E Diel, 1 Nëntor 2026

Pëllumbi: Rezoluta Çame u rrëzua, duheshin 55 vota pro, jo 53

TIRANE-Ish-kryetari socialist i Parlamentit shqiptar, Servet Pëllumbi, tha dje se rezoluta çame e votuar në prill 2004 është rrëzuar. I pyetur nga “Panorama” rreth procedurës së ndjekur dhe rezultatit të shpallur prej tij, Pëllumbi thotë se i është referuar nenit 78 të Kushtetutës.

“Rezoluta çame nuk është miratuar, sepse në seancë prezenca ka qenë 108 deputetë, nga këta 53 kanë votuar pro, 4 kanë votuar kundër, 44 kanë abstenuar dhe 7 s’kanë marrë pjesë në votim, vota të cilat konsiderohen abstenim dhe: 51 abstenim dhe 4 kundër bëhen 55. Që të konsiderohej e votuar pro, rezoluta duhej të merrte 55 vota”, u shpreh ish-kryetari i Kuvendit. Sipas tij, “Neni 78 i Kushtetutës thotë: Kuvendi i merr vendimet me shumicën e deputetëve të pranishëm, me kusht që në seancë të jenë një deputet më shumë se gjysma, pra 71 deputetë. Në votimin konkret, rezoluta, që të miratohej duhej të merrte 55 vota”. Ish-kryetari i Kuvendit iu përgjigj dhe akuzave të PDIU-së për ndjekje penale ndaj tij, duke e cilësuar një budallallëk.

“Ndjekje penale?! Është një budallallëk i madh! Drejtuesi i seancës, pas seancës e shpall rezultatin dhe për të nuk ka asnjë diskutim. PDIU po tregohet naive dhe po bie në grackën e PD-së, që thotë se është votuar, por, sipas tyre, ‘është PS që nuk e ka bërë publike’. PD e përdor si truk për të hequr dorë nga rezoluta, sepse që prej vitit 2004 kur kjo rezolutë është rrëzuar, PD nuk ka bërë asnjë rezolutë tjetër për çështjen çame. Për këtë çështje mund të votohen çdo vit rezoluta për të konfirmuar qëndrimin e vendosur të Kuvendit për zgjidhjen e kësaj çështjeje”, tha Pëllumbi.

Sipas tij, edhe nëse supozohet se atëherë është bërë një gabim, për të cilën PD është e bindur, nuk ka asnjë tolerim që për tetë vjet që është në qeveri dhe ka pasur shumicë të thjeshtë në Parlament, të mos ketë paraqitur asnjë rezolutë për çështjen çame. Në prill të 2004-s, Kuvendi i Shqipërisë hodhi për votim një rezolutë për çështjen çame ku opozita e atëhershme, PD, votoi pro saj, ndërsa PS në pushtet e abstenoi dhe disa nga deputetët e saj nuk morën pjesë në votim.

(d.b/Panorama/BalkanWeb) Lidhje te tjera Rezoluta çame, PD: E miratuam në 2004. PDIU: E paprecedentë, të hetohet procesi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›