E Shtunë, 31 Tetor 2026

Petrit Vasili drejt shkarkimit?

Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, është vënë në qendër të sulmeve gjatë javëve të fundit. Kjo po ndodh pikërisht nga mediat që mendohet se qendrojnë pranë LSI-së.

Fillimisht sulmet ndaj Vasilit i nisi gazeta Panorama, e cila u mor disa ditë rresht me Vasilin, duke denoncuar faktin që nuk kishte ilaçe në spitale. Këtë gjë e bëri nëpërmjet deputetit të LSI-së, Vangjel Tavo.

Tashmë sulmin ndaj Vasilit po e vazhdon një tjetër medie që të të njëjtët pronarë me Panoramën, Gazeta Shqiptare, e cila ka nxjerrë në dritë një skandal të mundshëm abuzimi nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

Shëndetësia në fakt është një nga sektorët më të korruptuar në këtë vend dhe kjo gjë vazhdon prej vitesh, edhe para Vasilit.

Ky i fundit mund të jetë i përfshirë në afera korruptive, ashtu siç po akuzohet dhe kjo nuk përjashtohet.

Por, mënyra se si po sulmohet nga ana e mediave pranë LSI-së, të cilat po merren direkt me Vasilin dhe jo me fenomenin e korrupsionit në shëndetësi, tregon se LSI-ja ka vendosur që të largojë Vasilin si ministër.

Këtë gjë nuk kërkon që ta bëjë duke e shkarkuar Vasilin, për shkak se nuk kërkon që të krijojë përçarje të tjera në parti, por po e bën nëpërmjet presionit të mediave pranë saj.

Fati i Vasilit duket se tashmë është vendosur dhe largimi i tij duket një gjë që do të ndodhë shumë shpejt.

Ajo që nuk dihet, është fakti përse LSI po e sulmon dhe po kërkon që ta largojë Vasilin nga Shëndetësia? Ndoshta për ti hapur rrugën rikthimit të Metës në qeveri? Koha do e tregojë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›