandatuar. Radikalizmi shpesh përdoret si sinonim i një opozite të fortë apo si mbështetje për veprime masive që kundërshtojë qeverisjen. Një identifikim i tillë më duket i gabuar. Aq më tepër kur “për t’u ruajtur nga radikalizmi”, ndodh që të mos mbështeten greva e protesta si ajo e minatorëve të Bulqizës, që po vazhdon tash dy muaj. Hapa të tillë nuk kanë të bëjnë me radikalizimin, por me paaftësinë e një partie opozitare për t’u shndërruar në lëvizje, për ta gjetur veten atje ku janë njerëzit që protestojnë, që bëjnë greva për të kërkuar të drejtat e tyre, ku janë sindikatat, shoqatat e organizmat e tjerë të shoqërisë civile. Të gjitha këto duhen parë si pjesë organike e procesit demokratik opozitar”, shton ai. /Start/

                                                                                             2011-09-02 09:38
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›