Degradimi i transportit hekurudhor
Kushtet, amortizimi, teknologjia e vjetër, dëmtimi nga udhëtarët, e ka bërë transportin hekurudhuo, fare pak të preferueshëm në zonën juglindore të vendit.
Stacioni hekurudhor në Gurin e Kuq, në Pogradec, ka disa muaj që nuk funksionon, kjo pasi ka ndodhur një defekt në Librazhd dhe stacioni i fundit është deri aty.
Por edhe kur treni mbërrinte në Pogradec, numri i udhëtarëve ishte tepër i ulët, ndërsa vazhdon të jetë i tillë edhe për linjat e tjera, qoftë ajo Tiranë- Shkodër dhe Tiranë- Vlorë.
Para disa vjetësh nëpërmjet një investimi u arrit që të bliheshin disa vagona, të cilët zëvendësuan vagonat e dikurshëm të kohës së diktaturës. Edhe pse vagonat e rinj ishin në kushte tepër të mira, brenda shumë pak kohësh u kthyen si vagonat e mëparshëm. Sedilje të grisura, xhama të thyer, papastërti, mungesa e sistemit të ngrohjes etj, janë disa nga elementët të cilët kanë bërë që numri i udhëtarëve me tren të jetë i ulët.
Ata që udhëtojnë e bëjnë për arsye ekonomike, dhe vihet re se numri rritet disi në verë, por sërish jo në ritmet e mëparshme.
Kohët e fundit udhëtimi me tren është bërë edhe i rrezikshëm, pasi në disa fshatra banorët gjuajnë me gurë xhamat dhe në disa raste ka patur edhe të lënduar. Ndërsa një tjetër rrezik është dhe dëmtimi i shinave dhe shitja e tyre për skrap.
Ndryshe nga vendet e tjera europiane ku gjithkush lëviz me tren dhe metro, tek ne e vetmja zgjidhje janë makinat, pasi në këto kushte që ndodhet sistemi hekurudhor sot është e vështirë që shteti të presë fitime nga pasagjerët.
K.T/ IDEA
No related posts.