E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbrojtja e gjuhëve të huaja, të rinjtë 5 ditë në dispozicion

Testimi

Duke nisur nga sot, të gjithë ata që kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe që dëshirojnë të mbrojnë njërën prej gjuhëve të tyre të preferuara mund të paraqiten pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja
për t’u testuar. Ndërkohë, burime pranë këtij institucioni pohojnë se dita e fundit për përfundimin e këtij testimi do të jetë dita e premte.

Për të marrë certifikatën e mbrojtjes së një gjuhe të huaj të caktuar, sipas rregullave të vendosura nga departamenti përkatës në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, duhet të kalosh dy prova.

E para është testi i gramatikës me shkrim, ndërsa e dyta është dalja përpara komisionit ku kandidati referon me gojë.

Në bazë të këtyre dy provave, vendoset nota përfundimtare, e cila “vuloset” mbi dëshminë individuale të gjithsecilit.

Por çdo muaj këtë procedurë nuk mund ta kryejnë më shumë se 100 persona për çdo gjuhë.

“Regjistrimet mbyllen pasi numri i kandidatëve arrin 100 vetë”, thuhet në njoftimin e afishuar të departamentit të gjuhëve. Ky proces realizohet vetëm pasi i interesuari të dorëzojë pranë sekretarisë mandatpagesën prej 3 mijë lekësh, një dokument identifikimi dhe fotokopje të diplomës për ata që kanë mbaruar arsimin e lartë, ose vërtetim që je student. Veç tyre, duhen edhe dy fotografi personale.

Certifikatat përkatëse tërhiqen muajin që vjen. Kjo dëshmi njihet zyrtarisht nga shteti dhe privati.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›