E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDK: Tryezë të partive parlamentare për reformat

Demokristianët propozojnë pakt mes opozitës dhe mazhorancës, por kundërshtojnë reformatorët
 
 TIRANË- Partia Demokristiane kërkon zhvillimin e një tryeze të partive parlamentare, të majta dhe të djathta, për të gjetur konsensusin lidhur me reformat më të rëndësishme që duhet të kryhen në këtë periudhë të parë të vitit 2008 nga vendi ynë. Një kërkesë të tillë, demokristianët e bëjnë duke theksuar se, një nga synimet më madhore të Shqipërisë për vitin 2008 është marrja e ftesës për anëtarësim në NATO. Për të përmbushur këtë synim madhor, Partia Demokristiane apelon për të gjitha partitë parlamentare, për ato që janë pjesë e qeverisë dhe për ato që janë në opozitë, që me përgjegjësi të diskutojnë dhe të bien dakord për kryerjen e të gjitha reformave që mundësojnë marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO. “PDK propozon një tryezë politike të partive parlamentare, në të cilën partitë politike të bien dakord për një draft reformash konsensuale në sistemin gjyqësor, për reformën zgjedhore, për masat ligjore antikorrupsion, për realizimin e plotë të reformës në prokurori, për zgjidhjen e çështjes së pronave dhe çështjeve të tjera, që tejkalojnë interesin partiak dhe janë në interes të Shqipërisë”,- është shprehur dje në një deklaratë për mediat nënkryetari i PDK-së, Sokol Frroku. Ndërsa ka deklaruar se kjo nismë duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe rezultative, Frroku theksuar se, ajo mund të drejtohet nga Presidenti i Republikës, nga komisionet përgjegjëse parlamentare për integrimin në NATO, ose nga vetë tryeza e kryetarëve të partive politike parlamentare. “I takon mazhorancës të bëjë propozimet konkrete dhe opozitës të bashkohet me to, për të kaluar nga faza e retorikës në veprimet konkrete të reformave”,- u shpreh nënkryetari i PDK-së. I menjëhershëm ka qenë reagimi i partive të tjera të qeverisë së koalicionit të djathtë, siç është dhe ai Partisë Demokrate të Re. Nënkryetari i kësaj force politike, Tritan Shehu është shprehur kundër një nisme të tillë të propozuar nga demokristianët dhe theksoi se, fillimisht duhet të mblidhet tryeza e partive të koalicionit për të caktuar prioritetet e vitit 2008 dhe për të diskutuar çdo alternativë që mund të kenë aleatët. “Viti 2008 është viti më vendimtar dhe do ishte më racionale që partitë që janë në koalicionin qeverisës, të studiojnë së bashku për idetë kryesore të punës që duhet të ketë ekzekutivi për këtë vit, për mënyrën si duhen bërë reformat dhe për mënyrën e përfitimit prej këtyre reformave deri para zgjedhjeve të ardhshme”,- është shprehur deputeti i PDR-së, Shehu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›