E Shtunë, 31 Tetor 2026

Penelope Cruz: Unë di të mbaj sekrete

Penélope Cruz është nga ato aktore që nuk i pëlqen intervistat. Flet vetëm për karrierën e saj dhe të ndalon rreptësisht ta pyesësh për Javier Bardem dhe për fëmijën që pret...

Takimi është lënë në hotelin “Berkeley” në Knightsbridge, Londër. Dihet që takimet me aktoren spanjolle Penélope Cruz nuk janë asnjëherë të lehta. E ka pranuar që nuk i ka shumë qejf intervistat dhe nuk i pëlqen të flasë për jetën private. Sigurisht që duhet të flasësh patjetër për filmin e saj të ri, që pritet të dalë dhe rolin e saj si imazh i parfumit “Trésor di Lancôme”, që ditëlindjen e tij të 20 po e feston me një spot publicitar, ku ajo është protagoniste. Por ka edhe të tjera ngjarje të rëndësishme në jetën e saj, si për shembull ardhja në jetë e fëmijës së parë të saj, me aktorin spanjollin Javier Bardem. Penélope Cruz u martua në korrik në Bahamas, me një ceremoni shumë private, duke zemëruar paparacët e së gjithë botës që nuk arritën dot të kapnin në kohë këtë skup. Që nga ai moment, çifti është përndjekur në çdo situatë. E kur disa javë më pas arritën t’i kapnin të dy aktorët në dalje nga “Sumosan”, restoranti japonez në rrugën “Albemarle në Mayfair” (i preferuari i aktorëve të famshëm si Nicole Kidman, Jade Jagger, Cheryl Cole, Will Smith e Laurence Fishburne), fotografët e kuptuan se kësaj here kishin goditur në shenjë: Penélope kishte një bark që nuk mund të fshihej. Ishte shtatzënë. Në hollin e hotelit, fjalia e parë që thotë është: “Të lutem asnjë pyetje për Bardem dhe fëmijën”. Në fakt, Penelope kishte bërë të njëjtën gjë me të gjithë gazetarët, aq sa njëri kishte vendosur ta ndërpriste pasi aktorja spanjolle nuk preferonte t’i përgjigjej në mënyrë kategorike asnjë pyetjeje për jetën private. Çfarë karakteri të vështirë që ka! E ulur në divan, Penelope, e veshur me një fustan të zi që i nxjerr në pah barkun e bukur, të pret duke buzëqeshur. Një buzëqeshje që duket sikur do të thotë: jeta private nuk preket, asnjë pyetje rreth saj.

Si shkuan xhirimet e filmit “Pirati dei Caraibi 4. On stranger tides” me Johnny Depp?

Gjithçka shkoi shumë mirë. Xhirimet e fundit ishin në Londër. Pjesa tjetër e filmit u xhirua në Hauai, Portoriko e Los Anxhelos. Prej disa muajsh jam në xhiro rreth e qark botës. Jam shumë e lodhur. Kuptoni se çfarë dua të them. Për shembull, po ju tregoj se motra ime Monika Cruz, edhe ajo aktore, më ndoqi nga pas gjatë xhirimeve për të më zëvendësuar atëherë kur isha e lodhur. Nuk doja të vija në rrezik shtatzëninë. Kur të shihni filmin do ta keni të vështirë të dalloni ndryshimet mes meje dhe Monikës. Ngjajmë kaq shumë me njëra-tjetrën.

Çfarë personazhi interpretoni në film?

Jam Angelica, vajza e Barbaneras, një pirate e fiksuar pas drejtësisë. Nëse e kupton ose ndien se ka përpara vetes një person jokorrekt, mund të bëhet shumë e rrezikshme. Për të jeta është thjesht negocim.

Me sa duket i ngjani. Ju keni deklaruar në shtyp se i urreni gënjeshtrat dhe se thoni gjithmonë atë që mendoni....

Jo, jo në këtë kuptim. Ajo çfarë kam deklaruar, ka të bëjë me faktin se jam një njeri transparent dhe i përgjigjem hapur të gjitha pyetjeve që më bëhen. E kam shumë të vështirë t’i fsheh emocionet. Gënjeshtrat e mia? Nëse jam e mërzitur bëj sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe them se gjithçka po shkon mirë. Por pastaj askush nuk më beson, ajo që ndiej më lexohet në fytyrë.

OK, na jepni një provë të drejtpërdrejtë të sinqeritetit tuaj: çfarë tipi është Johnny Depp, që pikërisht këto ditë shkoi në një shkollë në Londër, i veshur si Jack Sparrow për t’i bërë fëmijët të qeshnin?

Johnny është një engjëll. Është i sjellshëm dhe i drejtë. Publiku që e imagjinon thjesht si një seks simbol, nuk ka për ta kuptuar asnjëherë se deri ku arrin humori i tij. Në sheshin e xhirimeve nuk kishte trishtim apo lodhje, për sa kohë ai ishte pranë nesh. Më ka bërë të qesh gjatë gjithës kohës që punonim.

Rob Marshall-it, regjisori i këtij filmi, ju i detyroheni një nominimi për “Oskar” si aktorja më e mirë joprotagoniste në filmin “Nine”. Pedro Almodóvar ju dha një tjetër nominim për “Volver” dhe Woody Allen “Oskarin” për “Vicky Cristina Barcelona”. Karriera juaj është e jashtëzakonshme. Ku keni ndërmend të arrini?

Jam shumë e lumtur dhe e ndiej veten një njeri shumë me fat, si në punë ashtu edhe në jetën private. Por, për momentin nuk do të shkoj në asnjë vend. Madje do të ndalem këtu.

Me pak fjalë nuk kemi ndonjë film të ri në plan?

Kam kontaktuar me Sergio Castellitto-n dhe po bisedojmë për një projekt të ri, por për momentin asgjë nuk është e sigurt.

Cili qytet ju pëlqen më shumë në Europë?

Italia më pëlqen shumë, njerëzit janë të ngrohtë dhe të sjellshëm. Aty ndihem si në shtëpinë time.

Ju jeni shumë e bukur, si arrini të jeni kaq në formë sidomos në këto muaj të vështirë?

Nuk abuzoj me asgjë dhe kujdesem shumë për veten. Gjithsesi nuk e ndiej se jam në formën e duhur. Ushqehem mirë dhe nuk bëj asgjë të veçantë.

Jo rastësisht “Lancôme” ju zgjodhi si imazh i parfumit “Trésor”...

Është një parfum që e kam dashur gjithnjë dhe që e përdorja kur isha adoleshente. Për më tepër, fillova ta doja më shumë kur reklamën e tij po e bënte Isabella Rossellini, një grua dhe aktore të cilën e admiroj shumë. Ndihem e lumtur që jam pjesë e këtij projekti.

Ju keni lindur dhe jeni rritur në një sallon bukurie. Nëna juaj ka qenë parukiere, apo jo?

Ai vend ka qenë edhe shkolla ime e parë e aktrimit. Nëna më merrte në dyqan pas shkollës dhe në vend që të bëja detyrat, shikoja klientët dhe dëgjoja se çfarë thonin. I drejtoheshin nënës sime si të ishte psikologe: i tregonin për jetën e tyre, i kërkonin këshilla. Në ato pasdite të gjata, zbulova domethënien e fjalës dramë.

E keni përgatitur dhomën e vogëlushit? Po emrin, e keni gjetur? Si po shkon jetesa me aktorin Javier Bardem?

Për çështje private mund të them se ndihem shumë e shëndetshme, e fortë dhe e lumtur për t’i përballuar të gjitha. Për detaje që më interesojnë vetëm mua, nuk dua të flas.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›