E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në buzëmbrëmje, para tendës së tij, Rey shkruante në fletoret e tij të punës:

Zbulimet arkeologjike

“Me gjithë vapën e madhe, punëtorët punonin në mënyrë energjike dhe pak nga pak, toka po i nxirrte sekretet e veta. Papritur, nën kazmën e një punëtori që hapte tarracat, shpejt u zbulua fragmenti i një mermeri. Presim pak dhe ja ku u duk pala e një veshje. Statuja e madhe është atje, e shtrirë në ije, në të njëjtin pozicion siç ka rënë gjatë tërmetit që ka shkatërruar ndërtesën... Një punëtor përkulet mbi të dhe e çliron nga dheu që e ka fiksuar në tokë. Statujën mezi e nxorëm nga fundi i transhesë. Peshon disa qindra kilogramë. Me shumë përkujdesje ne e vendosëm atë mbi një qerre me buaj. Kur e çuam në majë të kodrinës, ajo duhej vendosur në tokë. Atje, ajo do të jetë mirë, nën ullinjtë, ku tendat tona janë fare pranë dhe ku ne mund ta gëzojmë gjer në fundin e qëndrimit tonë... E ngremë dhe e vendosim në bazamentin e vet. Në këmbë, statuja e këtij njeriu vështron fushat, lisat dhe pemët e të gjitha llojeve që dendësohen atje ku dikur ngriheshin ndërtesat e bardha të Apolonisë. Shumë vizitorë të dashur kanë ardhur ta shikojnë. Ai është i veshur me një petk me pala të komplikuara, hedhur sipër trupit, të krijuar me aq art dhe përpikmëri. Në dorën e majtë mban një libër, ose më mirë një parshemin të rrotulluar, një “volumen”... Kush është ky i panjohur, qëndrimi i të cilit është njëherësh i paqtë dhe impozant? Meqë nuk ka një epitaf, ne s’mund t’i atribuojmë atij ndonjë emër. Pamja e flokëve, qëndrimi, veshja, na çojnë në shekullin I të erës sonë të epokës së Augustit. Edhe e parë nga shpina, statuja është e bukur. Artisti s’ka neglizhuar asgjë për t’i dhënë kësaj vepre artistike ngjashmërinë e jetës. Gjurmë të dukshme boje duken në flokët e tij, çka na provon se mermeri ka qenë i lyer. Në gjuhën e arkeologëve, pala e madhe e veshjes në shpinë quhet ‘la cinia’. Pikërisht tek ajo palë në shpinë, klientët e perandorit Claude, e pengonin atë të largohej nga ‘prétoire’, duke e tërhequr nga pala pas shpine, në mënyrë që të ulej përsëri në stolin e tij, kur ata kishin ende nevojë për të”.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›