E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytja si epidemi

Të gjitha kohët, të gjithë brezat, madje edhe shumë prej njerëzve që janë ende gjallë kanë kaluar fatkeqësi natyrore, epidemi, gjakderdhje apo luftëra. Këto janë ato që në ndërgjegjen e popullit quhen si fatkeqësi kolektive. Këto lënë pas histori, legjenda, rrëfime, balada, histori egoizmi, vuajtjesh, vetmie e faljesh pa fund në Zot, por edhe solidariteti.

Brezit tonë i takoi që të kalojë tërmetin e 1979-s, pak a shumë në atë zonë që sot është ende e përmbytur, pastaj epideminë e kolerës të 1995, luftën jo pak të përgjakshme të 1997 dhe, së fundi, përmbytjet e këtyre viteve të fundit. Ka pasur edhe fatkeqësi të tjera, por këto kanë qenë më shumë grupore apo, më mirë, individuale, kështu që me to nuk është rasti të merremi sot. Nuk e përmendëm më kot rastin e kolerës së 1995. Një e keqe që përsëritet fatalisht dhe që vazhdon për muaj të tërë, edhe në mos qoftë sëmundje klasike, me viruse me mjekë me maska, me të infektuar apo me gjëra të tjera të ngjashme në një situatë të tillë, ka shumë rrezik që të mos jetë më fatkeqësi natyrore e thjeshtë, por një epidemi e vërtetë, e tillë, që nëse njerëzit tregohen të pafuqishëm e të nënshtruar, rrezikon të ketë të njëjtat pasoja të rënda. I tillë mbase mund të jetë rasti i përmbytjeve të përsëritura të Shkodrës. Një filozof i njohur, Elias Canetti, fitues i çmimit “Nobel”, është marrë do kohë të mira me këtë punë. Në librin e tij të famshëm “Masa dhe Pushteti” (në versionin shqip “Masa dhe Pushteti”, përktheu Aristidh Ristani, Elena Gjika, Tiranë 2007) ai bën një ndarje të qartë mes dy lloj fatkeqësive që nuk na janë ndarë, jo vetëm neve, por mbarë njerëzimit. “Ndër të gjitha fatkeqësitë që kanë pllakosur gjer më sot njerëzimin, epidemitë e mëdha kanë lënë pas kujtime veçanërisht të gjalla. Ato shpërthejnë me atë shpejtësinë e rrufeshme të katastrofave natyrore, por ndërsa një tërmet mbaron, në më të shumtën e rasteve, pas disa lëkundjeve të pakta e të shkurtra, epidemia vazhdon për një kohë të gjatë, e cila mund të shkojë deri në disa muaj, madje gjer në një vit. Tërmeti shkakton, me një të goditur, gjërat më të llahtarshme. Viktimat e tij vdesin të gjitha në të njëjtin çast. Kurse një epidemi murtaje vepron me doza. Në fillim kap vetëm disa, pastaj rastet shtohen. Kudo të zë syri të vdekur, s’kalon shumë kohë dhe shikon të mbledhur grumbull më tepër të vdekur se të gjallë. Pasojat e një epidemie mund të jenë më në fund krejt të njëjta me pasojat e një tërmeti. Por në rast epidemie njerëzit janë dëshmitarë të përparimit masiv të vdekjes, e cila bën kërdinë m’u përpara syve të tyre. Ngjan sikur ata marrin pjesë në një betejë që vazhdon më gjatë se të gjitha betejat e njohura. Por armiku është i fshehtë, s’duket gjëkundi, s’ke mundësi ta godasësh kurrkund, vetëm se do të presësh të të godasë ai. Betejën e zhvillon vetëm pala kundërshtare, e cila godet kë të dojë. Ajo godet aq shumë njerëz, saqë pas pak, të hyn frika se do t’i godasë që të tërë…”.

Ky pasazh i Canetti-t sigurisht që bën fjalë për një situatë klasike të ndonjë epidemie vdekjeprurëse. Ndonjë mund të mendojë se krahasimi i kësaj gjendjeje me atë, që po përjeton sot Shkodra me rrethina, mund të jetë i paarsyeshëm dhe mbase ca i tepruar. Deri diku është e vërtetë. Për fat të mirë nuk kemi pasur viktima në njerëz, në kuptimin e jetës e të vdekjes, porse kemi pasur viktima në gjendje ekonomike, në shëndet, në ndërprerjen e punëve në zhvillimin e asaj zone dhe sidomos, në krijimin e asaj lloj gjendjeje që quhet nënshtrim ndaj fatit të zi. Është njësoj sikur të themi: Kështu pat bërë ymër Allahu! Pastaj një fatkeqësi natyrore që përsëritet një herë në pak muaj si mund të quhet ndryshe veçse një epidemie tejzgjatur? Njësoj si në fjalët e Canetti-t kemi të bëjmë me një armik, i cili nuk dihet nga vjen dhe si ta luftosh, të paktën kështu kanë lënë të kuptohet ata që duhej ta ndreqnin që me kohë këtë punë. Atëherë të na falni për pesimizmin e thellë, por tashmë pas pesë përmbytjeve vetëm në pak kohë nuk kemi të bëjmë më me një fatkeqësi thjesht natyrore, por me një epidemi, në të cilën viktimat rrinë e shikojnë me sytë nga qielli se si uji u rrëmben shtëpitë, tokat, bagëtinë, shpresat, shëndetin e fëmijëve, ëndrrat thuajse gjithçka.

Në raste epidemish, viktimat e ndiejnë veten fillikat. Janë vetëm ata dhe dhimbja e tyre e thellë. Asnjë nuk ua shuan dhe asgjë nuk ua heq nga shpina barrën e dhimbjeve, që u zë frymën teksa i ndrydh pak nga pak. Asgjë nuk e zëvendëson jetën e paqtë me atë që i shohin sytë një fatkeqi të tillë, as ngushëllimi i klerikëve. As ndonjë solidaritet patetik e propagandistik, që vihet re tek-tuk, dhe aq më shumë, as mesazhet e përdëllyera të solidaritetit fals të politikës. Kulmi arrihet kur ndër televizione dalin deputetë e politikanë me fytyra të trishtuara deri përtokë, që madje bëjnë edhe rolin e punëtorit të ngarkim-shkarkimit, teksa lundrat çojnë bukët e ftohta drejt shtëpive të izoluara. Të na ndiejë ndokush, por kjo tashmë nuk është se para pi ujë shumë. Askush nuk e ha më këtë skenë përdëllimtare përveçse deputetëve a politikanëve vetë, apo krerëve të tyre. Me siguri, në Shkodër të paktën, ndonjë duhet t’u ketë thënë: “Ju falemners shum, por tesh asht vonë, fort vonë. Tesh na ka marrë uji e dreqi vetë. Ku ishit ma parë?”.

Që fatkeqësitë natyrore të mos na shndërrohen në epidemi, përballë të cilave do të detyrohemi të ngremë duart lart, në radhë të parë, me sa duket, duhet të heqim dorë në fillim nga falsiteti e shtirja, nga ideja e të konsideruarit të popullit vetëm si një listë e gjatë votuesish. Deri më tani këto na kanë kushtuar shumë kohë dhe pikërisht prandaj askush nuk e vrau mendjen, përveçse në fushata zgjedhore, për këtë anë të mbarë të dheut tonë, së cilës i kemi të gjithë bashkë një borxh të madh. Lum kush kujtohet i pari e mjerë ai që e harron këtë punë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›