Penalizime për plagjiaturat shkencore

Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj
Nuk do lejohen në universitete punimet shkencore të falsifikuara, vjedhja e autorësisë dhe interpretimet e gabuara.
Ministria e Arsimit miraton rregulloren e etikës edhe për botimet.
Penalizime për të gjithë ata që falsifikojnë punimet shkencore apo bëjnë plagjiatura me botimet. Ministria e Arsimit ka miratuar rregulloren e re të etikës në veprimtarinë kërkimore dhe botuese. Për herë të parë do të merren masa ndaj të gjithë atyre kërkuesve që nuk do të bëjnë transparente burimet nga të cilat kanë mbledhur materialet apo që do të cenojnë privatësinë për të dhëna zyrtare që nuk duhet të botojnë. Sipas rregullores së re, autorët e kërkimit shkencor janë të detyruar të publikojnë edhe prej nga kush janë financuar, pasi vitet e fundit jo pak raste janë bërë publike për abuzime me fondet për kërkimin shkencor. Fabrikimin e të dhënave, që quhet sajimi, prodhimi i të dhënave apo edhe i rezultateve të falsifikuara ose i aspekteve të tjera të veprimtarisë kërkimore, duke përfshirë edhe ato për dokumentimin dhe aprovimin e pjesëmarrësve, thuhet në rregullore. Sipas saj, mashtrimi shkencor është një veprim i ndëshkueshëm. Ai është i ndryshëm nga gabimi dhe përfshin një sërë elementesh. Plagjiatura apo përvetësimi ose përdorimi i ideve, pronës intelektuale apo punës së të tjerëve, në mënyrë të shkruar apo në mënyra të tjera, pa njoftimin dhe aprovimin e autorit, renditet e para në listën e rregullores së MASH-it.
Objekt ndëshkimi do të jetë falsifikimi, i cili cilësohet si ndryshimi me qëllim ose seleksionimi jo i drejtë i të dhënave, pamjeve ose dhënies së pëlqimit të bashkëpunëtorëve/bashkautorëve. Veprim i ndëshkueshëm është interpretimi i gabuar, që quhet paraqitja e gabuar e të dhënave dhe përhapja e gabuar e rezultateve, si: heqja, neglizhimi dhe interpretimi i gabuar me qëllim i të dhënave ose zbulimeve, si dhe kërkesa jo e argumentuar për përfshirje në autorësi apo mohimi i autorësisë, thuhet në rregullore.
Do të jetë objekt ndëshkimi gjithashtu menaxhimi i gabuar apo ruajtja e papërshtatshme e të dhënave. Cenimi i konfidencialitetit apo vendosja në rrezik të pjesëmarrësve apo individëve të përfshirë në veprimtarinë kërkimore apo cenimin e reputacionit të tyre nëpërmjet neglizhimit të marrjes së masave të nevojshme mbrojtëse.
Përgjegjësitë
Përgjegjësinë për të zgjidhur rastet e identifikuara si veprime të ndëshkueshme e kanë: autoritetet drejtuese të njësisë kryesore dhe të institucionit, personi përgjegjës për vlerësimin paraprak të akuzave, këshilluesi për integritetin e kërkimit, drejtuesi i njësisë kërkimore (departamentit, grupit mësimor kërkimor), udhëheqësi i kërkuesit shkencor dhe kërkuesi shkencor, thuhet në rregullore.
Për raste të veçanta, ose rastet kur institucioni nuk jep zgjidhje, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka përgjegjësinë për zgjidhjen e tyre, si autoriteti më i lartë mbikëqyrës i veprimtarisë së institucionit kërkimor.
Institucionet duhet të përcaktojnë politika të qarta për trajtimin e ankesave. Institucioni përcakton në rregulloren e tij rastet e trajtimit të ankesave në lidhje me kërkimin shkencor. Në rregullore parashikohen masat që merren në rast të moszbatimit dhe shkeljes së kësaj rregulloreje, përcaktohet në të.
Ndëshkimet
Në rastet kur vërtetohet shkelja, do të ndërmerren penalizime që arrijnë deri në rishikimin e kontratës punë-dhënës-punëmarrës për stafin akademik. Çështjet që kanë të bëjnë me konstatimin e veprimeve të ndëshkueshme dhe trajtimin e tyre
parashikohen në kontratat punëdhënës-punëmarrës, krahas trajtimit të formave të tjera të shkeljeve në punë. Përgjegjësitë mbahen në nivel departamenti apo qendre kërkimore, thuhet në rregullore. Sipas saj, drejtuesi i departamentit dhe titullari i grupit mësimor kërkimor janë pika e parë e kontaktit, në rastin kur lindin shqetësime gjatë veprimtarisë kërkimore. Shkeljet e kësaj rregulloreje që nuk përbëjnë veprime të ndëshkueshme, trajtohen në nivelin e departamentit.
Shkelje e rregullores dhe veprime të ndëshkueshme
Institucioni konsideron veprime të ndëshkueshme:
Fabrikimin e të dhënave që quhet sajimi, prodhimi i të dhënave apo edhe i rezultateve të falsifikuara ose i aspekteve të tjera të veprimtarisë kërkimore duke përfshirë edhe ato për dokumentimin dhe aprovimin e pjesëmarrësve;
Mashtrimin shkencor që është një veprim i ndëshkueshëm.
Ai është i ndryshëm nga gabimi dhe përfshin:
Plagjiaturën: që quhet përvetësimi ose përdorimi i ideve, pronës intelektuale apo punës së të tjerëve, në mënyrë të shkruar apo në mënyra të tjera, pa njoftimin dhe aprovimin e autorit;
Falsifikimin: që quhet ndryshimi me qëllim dhe/ose seleksionimi jo i drejtë i të dhënave, pamjeve dhe/ose dhënies së pëlqimit të bashkëpunëtorëve/bashkautorëve.
Interpretimin e gabuar: që quhet paraqitja e gabuar e të dhënave dhe përhapja e gabuar e rezultateve, si: heqja, neglizhimi dhe interpretimi i gabuar me qëllim i të dhënave dhe/ose zbulimeve, si dhe kërkesa jo e argumentuar për përfshirje në autorësi apo mohimi i autorësisë.
Menaxhimin e gabuar apo ruajtjen e papërshtatshme të të dhënave dhe/apo materialeve parësore që kupton mosmbajtjen e shënimeve të qarta e të kujdesshme.
Cenimin e konfidencialitetit: dhënien e paautorizuar të informacioneve për të dhëna zyrtare të veprimtarisë kërkimore në proces.
Vendosjen në rrezik të pjesëmarrësve apo individëve të përfshirë në veprimtarinë kërkimore apo cenimin e reputacionit të tyre nëpërmjet neglizhimit të marrjes së masave të nevojshme mbrojtëse.
Vlerësimin jo të drejtë në recensat (peer revieë) e punimeve kërkimore dhe/apo rezultateve të saj (duke përfshirë dorëshkrimet e paraqitura për publikim).Përgjegjësitë
Përgjegjësinë për të zgjidhur rastet e identifikuara si veprime të ndëshkueshme e kanë:
Autoritetet drejtuese të njësisë kryesore dhe të institucionit;
Personi përgjegjës për vlerësimin paraprak të akuzave;
Këshilluesi për integritetin e kërkimit;
Drejtuesi i njësisë kërkimore (departamentit, grupit mësimor kërkimor);
Udhëheqësi i kërkuesit shkencor;
Kërkuesi shkencor.
E drejta e ankimimit
Kushdo që konstaton se kërkuesi shkencor ka vepruar në mënyrë të papërgjegjshme, paraqet ankesën e tij në departamentin përkatës. Ankesat, së pari, trajtohen në nivel departamenti, në përputhje me afatet dhe procedurat e parashikuara në ligjin nr. 8485, datë 12.05.1999, Kodin e Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë. Ankimi, pasi shqyrtohet në rrugë administrative, ndiqet në rrugë gjyqësore në përputhje me ligjin nr. 8116, datë 29.03.1996 Kodi i Procedurës Civile, të ndryshuar, përcakton rregullorja.
Autorësia
Për tu cilësuar si autor, kërkuesi jep një kontribut të rëndësishëm në kërkim dhe është i gatshëm të mbajë përgjegjësi për pjesën e punimeve në të cilat ka dhënë kontribut, thuhet në rregullore. Roli i tij është i pazëvendësueshëm dhe është një investim intelektual themelor për hartimin e punimeve shkencore, për arritjen dhe përhapjen e rezultateve të veprimtarisë kërkimore shkencore dhe për komunitetin shkencor.
ZIRINA LLAMBRO