Penalizimet për kopjacët dhe ata që thyen rregullat
Sot pritet të publikohen notat e fundit të provimeve me zgjedhje. Më në fund do të dalin në “dritë” emrat e 12 maturantëve, që nuk gjetën emrat në listat e rezultateve të testeve me zgjedhje. Pas 20 ditësh, burime nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës bëjnë të ditur se do të afishohen notat e nxënësve të përjashtuar nga listat e datës 16 korrik.
Edhe pse kopjacët patën shumë pak kohë në dispozicion për të plotësuar formularin, kjo është “fatura” për të gjithë ata që shkelën rregullat. Por nuk do të mbetet me kaq, “çmimi që do të paguajnë është edhe më i lartë. Nxënësit që u kapën me probleme, me teza të njëjta, me kopje apo patën probleme në procedurat e Maturës Shtetërore u janë hequr pikët e totalit, për shkak të “hileve” që përdoren si zgjidhje për të përballuar provimet me zgjedhje.
PenalizimetMinistria e Arsimit ka vendosur të marrë masa penalizuese, duke filluar që nga nxënësit, të cilët kanë thyer rregullat e Maturës Shtetërore, deri tek administratorët që kanë monitoruar zhvillimin e testeve me zgjedhje.
Pjesë e personave që do të ndëshkohen nuk do të jenë vetëm nxënësit, por edhe administratorët, ata që kanë mbikëqyrur për katër orë me radhë zhvillimin e provimeve me zgjedhje. Më 30 qershor, kur u zhvilluan testet e lëndëve që nxënësit kishin përzgjedhur me dëshirën e tyre, Ministria e Arsimit kishte përcaktuar nga një administrator në çdo klasë. Roli i tij ishte të monitoronte me kujdes dhe përgjegjësi mbarëvajtjen e zhvillimit të testeve, por sidomos ndonjë lëvizje të dyshimtë të nxënësve. Kjo do të thotë që ata nuk duhet të toleronin apo favorizonin asnjë nxënës, por të ruanin me kujdes secilin prej tyre dhe të zbatonin me përpikmëri rregullat e maturës, të cilat ndalojnë në mënyrë kategorike kopjimin apo shënime në fletët e provimeve. Fakti që këta 12 nxënës kanë mundur të kopjojnë do të thotë që monitoruesit nuk kanë qenë aq të vëmendshëm sa duhet. Nisur nga kjo, rezulton se administratorët janë të implikuar në këtë problematikë, çka nënkupton se penalizimet do të jenë të dyfishta, si për nxënësit edhe për mësuesit.
Përgjigjet e fundit
12 maturantët do të kenë mundësi t’i drejtohen sot drejtorive të shkollave përkatëse për të mësuar notat me të cilat janë vlerësuar në testet e lëndëve, që kishin përzgjedhur me dëshirën e tyre. Sipas burimeve të MASH, shkak për bllokimin e këtyre rezultateve kanë qenë vetë maturantët. Ata pohojnë se testet e këtyre nxënësve kanë rezultuar të dyshimta, që do të thotë se në to janë evidentuar shënime të ndryshme, me qëllim identifikimin e personit që kishte zhvilluar këtë tezë, parregullsi dhe përgjigje identike. Nisur nga kjo, Ministria e Arsimit ka ngritur një komision të posaçëm, që ka bërë jo vetëm rishikimin e detajuar të përgjigjeve të maturantëve, por edhe vlerësimin që i ka bërë specialisti përgjegjës. Kjo praktikë, sipas specialistëve, është ndjekur edhe gjatë përvojave të kaluara, që me nisjen e vitit të parë kur u adaptua ky sistem në arsimin shqiptar. Raste të tilla të dyshimta, apo kopjesh janë evidentuar edhe gjatë viteve të kaluara. Dje u zbardhën të gjitha rezultatet e maturantëve të përjashtuar në fleta formati A4, ndërsa sot pritet që këto nota të dërgohen në drejtoritë e shkollave, ku këta nxënës kanë ndjekur arsimin e mesëm për katër vjet me radhë.
#